Bardhyl Berberi/ Gjurmët e shqiptarëve në Kostur

3253
Fare pranë kufirit shqiptar ndodhet një qytet magjepsës, tradicional qytet plot histori me trashëgimni dhe me civilizim. Kastorja (Kosturi siç njihet nga shqiptarët) ndodhet afër kufirit greko-shqiptar, në jug-lindje të Shqipërisë. Ky qytet shtrihet buzë liqenit me të njëjti emër, i cili duket që deperton thellë me vilat e bukura të qytetit deri lart në kodër duke e përkundur qytetin mbi valët e liqenit si mbi një djep. Sapo merr kthesën tek kodra hyrëse e qytetit ditën duket sikur një ortek i bardhë dëbore që ka rënë buzë liqenit ndërsa natën ngjan me një kaci prushi të derdhur. Fle natën në këtë qytet dhe të duket sikur e ke poshtë jastëkut liqenin si një ninull të bukur hipnotizuese. Klima e zonës është me dimër të ashpër dhe verë të freskët me vila rreth o rrotull liqenit dhe lule erëmira ka bërë që për këto cilësi ta quajnë si Montekarlon e Ballkanit. Sipas të dhënave qyteti është themeluar nga Perandori Justiniani në mes të shek.VI, me emrin Justinianopoli. Në shek. VIII quhet me emrin Kostur, fjalë sllave. Ndërsa disa shekuj më vonë diku në shek, XI historianët bizantinë e shënojnë qytetin dhe liqenin me emrin Kastorias. Për emrin Kastorias ka shumë teori rreth prejardhjes së fjalës. Disa studiues thonë që kjo fjalë lidhet me fjalën latine Castra (kështjellë) që në greqisht pëson përshtatje në Kastro. Një teori tjetër që duket edhe për e kapshme është se fjala Kastorias rrjedh nga fjala greke Kastor duke patur parasysh që ndër shekujt në këtë qytet gjenden punishte të përpunimit të leshit, kastorëve, gunave të ndryshme që shiten nëpër vendet e ndryshme të botës.duke qënë më të preferuarat si nga ana cilësore po ashtu dhe për elegancën e tyre. 
Kastoria (Kosturi) dhe shqiptarët 
Kosturi dhe fshatrat e tjera përreth tij për shumë vite kanë qenë sunduar nga shqiptarët, në fillim nga Despot Andrea II Muzakët. Pas vdekjes së tij e trashëgoi këtë qytet djali, Stojë Muzaka (në kishën e Shën Athanas Muzakë të ndërtuar në shek. XIV në Kostur janë shënuar emrat e vëllezërve Teodor dhe Stojë Muzaka). Muzakajt e morën Kosturin pasi mundën Marko Kralin. Pas Muzakajve Kosturi ka qenë në zotërimet e Ballshajve të cilët nëpërmjet lidhjeve të martesave futën nën sundimin e tyre vise nga Lezha, Mati, Kosovën, Dibrën, Ohrin, Kosturin etj. Në vitin 1385 qyteti ra në duart e osmanëve të cilët e zotëronin deri në fundit të vitit 1912, kur grekët e çliruan atë. Prefektura e Kosturit në fillim të shek.XIX udhëhiqej nga bejlerët shqiptarë myslimanë të cilët gëzonin mbështetjen e fortë të Ali Pash Tepelenës. Në vitin 1870, Korça u bë Prefekturë e cila kishte nën juridiksionin e saj edhe nënprefekturat e Kosturit, Bilishtit e Kolonjës. Pas luftërave të ndryshme botërore dhe ballkanike grekët përfituan më shumë, ata kryen masakra kundër minoriteteve më të vogla të cilat ishin të pambrojtura duke djegur e shembur shtëpitë dhe objektet e ndryshme fetare si xhamitë, teqet, medresetë dhe sinagogat. Me nënshkrimin e Marrëveshjes së Lozanës më 1922 për shkëmbimin e popullsisë greke dhe turke, grekët spastruan Greqinë e sotme nga elementi shqiptar që banonin ndër shekuj në tokat e tyre në Çamëri, Kostur, Follorinë, Edesa etj.. Pas viteve 1922, pamja e qytetit të Kosturit me fshatrat përreth ndryshoi nga një qytet multietnik që banorët i përkisnin etnive dhe besimeve të ndryshme fetare, ai u kthye në territor që i përkiste tashmë vetëm grekëve. Dhe pak ato familje shqiptare që i shpëtuan dëbimeve masive u asimiluan dangadalë me dhunë. Ndërsa hebrenjtë gjatë Luftës II Botërore iu dorëzuan gjermanëve të cilët i zhdukën nëpër kampet e shfarosjes. Bullgarët dhe sllavomaqedonasit u dëbuan gjatë luftë qytetare greke 1946-1949. Sot ka disa fshatra të braktisura ku gjendet vetëm shtëpi bosh dhe pronarët e tyre nuk kanë mundur të rikthehen asnjëherë, qoftë edhe si turistë. Sot , ky qytet i përket Prefekturës me të njëjtin emër me rreth 55 mijë banorë të cilët janë të deklaruar zyrtarisht 100% grekë të fesë ortodokse. Por në të vërtetë siç e thamë më lart në fillim të shek.XX në Prekturën e Kosturit banoni mijëra qytetar të kombësive dhe sekteve fetare të ndryshme. Për fat të keq nuk janë ruajtur asnjë objekt fetarë qoftë edhe për muze për vlerat e lartat historike dhe kulturorore. Kosturi sipas regjistrimeve osmane të vitit 1886 ka patur 52.000 mijë të krishterë, 24.000 mijë myslimanë dhe 4.000 bullgarë, të cilët jetonin në 100 fshatra të krishtera dhe 34 fshatra myslimane. Në qytetin e Kosturit jetonin më 1900, 1.600 myslimanë, 3.000 grekë të krishterë, 300 bullgarë, 300 shqiptarë të krishterë, 750 hebrej dhe 240 ciganë. Sipas disa të thënave bazuar në regjistrat greke thuhet se qyteti i Kosturit më 1925-1926, kishte 1.100 shtëpi greke, 430 shtëpi ku banonin mysliman shqiptar, 140 familje hebrenj, të cilët jetonin të bashkuar në një lagje ku kishin një shkollë, një bibliotekë dhe një banjë për femrat. Ndërtesa e shkollës hebreje u prish më 1960 për të zhdukur tashmë çdo gjurmë të kulturës së saj, ashtu siç u zhdukën vite më parë edhe ndërtesat fetare e shkollore turke, shqiptare dhe bullgare.Kosturi ka pasur rreth shtatë xhami, ndër to përmendim xhamia Kursum, xhamia Tambaxhane, xhamia Hasan, xhamia Kulla, xhamia Mehmetit si dhe Teqe me emrat Ali Baba, Ajdin Baba dhe Qazim Baba. Ka patur një shkollë urbane dhe një Medrese. Në regjistrimin e vitit 2001, qyteti i Kosturit kishte 14.813 banorë, të gjithë grekë. 
