Bardhyl Berberi: Në kujtim të Misto Markos, dramaturgut, historianit dhe mjekut personal të Lasgush Poradecit

542
Sigal

 

Dr.Mistua ishte simboli i njeriut të mirë, ishte mësuesi
ynë shpirtëror, kampion i qytetarisë, fytyra më e kulturuar e këtij qyteti e
shkrirë me një patriotizëm të madh. Ne i kemi të skalitura në mendje fjalët e
dr Mistos që thoshte: “Arti duhet të jetë madhështor, arti lartëson kombin,
kombin tënd duhet ta duash edhe kur ai të vret”

 

Pranë kishës së “Shën
Mërisë” në një  rrugicë karakteristike
pogradecare, fare pranë burimeve  ndodhet
shtëpia ku ka jetuar Misto Markua, i cili  kishte shkuar  në Amerikë pranë vajzës së tij pak vjet më parë.
Dr Mistua  njihet ndryshe edhe si mjeku
personal i Lasgush Poradecit, i cili e ka kuruar nga viti 1953 deri në vitin
1987, kur Lasgushi u nda nga jeta. Vlerësimi më i madh për çdo krijues është atëherë
kur mesazhet dhe veprat e tij bëjnë jehonë në thellësi të kohës, duke lënë
gjurmë të pashlyeshme. Dr Mistua i përket asaj gjenerate që, ndonëse ishte një
mjek shumë i mirë, pasioni për letërsinë dhe artin duke qenë edhe nipi i të
madhit Mitrush Kuteli, solli vepra dinjitoze që kanë hyrë në fondin e artë të
letërsisë shqipe. Misto Markua i njohur me emrin letrar (Mirosh Marka), u lind
në vitin 1926 në qytetin e Pogradecit. Mësimet e para i mori në vendlindje, më
pas shkollën e mesme kreu në Korçë dhe në Tiranë. Arsimin e lartë në degën e
mjekësisë fillimisht në Beograd dhe më pas e përfundon fakultetin në Bukuresht.
Krahas një mjeku të talentuar që mbante një qytet të tërë doktor Mistua paralel
vazhdon të lëvrojë edhe letërsinë. Me rastin e 30 -vjetorit të çlirimit shkroi
libretin e operetës “Zgjimi”, të muzikuar nga Tonin Arapi me të cilën u vlerësua
me çmimin e Republikës, më pas shkruan trilogjinë për Skënderbeun, Teatri
Popullor në Tiranë e vuri në skenë me sukses të madh dramën e tij “Besa e madhe”,
 po ashtu në Teatrin e Prishtinës u vu në
skenë me rastin e 100 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit . Në vitin 1982 Teatri
Popullor vuri në skenë me sukses të madh dramën “Udha e flamurit”  ndërkohë që pas dy vjetësh Estrada
profesioniste e Pogradecit me regjisor Mario Ashikun vuri në skenë komedinë:
“Vizita e miliarderit” deri tek romani i fundit “Një idil i këputur”. Për
krijimtarinë letrare Misto Markua në vitin 1985 është dekoruar me Urdhrin “Naim
Frashëri” .

  Është e
vështirë të flasësh për dr Miston, për ikonën e kulturës pogradecare dhe mbi të
gjitha ishte mjeku personal për gati 40 vjet i gjeniut të qytetit tonë Lasgush
Poradeci . Falë një miqësie  të hershme
familjare me dr Miston një buzë mbrëmje më tha : “Eja të takohemi, se nesër  do të nisem për në Amerikë, do të iki në
Amerikë tek vajza dhe do të vij,  po nuk
erdha dot, më kujtoni ndonjëherë,  ja këtu
tek këto rrapishtat buzë liqenit ku pinim kafe çdo ditë …”  Ike në  vjeshtë doktor, siç thoshe gjithmonë kur vinte
vjeshta në qytetin tonë: “Na erdhi ndryshku i vjeshtës”, ike larg atje në
Amerikë dhe ngele si Çajupi dhe shumë shkrimtarë të tjerë që ngelën në dheun e
huaj. Dr Mistua ka qenë simbol i njeriut të mirë në këtë qytet si mjek, dramaturg
e historian i shquar. Dr Mistua ishte simboli i njeriut të mirë, ishte mësuesi ynë
shpirtëror, kampion i qytetarisë, fytyra më kulturore e këtij qyteti e shkrirë
me një patriotizëm të madh. Ne i kemi të skalitura në mendje fjalët e dr Mistos
që  thoshte: “… arti duhet të jetë madhështor,
arti lartëson kombin, kombin tënd duhet ta duash edhe kur ai të vret” Ka qenë
mjeku i shquar që nuk ka lënë shtëpi pogradecare  pa vizituar të sëmurët. Ishte mjeku i parë që
në ato vite të para mbante një peshë shumë të madhe mbi supet e tij. Nuk ka
qytetar pogradecar që nuk e ka ndjerë stetoskopin e dr Mistos në trup, përkujdesjen
e tij dhe përkushtimin…!

 Ai i priste njerëzit në  spital, në shtëpi, në rrugë e iu jepte këshilla.
Ishte modeli i njeriut të mirë që kurrë nuk konfrontohej me njeri, por i qeshur
me buzë në gaz të priste e të përcillte është një model për tërë qytetarinë
pogradecare dhe më gjerë. Dr  Miston  ka qenë një ikonë e kulturës pogradecare, ne
do ta kujtojmë gjithmonë atë gur  të
çmuar të qytetit tonë që kanë shndritur në të gjitha periudhat. Është absurd që
ende spitali i qytetit nuk ka marrë emrin e Dr Mistos. Dr Mistua trupin e ka në
Amerikë, por shpirtin e ka në qiell dhe qielli është i përbashkët.  Doktor Mistua, merre  këtë  kurorë ndjenjash e respekti nga populli dhe
intelektualët pogradecarë që të deshën aq shumë, atje në Amerikë ku ke filluar
të prehesh prej disa kohësh më parë…Nëse ti do jetoje, tani do të ishe 90 vjeç.