Bardhyl Berberi/ Thesari i kulturës shqiptare në duart e maqedonasve

502
Në Shkup ndodhet një nga bibliotekat më të mëdha të Maqedonisë, “Biblioteka Popullore Shën Klementi i Ohrit”. Por e veçanta e kësaj biblioteke është sepse këtu ndodhen mijëra dokumente me vlerë për shqiptarët që nuk gjenden as në Tiranë dhe as në Prishtinë, ka thënë historiani shqiptar në Maqedoni Skënder Hasani. Profesor Skënder Hasani është shprehur për gazetën “Telegraf” se janë 39 pavijone në këtë bibliotekë dhe nuk ka asnjë të punësuar shqiptar, as drejtues dhe as punonjës, përveç një gruaje shqiptare që punon aty. Historiani Skënder Hasani thekson se ka 15 vjet rresht që hulumton në këtë bibliotekë dhe ka parë që aty ka thesare për kulturën kombëtare shqiptare. Ai gjithashtu thotë që ka fonde të rëndësishme që nuk vihen në shërbim të kulturës shqiptare. Thekson se këto libra nuk ia kanë vënë në dispozicion në pretekstin se ky fond librash është special dhe është vetëm për akademikët maqedonas. Ata nuk ia u venë në dispozicion studiuesve shqiptarë pasi atje ka fakte dhe grafika të ndryshme dhe realitete historike të shqiptarëve që atyre nuk ju pëlqejnë. 
Librat e vjetër, në gjendje të mjerueshme
Por, vazhdon profesor Hasani, ka edhe një problem tjetër akoma më tragjik pasi librat e vjetër shumë të vyer për kulturën shqiptare që ndodhen vetëm në këtë bibliotekë po largohen nga biblioteka kryesore dhe po çohen në disa depo të futura nëpër arka dhe librat janë në gjendje të mjerueshme. E gjithë kjo vjen se nga gjithë ai personel gjigand që ndodhet në këtë bibliotekë me 39 pavione punon vetëm një grua shqiptare. Madje mungesa e shqiptarëve në këtë bibliotekë është padyshim një pengesë serioze, pasi maqedonasit të sorollatin me lloj – lloj justifikimesh. Por skandalet me kulturën shqiptare atje nuk kanë të sosur. Drejtoria e Monumenteve të Kulturës ka nxjerrë 130 volume që i kushtohen trashëgimisë kulturore dhe historike në Maqedoni, publikime shkencore në të cilat përfshihen qendra arkeologjike, kisha, manastire, xhami dhe pasuri natyrore. Këto 130 volume do të jenë në anglisht, maqedonisht, gjermanisht, frëngjisht, rusisht, turqisht dhe serbisht.Vetëm në gjuhën shqipe nuk do të ketë asnjë botim. Madje në hartimin e këtyre teksteve është edhe një shqiptar, profesor Behixhudin Shehapi, i cili po shkruan librin për teqenë “Arabati” të Tetovës, të cilit i është kërkuar që librin ta dorëzojë për shtyp në gjuhën maqedonase. Tirazhi i parë me 130 tituj u botua në vitin 2012. I pyetur për gazetën “Telegraf”, Drejtori i Kulturës dhe Librit në Maqedoni, që është ideatori i kësaj kolone që do të botohet tha se: “Nuk ka fonde për momentin për botime në gjuhën shqipe, por në ta ardhmen pse jo, mund të botohen edhe në gjuhën shqipe”. Një gjë është e sigurtë, botimi i këtyre librave nuk do të promovojë thesarin multi-etnik për kulturën shqiptare në Maqedoni ashtu siç është premtuar edhe në Marrëveshjen e Ohrit.
Sigal