Ndërrimi i emrave shqiptarë dhe statistika zyrtare e tyre 
Studiuesit prof. Selman Sheme në një punim të tij të kohëve të fundit shkruan se në Prefekturën e Kosturit pasi grekët e morën nga osmanët kishte 38 fshatra që banoheshin nga shqiptarët e krishterë dhe mysliman. Arbëreshi Prof.Antonio Bellushi, i cili është një nga studiuesit e shqiptarëve të Greqisë, në vitin 1995 shkruan se në Prefekturën e Kosturit ka nëntë fshatra që flitet ende gjuha shqipe si në Amudhara, Argos Orestikon, Dhendrohorin, Hiliodhendro, Hiriollovon, Kastoria, Koromila, Mesopotamia, Thihilion. Nëse shikon hartën e publicistit e studjuesit të njohur grek Dhimitri Lithoksus i cili ka ndërtuar një hartë të fshatrave të Kosturit sjell të dhëna se shtatë fshatra janë myslimane dhe dy të krishterë, të banuar nga shqiptarët të cilët u dëbuan pjesa më e madhe nga grekët pas vitit 1922. Në tokat dhe shtëpitë e shqiptarëve u vendosën refugjatët grekq të ardhur nga Azia e vogël, por edhe popullsi vllehe. Pra, pësuan fatin e njëjtë si popullsia shqiptare nga Çamëria të cilët pasi u masakruan dhe i përzunë, qeveria greke vendosi popullsi të krishterë të ardhur nga Azia e vogël. Le të vazhdojmë me argumentat e publicistit grek Dhimitri Lithokus, i cili shkruan: Fshati Sliveni, më 1920, ka qenë fshat i pastër shqiptar mysliman me 430 banorë. Në fletoren zyrtare numër 156 e 8 gushtit 1928, shënohet se ka patur 60 shtëpi që banonin 460 shqiptarë myslimanë dhe 81 familje greke të ardhur nga Azia e Vogël të njohur me emrin Pondios, pas vitit 1922. Fshatit më 1928 iu ndërrua edhe emri nga Sliveni në Koromil. Gjithashtu në 1924 fshati Vicista kishte 300 shqiptar që banonin në 35 shtëpi të cilët u larguan dhe në vend të tyre u vendosën 130 grek nga Azia e Vogël. Po ashtu Mirosllavica është një fshat i vogël i banuar më 1900 nga 230 shqiptarë myslimanë. Në rregjistrimin e 1920 numri zvogëlohet si pasojë e ikjes së tyre në 85 banorë, të gjithë shqiptarë myslimanë. Më 1928 fshatit iu ndërrua emri nga Mirosllavica në Milovlitis. Më 1932 Eurostati regjistroi 21 familje shqiptare, më 1940 shqiptarët e braktisin fshatin nga presionet dhe vrasjet, në shtëpitë e tyre u vendosen barinj vlleh. Edhe fshati Shak, më 1900 ka patur 550 banorë shqiptarë të fesë islame, dhe më 1910, 600 banorë, më 1913, 632 banorë dhe 1920, 690. Në vitin 1926 në këtë fshat vijnë 69 familje greke nga Azia duke u vendosur në shtëpitë e 95 familjeve të shqiptarëve myslimanë të cilët e braktisën fshatin nga dhuna e shtetit grek. Më 1928 fshatit iu ndërruar emrin nga Shak në Komninadhes po kështu ka ndodhur me Lehovën, Terstikën, Revanin etj. Megjithatë qëllimi ynë kryesor nuk ishte që të zbardhim historinë e themelimit të këtij qyteti, por të sjellim fakte edhe me anë të disa fotografive të bëra në fillim të viteve 1900, ku na paraqitet një Kostur multietnik, qytetarët që jetonin në harmoni duke respektuar njeri-tjetrin. Dëshmi e pranisë së shqiptarve në Kostur e provon në restorant apo dyqane kur e kuptojnë se je shqiptar të flasin shqip me një dialekt të pastër. Me një buzëqeshje nën zë ata të thonë kur nuk ka njeri tjetër në dyqan apo restorant apo kafene se janë shqiptarë të hershëm në këto troje që i kanë rezistuar asimilimit grek dhe e kanë ruajtur me fanatizëm gjuhën e nënës të prejardhjes shqiptare një fakt që të ngazëllon.
Sigal