Bardhyl Gjyzeli: “Qeveria Berisha na hoqi fondet, por ne e zhvilluam qytetin tonë”

52

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, Kryebashkiaku i Kuçovës, Bardhyl Gjyzeli: “Me fitoren e PS, qytetit iu hap drita jeshile”

Kreu i Bashkisë së Kuçovës, Bardhyl Gjyzeli në një intervistë dhënë për gazetën “Telegraf”, shprehet optimist për të ardhmen e qytetit të naftëtarëve. Gjyzeli cilëson përveç arritjeve edhe problemet e shumta që kanë pasur për shkak të mungesës së fondeve, të cila nuk u akordoheshin nga Qeveria Berisha. “Qeveria që sapo iku na i hoqi fondet, por ne e zhvilluam qytetit tonë. Përkundrazi duke ju përgjigjur septikëve dhe qeveritarëve ne, e kemi kthyer Kuçovën në një qytet me prespektivë, kjo falë dhe një bashkëpunimit që ne patëm me deputeten e zonës, Ermonela Felaj, e cila dha një kontribut të madh, për të cilin banorët e qytetit e vlerësuan duke i dhënë 2 mijë vota më shumë se në zgjedhjet e mëparshme parlamentare”.

Z. Gjyzeli, cilat janë investimet që janë kryer në qytetin e Kuçovës që nga koha që ju jeni në krye të bashkisë?

Fillimisht dua të përmend diçka që për qytetarët është quajtur si investimi kryesor, ndriçimin e qytetit. Aktualisht nuk ka lagje dhe rrugë pa ndriçim. Ne, këto investime i kemi bërë vetëm me të ardhurat e vjeljes së taksave lokale. Sot kemi një qytet me një infrastrukturë të një cilësi të lartë. Rrugët e qytetit dhe bulevardi njihen si një nga më të mirët, jo vetëm në Qarkun e Beratit, por në shkallë vendi, sepse ne kemi trotuare të veshura me pllaka e me mozaik ngjyrash. Me palma gjigande. Bulevardi është 10 metra i gjerë. Qyteti ynë sot është pothuajse i pyllëzuar komplet me pisha dhe pemë të tjera. Shumë të huaj që kanë ardhur si vizitorë zyrtare apo thjeshtë turistë në qytetin e Kuçovës e kanë quajtur dhe “Qyteti jeshil”. Ne jemi krenar se dhe vetë qytetarët kanë dhënë një kontribut të lartë duke e ruajtur këtë mrekulli që ne kemi ndërtuar të gjithë së bashku. Nuk kemi anashkaluar edhe projektet e sportit dhe të kulturës, pasi dihet që kuçovarët i kanë pikë të dobët. Ne si bashki, gjithashtu, kemi realizuar premtimet tonë në furnizimin me ujë të pijshëm nga vendburimi i Bogovës si dhe nga disa burime ujore që ka në dispozicion bashkia e qytetit.

A keni pasur probleme për sa i përket akordimit të fondeve?

Investimet e mësipërme që përmenda janë realizuar me taksat lokale. Ne qeveria na i kushtëzoi fondet që na takonin. Kjo për të gjunjëzuar pushtetin lokalë dhe naftëtarët, që asnjëherë nuk ja dhanë votën. Ne, vërtet Qeveria Berisha na kushtëzoi fondet, por nuk mundi do të të ndalte zhvillimin e qytetit tonë. Pavarësisht të gjithave, ne, premtimet që kemi dhënë si pushtet lokal para elektoratit kuçovar po i bëjmë realitet. Zemërimit të qeveritarëve dhe skeptikëve, ne i jemi përgjigjur me punë dhe rezultati ka qenë zhvillim i qytetit në të gjitha sferat.

Duke qenë se Kuçova njihet si bastioni i së Majtës, çfarë shpresash keni tanimë që në pushtet është e Majta?

Tashmë pasi fitoi Partia Socialiste, Kuçovës i hapet drita jeshile e punësimit. Këtë fakt e ka bërë prezent edhe Kryeministri ynë Rama dhe deputetja e zonës, të cilët premtuan se do të hapin vende të reja pune në sektorin e naftës dhe Ndërmarrjen e Shpim-Kërkimit, e cila për interesa të qeveritarëve u mbyll, ku miliona lekë u çuan dëm.

Çfarë do të bëhet në drejtim të punësimit meqenëse është dhe kërkesa kryesore e qytetarëve?

Shumë shpejtë në Kuçovë do të punësohet një numër i madh familjesh, të cilat nga Qeveria “Berisha” janë hequr padrejtësisht nga puna. Kjo vetëm për bindjet politike.