Bardhyl Berberi: Maliq Menkshi: Kam qenë në Kuvend për 12 vjet, por më vjen turp me këta të sotmit

871
Në këto ditë të ftohta dimri, në tregun e shumicës, në dalje të qytetit, do të hasësh një fytyrë shumë të njohur, pranë një tezge. Është Maliq Menkshi, ish-deputet për 12 vjet në parlamentin shqiptar dhe Hero i Punës Socialiste, i cili shet aty sende të ndryshme kinkalerie. Ai buzëqesh dhe na thotë, se “mua nuk më vjen turp nga çdo lloj pune që mund të bëj…”. Ai pranoi të japi një intervistë ekskluzive për gazetën “Telegraf”, pasi, siç thotë ai, ka mbi 10 vjet që është lexues i rregullt i saj. 
Maliq Menkshi ka lindur në një fshat të thellë të Mokrës dhe që në moshën 12 vjeç ka filluar të punojë. “Fill pas klasës së shtatë, thotë ai, fillova të punojë si minator në Pishkash dhe më pas në minierën e Gurit të Kuq. Gjithmonë kam qenë në pararojë, ndonëse shumë i ri në moshë në vitin 1970 propozohem për deputet në zonën nr. 166 të Mokrës dhe zgjidhem deputet për tre legjislatura rresht nga viti 1970 deri në vitin 1982”.

– A mund të na thoni, se çfarë privilegjesh kishte atëherë një deputet? 
Privilegji i vetëm ishte, se kur shkonim në Tiranë për seancë parlamentare udhëtonim pa lekë me tren apo autobus dhe merrnim 40 lekë dietë në ditë, ku futej edhe fjetja edhe ushqimi që konsumonim gjatë ditëve që qëndronim në parlament. Rroga nuk kishim, siç kanë këta deputetët e sotëm. Kur mbaronte seanca parlamentare i hipja trenit dhe vija në Pogradec, hiqja kostumin e deputetit dhe vishja kostumin e minatorit dhe shkoja atje në ballë të galerisë, dhe nxirrja mineral hekuri. 

Cilat janë raportet, kur ju ishit deputet në kohën e monizmit me deputetët e sotëm? 
Të them të drejtën më vjen turp kur shikoj ato skena dhe atë karrige, ku unë kam qenë i ulur për 12 vjet. Ju rroftë shkolla deputetëve të sotëm se nuk kanë pikë etike e shajnë njëri-tjetrin nga nëna dhe motra, me libër shtëpie. Është ndërruar salla e parlamentit, por jo mendjet e deputetëve. Janë po ato sharje dhe po ajo gjuhë e ashpër. Po ju kujtoj një moment që në shtypin e kohës është shkruar shumë për një moment kur unë kam kundërshtuar Enver Hoxhën për problemet e tufëzimit në Kuvendin e Shqipërisë. Na ishte dhënë direktiva që duhej të bënim tufëzimin e bagëtive në të gjithë vendin. Unë si deputet i Mokrës dhe përfaqësues i tyre në Kuvendin Popullor nuk e zbatova këtë direktivë që ishte shumë e rëndë për Mokrën, e cila mbante frymën gjallë vetëm me blegtori. Kaluan muaj dhe informacioni i shkon dhe Enver Hoxhës. Në takimin e radhës në parlament, Enver Hoxha thotë: Le të ngrihet ai deputeti i Mokrës dhe të na thotë se pse nuk zbaton direktivën e Partisë. U ngrita unë në parlament dhe i argumentova Enverit se është e gabuar kjo direktivë, pasi Mokra është krahina më e thellë dhe fshatarët janë të varfër dhe më atë pikë qumësht dhe bulmet mbajnë frymën gjallë. Pasi qëndroi një moment Enveri tha: Mokrën mos e trazoni, deputeti i saj ka të drejtë. 

