Bardhyl Berberi/ Epidemia e shkatërrimit të veprave ujitëse në Korçë

67
Çfarë po ndodh me veprat ujitëse? Le të ndalemi në dy rezervuaret e Mujazës të ndërtuara në vitin 1983 në Mokër të Pogradecit, njëri me 5 milion m 3 ujë kurse tjetri me 3 milion m 3, të cilat kanë qënë vepra të pesëvjeçarit. Janë shkatërruar krejt sifonet dhe janë prerë me troko tubacionet e çelikta duke lënë mbi 20 fshatra në Mokrën e Sipërme që vaditeshin nga këto dy rezervuarë pa vaditje. Fermërëve të kësaj zone iu thanë krejt prodhimet këtë verë. Persona ende të paindentifikuar kanë shkatërruar sifonet e ujësjellsit duke boshatisur krej dy rezervuaret dhe pasi kanë marrë sasira të konsiderueshme peshku kanë shkatërruar krejt tubot e çelikut duke i prerë me troko dhe duke i marrë me kamiona për skrap! Makina kalon mes përmes fshatit dhe të gjithë mbajnë sehir… Ku është policia? Po menaxhuesit e këtyre rezervuarve ku janë? Po banorët e 20 fshatrave që po i u zhuriten prodhimet për një pikë ujë? Kështu vetëm në Qarkun e Korçës për vitin 2005 – 2013, sipas Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë, janë investuar nga qeveria gjashtë milionë dollarë, duke vënë nën ujë edhe 5.000 ha tokë fushore. Veçanërisht, duke ditur që rreshjet në këtë rajon janë të pakta, mesatarisht 730 mm në vit e kryesisht nga nëntori në prill, ç’ka përbën një element kufizues klimatik, për të plotësuar nevojat e bimëve me ujë, Bordi i Ujitjes dhe Kullimit ka si prioritet të punës së tij, rritjen e mëtejshme të kapacitetit ujëmbledhës dhe kujdesin e menaxhimin e veprave ujitëse.
Shtohen vjedhjet dhe dëmtimet
Drejtuesit e Bordi në Korçë thonë se “kohët e fundit janë shtuar shumë, vjedhjet e dëmtimet në veprat ujitëse, si tubot metalike të stacioneve të pompimit, tubot metalike të sifonave të kanaleve ujitës që marrin ujë nga ujëmbledhësit, priza e porta metalike të këtyre kanaleve etj. Elementë keqbërës vodhën portat e rregullatorit si dhe pjesët metalike të stacionit të pompave të Maliqit, saraqineskë dhe priza të kanalit ujitës të ujëmbledhësit të Gjonçit në rrethin e Ersekës, tubacionet e stacioneve të pompave në rrethin e Korçës, Kolonjës e Devollit, pjesët prej bakri në stacionin e pompave në Gurras si dhe tubacionin e sifonit në Gështenjas të rrethit të Pogradecit, tubacione të sifoneve të kanaleve ujitës të ujëmbledhësve Sellcë – Bilisht, Poloskë, Gracë – Baban në rrethin e Devollit etj”. Pra “epidemia” e grumbullimit të hekurit për skrap, po nxjerr jashtë funksionit veprat ujitëse dhe kërcënon seriozisht të ardhmen e prodhimit bujqësor, thotë për gazetën “Telegraf” Shaban Doko – menaxher i O.P.Ujit, Qendër Bilisht. Si është e mundur, pyet ai, që të vidhet në mes të ditës tubo sifoni 300 inç dhe 40 metro e gjatë, në Dollkovic, pranë Bilishtit dhe të mos dëgjojë askush zhurmën e trokove që e shkurtojnë atë, apo të mos shohë mjetin që e transporton për biznes, në pikat e grumbullimit të hekurit”?!
Asnjë i ndëshkuar nga policia dhe prokuroria
Shabani bëri denoncimin e radhës, në Komisariatin e Policisë në Devoll, ashtu si përfaqësues të pushtetit lokal kanë denoncuar dhjetra herë vjedhjen e kapakëve metalikë të pusetave të ujrave nëpër bulevardet e qyteteve, ish-fabrika e uzina, automjete, bunkerë etj.etj. por keqbërësit nuk janë ndalur edhe kur në ndonjë rast e kanë paguar nga pakujdesia me jetën, ashtu si para pak kohësh një i ri nga fshati Vashtëmi, teksa preu telat në kabinën elektrike të Bulgarecit. Dhe këta keqbërës, që bëjnë vërtet krim, duke shkatëruar vepra që popullit edhe shtetit i kanë kushtuar miliona, mund të mos kapen, mund të kenë “ikur në drejtim të pa ditur”, siç shkruhet nganjëherë nëpër procesverbalet e konstatimit, por ajo çka është vjedhur në këtë rast dihet nga të gjithë ku shkon. Destinacioni i hekurit për skrap, janë subjektet që merren me mbledhjen dhe riciklimin e mbetjeve urbane e industriale. Shqipëria në gjithë territorin e saj ka 86 të tilla, një prej të cilave në Korçë. Grumbulluesit qarkullojnë gjithandej, madje bërtasin: “Hekurishte për të shitur! Mbledhim hekurishte”! Të tjerë gërmojnë në mes të ditës nëpër kazanët e mbetjeve urbane në qytet, për kanaçe. Natyrisht këto janë sasi të pa përfillshme e sado “duar” që të ndrojë malli udhës, përsëri do të shkojë në “Kurum” të Elbasanit, i cili është destinacioni i fundit, si blerësi më i madh në vend, me rreth 3 milionë ton skrap në vit, siç mund të shkojë në Kavadarski të Maqedonisë, apo në Selanik. Por në kufi ka doganë, kurse në Elbasan, ku shkarkohen automjetet me ngarkesë hekurishtesh, nuk ka një të tillë e në asnjë rast e nga asnjë subjekt nuk kontrollohet “origjina” e mallit. Kjo i ka dhënë përmasa të pa para “ epidemisë së skrapit” në Qarkun e Korçës e nuk është çudi që ndonjë ditë, dikush nga policët tanë të mbetet pa kobure. Ligji dënon si vjedhësin, ashtu edhe atë që e ndihmon atë, duke blerë mallin e vjedhur, siç mund të verë masa shtrënguese, apo “task forcë” edhe për këto “subjekte”, të cilat në emër “të riciklimit të mbetjeve”, në vend që t’i venë shoqërisë vetulla, po ia nxjerrin asaj edhe sytë.