Bardhyl Berberi/ Një lumë në Maqedoni po shkatërron liqenin e Ohrit, dëme dhe në pjesën shqiptare

551
Liqeni i Ohrit përfaqëson liqenin më të madh dhe më të bukur të rajonit. Duke pasur një moshë 4 milion vjeçare ky liqen përfaqëson një muze të vërtetë dhe të gjallë të relieveve endemike të florës dhe të faunës. 17 lloj peshqish që jetojnë në këtë liqen si më të njohurat: korani i famshëm unikal vetëm në këtë liqen, ngjala, belushka, krapi dhe cironka. Kjo zonë përfaqëson burimet e Drinit të Zi në Shën Naum që vazhdojnë me burimet e Tushemishtit dhe ato të Drilonit. Ujërat e kristalta, burimet e shumta, algat shumëngjyrëshe dhe pasqyrimi i pemëve që rriten atje i japin peizazhit një pamje magjike. Për shkak të vlerave universale, natyrore dhe kulturore, Liqeni i Ohrit në vitin 1980 është përfshirë në listën e trashëgimisë botërore që ruhen prej saj. Burimi i liqenit të Ohrit janë ujërat nëntokësore të liqenit të Prespës, i cili siguron rreth 70 % të ujërave të liqenit ndërsa pjesa tjetër nga 40 lumenj dhe përrenj që derdhen në të dyja anët e kufirit në liqenin e Ohrit. Këto janë karakteristikat që ky liqen nga viti 1980 është pasuri e UNESCO-s. Por studiuesit e shumtë qe merren me vlerat e këtij liqeni kanë ngritur plot probleme kohët e fundit duke e vënë në rrezik liqenin e Ohrit. Ing. maqedonas Mate Gogoski, që ka kryer shumë studime rreth liqenit të Ohrit shprehet për gazetën “ Telegraf “, se kanë vënë më së fundi dorën mbi një lumë në shtetin maqedonas që po e shkatërron liqenin e Ohrit sistematikisht çdo ditë, dhe çuditërisht vazhdohet që të heshtet rreth këtij fenomeni regresiv me pasoja tepër të rënda për këtë liqen. Derdhen miliona dollarë dhe euro për ruajtjen e kësaj perle të natyre dhe nuk vihet dorë mbi një lumë të sajuar nga pala maqedonase që derdhet në liqen me kimikate të fabrikave maqedonase dhe të helmeve të spërkatjes së pemishteve maqedonase përbri këtij lumi. 

Kush është lumi Sateska ?
Lumi Sateska buron rrëzë malit Bistra të Debërcës së Epërme në qafën e malit Presek në mes të komunave Ohër dhe Kërçovë .Ai në të kaluarën vinte deri Volinë ku dhe devijonte në të djathtë. Por në vitet 1960 me ndërtimin e hidrocentraleve mbi Drinin e Zi, duke u nisur në mënyrë të njëanshme për plotësimin e nevojave energjetike, u bë një kanal i gjatë rreth 5 km duke e kthyer lumin Sateska në liqenin e Ohrit me qëllim të rritjes së potencialit të ujit dhe të nivelit të liqenit për të prodhuar energji elektrike. Kështu thotë për gazetën ‘Telegraf “ing maqedonas Mate Gogoski. Nëpërmjet këtij lumi u futën në liqen 200 milion m3 ujë dhe më vonw u dëshmua se nuk iu arrit qëllimit për ta përdorur këtë lumë për energjetikë. Sateska humbi funksionin energjetik dhe krijoi vetëm probleme të shumta ekologjike. Kështu shpjegon ing Mate Gogoski ishte parashikuar ndërtimi i kulturave pyjore përgjatë rrjedhës së lumit dhe pyllëzim të sipërfaqeve për të penguar erozionin dhe me te të mbrohej liqeni dhe një gjë e tillë ngeli vetëm në projekt. Nga hulumtimet që i janë bërë lumit Sateska është vënë re se ky lumë mbart çdo vit 104 mijë m3 masë mbeturinash, shumëzoje këtë me 55 vjet dhe del qartë dëmi ekologjik duke shkatërruar fundin e liqenit. Me shtimin e popullatës në brigjet e liqenit Sateska sot mbart me vete shumë materiale kimike, mbeturina teknologjike dhe shumë mbeturina pesticidesh të cilat derdhen në këtë lumë. Ing maqedonas, Mate Gogoski si specialist i mirëfilltë në këtë fushë i cili ka kryer një studim të posaçëm, thotë se ka një degradim gradual të këtij ekosistemi. Me derdhjen e lumit Sateska në pjesën veriore të këtij liqeni, krahas zhdukjes së gjallesave ka ndryshime klimatike dhe edafike. Kështu për shembull nxehtësia e ujit të liqenit është ulur me 2-5 shkallë, fotografia e tabanit të liqenit e cila në këtë pjesë sillej me 100 -200m thellësi, sot ajo ka ndryshuar, kështu ajo zonë që ka qenë shumë e pasur më peshk në të kaluarën ajo sot është mbushur me siujdhesa dhe në pjesën veriore të liqenit gati është zhdukur çdo specie madje ka sjellë edhe ndryshimin e ngjyrës karakteristike blu të liqenit, duke e shpërbërë atë. Padyshim arsyeton specialisti maqedonas, nëse vazhdohet kështu çdo ndërmarrje e mëvonshme do të jetë e kotë. Liqeni është pjesë e trashëgiminisë pranë UNESKO-s dhe dy shtetet që e kanë në pronësi Maqedonia dhe Shqipëria duhet të jenë të angazhuara për t`a mbrojtur këtë liqen. Shoqata ekologjike “Enhalon “ në Strugë e cila është në mbrojtje të liqenit e ka shpallur lumin Sateska si një nga armiqtë e përbetuar që do të zhdukë liqenin e Ohrit. 
Degradimi i liqenit në pjesën veriore të tij është shtrirë edhe në pjesën shqiptare. Kjo shoqatë me specialistët më të mirë bëri një studim për ndikimin negativ të lumit Sateska në shkatërrimin e liqenit të Ohrit. Studimi u zhvillua nga njerëz kompetentë të kësaj fushe dhe u miratua nga Institucionet përgjegjëse, me të vetmen alternativë që kishte studimi që ky lumë të kthehej në shtratin e vjetër të tij, në Drinin e Zi, madje u caktua edhe dokumentacioni teknik dhe shpallja e tenderit. Në bazë të studimit për mbrojtjen e liqenit të Ohrit Banka Botërore akordoi rreth 5 milion dollarë por çuditërisht në projekt nuk u përfshi lumi Sateska. Gjithçka mbeti në letër! Ka ardhur koha, thotë specialisti Maqedonas Mate Gogoski, që ekologjistët maqedonas dhe ata të Shqipërisë, me pushtetarët respektove të dy vendeve dhe Ministrive të mjedisit që mblidhen aq shpesh duke konsumuar më shumë darka dhe dreka se sa projekte me bereqet, të shpëtojnë atë që mund të shpëtohet pasi nuk ka mbrojtje të liqenit të Ohrit përderisa Sateska të derdhet në të.
Sigal