Zoti Maliq, si guxuat të thoshit një gjë të tillë? 
Është e vërtetë, ishte marrëzi e jo guxim që të kundërshtoje Enver Hoxhën, por unë nuk kisha asnjë privilegj. Çfarë do të humbisja, isha vetëm minator në ballë të galerisë, ndërsa këta deputetët e sotëm, i pari i maxhorancës apo opozitës i komandon si ato kukullat e kartonit. Po doli njëri nga rreshti i fluturon rroga, makina luksoze, bizneset që komandojnë. Unë isha minator që qëndroja në një shtëpi, me një dhomë e kuzhinë në katin e pestë. Tani para pak kohësh, me djersën e djemve emigrantë në Greqi, kemi bërë një shtëpi tjetër, kurse deputetëve të sotëm nuk iu numërohen vilat dhe hyrjet nëpër qytete të tjera apo në bregdet. A e di ti sesa deputetë e pushtetarë kanë bërë vila dhe kanë blerë hyrje në Pogradec, vetëm për të pushuar një muaj në verë? Vetëm një ndërtues që unë e kam mik më tha se u ka shitur mbi 50 hyrje luksoze, ku 20 prej tyre i kanë deputetët e sotëm dhe të tjerat pushtetarë. Madje ai më tha dhe emrat, por nuk ia vlen t’i kujtojmë me emra se janë shumë. Ku i gjejnë paratë ata? Është gjynah të abuzosh me këtë popull fukara. Deputetëve dhe politikanëve të sotëm do t’ju bjerë në kokë, atje ku nuk e presin, kur vjedhin djersën e popullit. 

Cili është mesazhi juaj për deputetët e sotëm? 
Në vend të mesazhit, po të tregoj një rrëfenjë interesante që ka ndodhur para shumë vitesh në Mokër. Ishte një çoban dhe merr një nuse nga një fshat fqinjë me mblesëri, siç ndodhte atëherë. Nusja që në fillim e kishte zakon që ta kundërshtonte për gjithçka burrin e saj. Kur ishte dimër, ajo linte dritaret e dhomës hapur, ndërsa ai i mbyllte dhe ajo i hapte prapë. Ai i kërkonte gjellën e nxehtë dhe ajo ia sillte të ftohtë. Mos e zgjat,gjithçka kundra asaj që i thoshte i shoqi. Një ditë bariu vjen nga mali dhe gunën e lagur e vendos mbi pus (kapakun e kishte të hapur) për t’u tharë. I thotë së shoqes që të mos ulej mbi gunën se e kishte lënë që t’i thahej. Por, gruaja që bënte gjithmonë të kundërtën e asaj që i thoshte i shoqi, shkon dhe ulet mbi gunë tek gryka e pusit. Gruaja bie në fund të pusit me gjithë gunën dhe mbytet. Mesazhin e këtij rrëfimi le ta zbërthejë vetë lexuesi, pasi iu shkon këtyre politikanëve tanë që shkojnë kundra njëri-tjetrit duke rrahur ujë në hava. Është e turpshme që për çdo gjë që shkon ters vijnë dhe na pajtojnë dhe orientojnë të huajtë, madje këmbëngulin ata që të realizohet ndonjë reformën siç është kjo e dekriminalizimit. E keqja më e madhe është se, mesa kuptoj unë, nga niveli i ultë që kanë një pjesë prej tyre; nuk kanë diplomë të rregullt, por e kanë marrë me lekë …Unë jam i bindur për disa prej tyre se dhe emrin e tyre e shkruajnë me gabime … Njoh një deputet nga të sotmit që kur shkruan bën një shkronjë prej shtypi e një prej dore. 

Z. Maliq, si mendoni ju për mënyrën, se si duhet të zgjidhet deputeti, me lista të hapura apo të mbyllura?
Po nuk e kuptoni ju, se këto lista e mbyllura na sollën kriminelët dhe trafikantët në parlament , është skandal nëse dhe zgjedhjet e ardhshme do të vazhdohet me lista të mbyllura, çdo parti të vendosi të sajët në çdo zonë të dalin përballë dhe populli ju pret kostumin sipas masës që ata kanë… Atëherë kur zgjidheshim ne, në kohën e Partisë së Punës, dilnim përballë në popull dhe bënim takime në zona… E them sinqerisht kot që bëjnë dekriminalizim, nëse nuk zhdukin listat e mbyllura, ato lista do të pjellin përsëri kriminelë e trafikantë, që drejtuesit e partive këta të fortë, që ju sjellin vota do t’i mbajnë si atë asin nën mëngë…
Sigal