Barjam Ibro/ Aksi Berat-Çorovodë ka 10 km rrugë që mbajnë peng vitet 1944

956
Sigal

Ish-ushtaraku Barjam Ibro: “Punohej në shi dhe shkëmbinjtë copëtoheshin me krahë. Habia e banorëve kur panë makinën e parë”

U deshën shekuj që rruga automobilistike të shkonte deri në Skrapar. Fillimisht pati shumë vështirësi, pasi edhe pse populli i Skraparit, një popull patriot e liridashës, i njohur kaq shumë për kontributin e madh nuk po i ndërtohej rruga. Për të lidhur këto krahina me zonat e tjera të Qarkut të Beratit nuk ishte interesuar asnjë regjim, që të ndërtonte rrugën automobilistike Berat-Çorovodë.

Si u vodhën fondet e Mbretit Zog

Sipas të moshuarve mësohet se, edhe një tentativë që u bë nga regjimi i Ahmet Zogut, ku filluan punimet për të ndërtuar këtë rrugë dështuan. Në atë kohë u bënë vetëm 5 kilometër rrugë, Berat- Vodicë. Dhe asnjë metër më shumë. Në organet kompetente të asaj kohe është kërkuar se ku shkuan paratë që u dhanë për ndërtimin e rrugës Berat – Çorovodë, 50 kilometër të gjatë. Por pas shumë debatesh që u bënë në vitet e regjimit të Zogut, për këtë rrugë asgjë nuk doli në dritë. Rrezja e dritës për Skraparin dhe për gjithë shqiptarët, lindi në 29 nëntor 1944 me çlirimin e plotë të Shqipërisë. Kjo qeveri përveç masave të mara për rindërtimin e vendit që doli nga lufta e shkatërruar, vendosi që të ndërtonte edhe rrugën Berat – Çorovodë, e cila do të shërbente për lidhjen e rrethit të Skraparit me Beratin.

Si e ndërtoi rrugën ushtria së bashku me popullin e zonës

Punimet për ndërtimin e rrugës automobilistike filluan nga fshati Vodicë në drejtim të Çorovodës. Për ndërtimin e rrugës merrnin pjesë repartet ushtarake dhe banorë të zonave, vullnetarisht. Punimet zgjatën 2 vjet dhe rruga ka përfunduar me ritme të shpejta. Punimet ishin shumë të vështirë nga vetë terreni shkëmbore dhe malorë. Pas mbarimit të punimeve mbërriti dhe makina e parë në këtë qytet. Banorët nuk kishin parë makina me sy, për ta ishte hera e parë. Ishte e pa besueshme për shumë të rinj apo fëmijë dhe të moshuar kur makina e parë kaloi në qytetin e tyre. Rruga ka qenë një nga gëzimet më të mëdha për banorët e kësaj zone, të cilët për të bërë pazarin shkonin në pazaret e Korçës apo të Beratit, duke udhëtuar 5 ditë e net në këmbë. Flinin rrugëve nëpër pyje. Për inaugurimin e kësaj rruge shkuan anëtarët e qeverisë. Rrugë ishte e shtruar me kalldrëm në atë kohë në vitet pas çlirimit. Qeveria demokratike nuk kishte ende forcë financiare që ta shtronte atë me asfalt. Është për t’u theksuar se pas viteve ‘67 qeveria mori masa për të shtruar me zift këtë rrugë për ta lehtësuar udhëtimin me makina apo autobusë. Pas viteve të demokracisë projekti i qeverive ishte që kjo rrugë të zgjerohej dhe të shtrohej me asfalt dhe kështu u bë, por rrugë zgjati deri në Kakruk dhe nuk vazhdojmë më tutje. Asnjë qeveri nuk e përfundoi deri në qytetin e Çorovodës. 10 kilometrat e kësaj rruge të mbetur tregojnë pamjen e viteve të monizmit, e cila tashmë është kthyer po në vitet e pasçlirimit, pasi edhe ajo pak serë që ishte hedhur në kohën e qeverisë socialiste është zhdukur dhe rruga është kthyer si në vitet 1944. Skraparllinjtë për ironi të fatit shprehen se, “këtë pjesë të rrugës ne do të mbajmë në fotografi dhe më pas ta ruajmë si përmendore nëpër muze, pasi kjo na tregon pamjen e mëparshme”. Shpresat tashmë janë zgjuar pas fitores të së Majtës, e cila do të ndikojë për ndërtimin e kësaj copë rruge të mbetur.

Si punonim me baromina tek shkëmbi i Selanit

Ish-punëtori që ka punuar në këtë rrugë kishte lënë në shënimet e tij pjesë nga koha kur kryheshin punimet për ndërtimin e kësaj rruge. Të gjithë punonin vullnetarë. Bëhet fjalë për shënimet e Demir Ibros, shënimet e të cilit i kujton djali i tij, Barjam Ibro, ish-ushtarak nga fshati Vëndreshë. Ai tregon kështu për gazetën “Telegraf”. “Babai më tregonte shpesh se kishte punuar për hapjen e rrugës Berat – Çorovodë. Në shënimet e tij thuhet: Në shkëmbin e Selanit kemi vuajtur shumë. Ne, lëndë plasëse nuk kishim, por shkëmbin e dërrmonin me baromina dhe qyski të skalitura. Punonim vullnetarisht, flinim nëpër çadra të vjetra dhe shiu futej i gjithë brenda. Por ne kishim idealin tonë atë të realizimit të përfundimit të punimeve sa më parë. Unë isha me një brigadë nga zona jonë dhe ishim të gjithë të rinj në moshë, por ne ishim të shqetësuar se do ta realizonim dot premtimin që kishim dhënë qeverisë për përfundimin e rrugës brenda dy vjetëve. Kur haseshim në vështirësi jo vetëm brigada jonë, por në përgjithësi brigadat mblidheshim dhe mendonin se si do të shpartallojmë shkëmbin. Një ditë morëm një angazhim të vështirë 5 djem të fuqishëm do të lidheshin me litarë për të hipur në majë të shkëmbit, i cili kishte një plasaritje. Pasi hipëm në shkëmb pamë së ai kishte një ndarje të letë nga masavi shkëmbor. Me barominë, leva arritëm të krijonim një boshllëk midis shkëmbit dhe masivit shkëmborë. Më pas arritëm që ta mposhtim shkëmbin duke e rrokullisur atë në drejtim të lumit”, tregon Bajrami shënimet e të atit, Demirit.