Bardhyl Berberi/ Pogradeci çel sezonin turistik

852

Pogradeci dje kishte veshur petkun e festës. Mijëra qytetarë pogradecarë dhe mysafirë kishin ardhur në Pogradec për çeljen e sezoni turistik. Kryetari i Bashkisë Eduart Kapri, i cili ka çelur këtë ceremoni mbresëlënëse, aty kanë përshëndetur qytetarë dhe miq të ftuar nga Ohri, Struga, nga Gjermania, Holanda, etj. Ndër të tjera ai ka theksuar se ky sezon turistik e gjen Pogradecin krejt ndryshe: me një ndriçim bashkëkohor të ri në gjithë qytetin, me parkun që ua kemi kthyer qytetarëve, me një plazh të pastër si asnjëherë tjetër duke u kërkuar qytetarëve që ta ruajmë këtë pasuri që na ka falur natyra. Ndër të tjera kryebashkiaku Kapri ka theksuar se Pogradeci nuk i përket vetëm Shqipërisë, mysafirë të përhershëm të këtij qyteti tashmë janë bërë mijëra turistë të huaj që vijnë e banojnë në këtë qytet magjik. Padyshim që Pogradeci i Lagushit, Mitrushit dhe shumë talenteve të tjera ka dimensione specifike. 

Qyteti i Pogradecit i përket lashtësisë dy mijë vjeçare para erës sonë, ndërkohë që liqeni përbri tij ka një moshë 4 milionë vjeçare. Dikur qyteti është quajtur “Lyhnida” që do të thotë (dritë). Pogradeci është një qytet magjik, qytet i turistëve të shumtë, i adhuruari i poetëve, i shkrimtarëve, i piktorëve. kënaqësia e admiruesve të ujit të ëmbël. Por Pogradeci njihet edhe si qytet i koranit, peshkut të rrallë që gjendet vetëm në këtë liqen, i verës artizanale dhe gatimeve tradicionale. E reja dhe e vjetra, modernia dhe tradicionalja bashkëjetojnë pranë njëra tjetrës. Ne, shtoi kryetari Kapri, do të realizojmë një turizëm gjithë vjetor dhe Pogradeci do të vizitohet dhe do të ketë pushues në të gjitha stinët. Miqtë që kishin ardhur në Pogradec patën gjatë gjithë ditës pas ceremonisë një agjendë të ngjeshur me veprimtari të shumta nga mëngjesi deri në orët e vona të darkës. Të gjithë të pranishmit me autobusë udhëtuan në drejtim të fshatit Lin me gadishullin e vogël dhe bazilikën e famshme, me mozaikun e Linit i ndërtuar në shekullin e 6 në kohën e perandorit Justinian. Më pas vizituan lagjen karakteristike të qytetit me kroin me shtatë sylynjarë që poeti Lasgush Poradeci i kushton vargjet e arta “Kroi i fshatit tonë”. Më pas të pranishmit ndoqën një program me recitime pranë monumenteve të dy kolosëve të letërsisë shqipe. Uji i kaltër i liqenit dhe plazhet janë një nga të veçantat e qytetit të Pogradecit. Shumëllojshmëria e tyre i vë pushuesit në dilemë, se ku duhet të ndalojnë. Është një vijë liqenore prej 24 km nga fshati Lin deri në Tushmisht. 
Tushemishti
Është një nga fshatrat turistike- model, i cili çdo verë mbipopullohet me të huaj. Në të gjithë fshatin është shtrirë turizmi familjar me kushtet nga më komodet. Plazhi i Tushemishtit është nga më të populluarit. Plazhi është ranor me një ujë të pastër dhe ka shumë hotele dhe lokale luksoze në breg të liqenit. Aty ndodhen shumë hotele luksoze me kuzhinë tradicionale dhe karakteristike pogradecare me një lulishte të sistemuar bashkëkohore mes karafilave dhe trëndafilave. Në mes të fshatit qëndron teto Ollga, Violeta Manushi e përjetësuar në bronz. 
Driloni
Një relaks i vërtetë nën mrekullinë e një pylli, në bregun e liqenit në një park gjigand prej 20 ha me lumin e Volorekës, në mes me ishujt të ndarë që mund të vozitësh me varkë përgjatë lumit dhe një gjelbërim të harlisur që të duket vetja sikur je në përrallat e Andërsenit. Aty ndodhen tre lokale që të servirin nga tavat tradicionale e koranit deri tek mishrat e pjekura në hell. Në këtë park vijnë vizitorë nga të gjitha rrethet dhe kalojnë orë të tëra në formën e një pikniku familjar.

