Bardhyl Berberi/ Gërmadhat e qendrës së qytetit turistik të Pogradecit

1156
Pogradec – Kanë ardhur në ekskursion me shkollën nga një fshat i Fierit dhe dy 16 vjeçare A.S dhe I.M kanë përfunduar në spitalin e qytetit me plagë në kokë nga disa mbeturina të çatisë së turizmit të vjetër të cilat kanë qenë duke ecur në trotuar. Fatmirësisht kanë shpëtuar vetëm me qepje në kokë dhe pas mjekimit kanë lënë spitalin. Vendasit e dinë rrezikun dhe nuk kalojnë tek ky trotuar dhe kjo ndodh me vizitorët të cilët nuk e dinë që një gërmadhë e madhe rrënohet çdo ditë duke rrezikuar jetën e kalimtarëve. Pogradeci është një qytet turistik që çdo verë i dy-tre fishohet popullsia me pushuesit e shumtë të ardhur nga vendi dhe ata të huaj, por krahas arritjeve dhe të veçantave që ka qyteti çdo verë ai prej disa kohësh fare pak larg qendrës së tij përballet më një sërë gërmadhash që tashmë jo vetëm që e kanë shëmtuar së tepërmi, por po bëhen rrezik për kalimtarët e rastit, siç ndodhi rasti i mësipërm, por ky nuk është rasti i parë dhe i vetëm që kalimtarë plagosen nga kjo gërmadhë e quajtur turizmi i vjetër me pamjen e tij më të shëmtuar.
Ndërtesa aq luksoze që dikur ka pritur deri tek kryeministra të vendeve të ndryshme të botës me një lulishte me lule erëmira dhe jargavanë, aty ku çdo ditë qëndronte me orë të tëra poeti i madh Lasgush Poradeci …Lulishtja me pemët e shumta dekorative është shkatërruar krejtësisht dhe nëse pemët do të kishin gojë do të ulërinin për këtë gjë. Një i moshuar thotë se është transformuar aq shumë saqë na duket se e kemi harruar se si ka qenë. Madje na vjen turp t’u themi vizitorëve kur vijnë se ky është ai turizmi luksoz që kishte orkestrën famoze të vëllezërve Darova siç njiheshin në atë kohë Bitëllsat e Pogradecit. Tashmë ndërtesa rrënohet çdo ditë dhe rrezikohet jeta e qytetarëve që kalojnë në trotuar sepse ka mundësi që t`u bjeri mbi kokë…Dhe përsëri duhet të ecësh edhe pak metra që të arrish në një ngrehinë tjetër. Por nëse e para është ndërtuar që në vitet `20 kjo ngrehinë tjetër është ngritur në vitet `80 dhe është përuruar me pompozitet nga ish anëtarja e byrosë politike Lenka Cuko në vitin 1986. Ndërtesa ishte bar- restorant dhe në popull njihej me emrin “Oktapodi”, nisur nga forma e tij e ndërtesës shumëkombëshe, por në vitet e tranzicionit ndërtesa u masakrua dhe ka mbetur shumë e shëmtuar.
Ajo tani kryen funksionin e banjave publike pasi qyteti me 50 mijë banorë ka vetëm një banjë publike buzë liqenit. Të dyja këto ndërtesa shtrihen njëra pas tjetrës në km 0 nga qendra e qytetit dhe askush nuk e di fatin e tyre. Pamjet e shëmtuara të sjellin një dhimbje të veçantë kur sheh nga fotot e arkivit se si kanë qenë ato dikur. Por gërmadhat të ndjekin edhe në pjesën më të bukur të qytetit tek shtëpitë e pushimit të ushtarakëve. Zv. Kryetari i Bashkisë, Paskalino Ziko, thotë se Bashkia e qytetit është e pafuqishme ndaj këtyre gërmadhave pasi atyre ju kanë dalë pronarët por gjithsesi, ata ende nuk po venë dorë për shkak të mosmarrëveshjeve midis tyre për ndarjen e këtyre pasurive.
Sigal