Bardhyl Berberi/ HEC në Slabinjë: Jemi në rrezik të mbytemi, rrugët copë – copë

1389
Slabinja është një nga fshatrat e Mokrës së Poshtme. Fshatit prej disa vitesh i ka humbur qetësia dhe telashet nuk kanë të sosur. Në redaksinë e gazetës “Telegraf“ vijnë vazhdimisht ankesa, pasi ky HEC i ndërtuar në këtë fshat iu ka prishur keq cilësinë e jetës këtyre banorëve. Ka qenë KRRT-ja e Qarkut të Korçës para disa kohësh, e cila ka miratuar në të gjithë qarkun e Korçës, midis tyre edhe tre HEC-e në zonën e Mokrës dhe një në zonën e Gorës. Por lajmi më tronditës ka qenë ai i miratimit të një HEC-i në Slabinjë që në vitin 2008. Por ky HEC ka sjellë jo pak telashe tek banorët, të cilët( një pjesë prej tyre), edhe pse me një çmim qesharak ende nuk janë shpërblyer, mbi 20 pronarë të ligjshëm të tokave.

 Njëri nga pronarët e tokës që i është konfiskuar nga hidrocentrali Xhevat Balliu thotë për gazetën “Telegraf“ se pronarët, të cilët ne ende nuk i njohim kush është i vërteti, pasi aty ka vetëm një administrator nuk janë fare korrektë, na kanë marrë tokat dhe nuk na i paguajnë paratë, le që e kanë marrë me një çmim qesharak 1500 lekë të vjetra metrin katror, por dhe atë nuk e kanë paguar kanë dhënë vetëm një shumë të vogël tip kapari. Na vijnë e na kërkojnë firmat, sepse kërkojnë të hipotekojnë. Është e turpshme, thotë Xhevat Balliu të të marrin tokën në formën e grabitjes që nga viti 2008 dhe të mos të paguajnë, kur kanë kaluar më shumë se 8 vjet! HEC-i 2008, Slabinja ka një kanal të gjatë 8,5km të gjatë me tre tunele dhe me digë hidrocentrali në Losnik. Na është bërë fshati përshesh thonë banorët, na ka humbur uji i pijshëm dhe ai për vaditje nga shpimet e shumta dhe nga hapja e tuneleve. Por përveç këtij HEC-i në Slabinjë, i cili ka shkatërruar rrugët e fshatit dhe tokave të banorëve iu ka shkatërruar krejt strukturën e tokës. Ish-kryetari i komunës Fuat Fero thotë për gazetën “Telegraf”, se të gjithë banorët janë të shqetësuar, pasi në një fshat të vogël 160 shtëpi dhe 700 banorë të ketë hidrocentrale mbi kokë, do të thotë që jeta jonë të jetë në rrezik nga ndonjë shpërthim natyror i ujërave të tyre. 

Ne, thotë ish- kryetari i komunës Fuat Fero, i cili ka lënë mandatin katërvjeçar në zgjedhjet e qershorit, si pushtet lokal jemi përplasur me pronarët, por ata as që nuk duan që t’ia dinë me ndërtimin e HEC Slabinja, që u miratua në Qarkun e Korçës jemi më të rrezikuar se kurrë. Si mund të qëndrojë një kanal i gjatë 8,5 km i pambuluar, mbi një fshat dy rezervuarë me disa miliona m3 ujë. Janë mbytur dhjetëra kafshë të banorëve lopë, dele, kuaj në këtë kanal super të mbushur me ujë madje kur shtohen reshjet kanali shpërthen duke ju shkatërruar banorëve të gjitha të mbjellat që kanë Vijnë komisione nga prefektura mbajnë shënime dhe banorët asnjëherë nuk janë dëmshpërblyer. Lumi Shkumbin që kalon përbri fshatit është devijuar dhe përdoret për hidrocentralin. Ndërtimi njërit HEC në Slabinjë e ka shkatërruar fshatin, uji i pijshëm dhe uji për vaditje ka humbur e plot telashe të tjera. Uji i lumit Shkumbin është kthyer i gjithi në drejtim të hidrocentralit. Edhe rruga që të çon në fshatin Slabinjë në një gjatësi prej 1,5 km gjatësi është krejt e shkatërruar që nga ura e Tereziut deri në fshat. Është prishur tabani i rrugës dhe furgonat që vijnë nga Velçani në pamundësi të rrugës së prishur i bien Velçan – Laktesh një rrugë shumë më e gjatë, vetëm për të shmangur këtë aks nëpër Slabinjë. Në dimër është një tmerr thonë banorët. Por shteti, thotë një banor nuk të pyet, shteti të rreh, shteti të përmbyt shteti që jep këto leje skandaloze që përveç halleve të tjera, që kanë këta banorë ju shton edhe këtë hall mbi hall… Kjo ishte historia e HEC-it Slabinjë, banorët thonë se fjala Slabinjë vjen nga lashtësia nga luftërat që janë bërë në shekuj nga këta banorë. Gojdhëna thotë se nga luftërat shekullore në Slabinjë janë vrarë shumë djem. Disa kalimtarë pranë një burimi takuan një plakë të moshuar dhe e pyetën; Ku janë djemtë e fshatit nënë? ajo përgjigjet: S’ka – bij dhe nga kjo e ka marrë emrin Slabinjë, fshati i famshëm që është vizituar nga pashai i Janinës Ali Pashë Tepelena. Tashmë Slabinja s’ka lumë, ka përmbytje dhe s’ka rrugë…
Sigal