Jeta e natës


Miqtë, pasi kanë shijuar drekën e shijshme dhe çlodhjen në hotel mbrëmja të afron një fresk karakteristik që në orët e mbrëmjes duhet edhe një triko rezervë. Surpriza të tjera janë shëtitorja buzë liqenit, me parkun e madh prej 340 mijë metra katrorë, lulishtet e shumta me muzikë live. Gjithashtu janë edhe tri disko midis tyre dhe një verore e porsa përuruar në breg të liqenit dhe dy të tjera në qendër të qytetit. Këtë vit, si asnjëherë tjetër, shëtitorja buzë liqenit gjatë 24 orëve do të jetë e bllokuar për makinat ajo do t’ju kthehet qytetarëve. Ka dhe një surprizë: Bashkia ka arritur që të sigurojë një traget për Pogradecin me ndihmë të holandezëve, i cili do të realizojë shumë shpejt ëndrrën për t’u lidhur me Ohrin e Strugën me anën e tragetit që do të niset nga Pogradeci në Ohër dhe Strugë dhe do të kthehet në Pogradec. Kjo nuk është si më parë ëndrra e një nate vere, por një realitet.
Çfarë mund të vizitoni në Pogradec

Qyteti i Pogradecit rezulton që në kohën e neolitit 6 mijë vjet përpara erës sonë. Ju që do të pushoni në Pogradec mund të vizitoni:
1. Kishën palokristiane dhe Mozaikun e Linit të ndërtuar në shekullin e V e VI të erës sonë.
2. Urën e Golikut, ura e rrugës Egnatia.
3. Kalaja e Pogradecit që i përket shekullit të V të erës sonë deri në shek XIX.
4. Kulla e Shpatit të Blacës, që ka një shtrirje kohore nga shekulli XII para erës sonë deri në shekullin e III të erës sonë.
5. Varret monumentale të Selcës që datojnë shekullin IV para Krishtit.

Gatimet

Padyshim që tava e koranit me zarzavate është një nga specialitetet që e kanë të gjitha lokalet në Pogradec. Në disa lokale korani mbahet i gjallë në vaska dhe gatuhet i freskët pasi është zgjedhur më përpara nga klienti. Edhe mish i pjekur edhe pulat e fshatit në gatime tradicionale nuk mungojnë në shumë lokale. Padyshim pijet karakteristike si vera artizanale dhe rakia perlë dhe muskat gjenden nëpër lokalet pogradecarë.

Pasaporta e qytetit të Pogradecit

Popullsia e qytetit me 55 mijë banorë në sezonin veror dyfishohet nga pushuesit vendas dhe të huaj. Qyteti ka një sipërfaqe prej 13 km2, rrugë të asfaltuar 14 km, sipërfaqe të gjelbëruar 340 mijë m2.

Emri –Liqen i Ohrit

Mosha- 4 milion vjeçare.
Gjatësia -30 km.
Gjerësia -14, 5 km.
Thellësia max – 289 m.
Bregu liqenor – 88 km.
Lartësia mbi nivelin e detit – 595 m.
Sipërfaqja e liqenit – 358 km2.
Tejdukshmëria e ujit -18 m, uji i liqenit ndërrohet një herë në 60 vjet.
Ushqimi -70 % liqeni ushqehet nga liqeni i Prespës dhe 40 lumenj dhe përrenj që derdhen në liqen.
Në liqen rriten 40 specie të rralla dhe mbi të gjitha peshku i rrallë i koranit që gjendet vetëm në këtë liqen.
Temperatura mesatare në verë, 27 gradë C.