Banorët ndërtojnë me 800 mijë lekë rrugën që sipas inxhinierëve kostonte 100 milionë

527
Sigal

DURRËS/ Të braktisur nga pushteti qendror dhe ai lokal qindra familje në Kodër Vilë zgjidhin përkohësisht problemin e tyre

Banorët e Kodër Vilës e kanë ndjerë veten të braktisur nga pushteti lokal dhe ai qendror. Pas shumë trokitjeve në Bashkinë e Durrësit për t’ju zgjidhur situatën kritike të krijuar me shembjen e rrugës së vetme që kalohet, ata kanë vendosur që të mbledhin shuma lekësh nëpër familjet e zonës së Kodër –Vilës për të ndërhyrë në një zonë, e cila nga rrëshqitjet e ndodhura herë pas here, është bërë e pakalueshme rrugën për mjetet. Gjendja është tepër e rëndë, thonë banorët, sidomos në rast se bie zjarr në ndonjë banesë dhe mungon rruga e duhur për të kaluar mjetet e ndihmës emergjente. Banorët kanë mbledhur një sasi lekësh dhe kanë filluar betonimin e një ure provizore që të mundësojë së paku kalimin e mjeteve të vogla në afërsi të zonës, ku ka rrëshqitur dheu. I mblodhëm vetë thonë ata me kontributin e familjeve të varfra, pasi askush nuk na është përgjigjur për të na e zgjidhur hallin tonë. Para disa ditësh shirat e rëna e kanë përkeqësuar situatën dhe kanë rënë në thellësi të kodrës një sasi dherash, të cilat kanë bërë edhe shembjen e konstruktit prej betoni të urës provizore të ndërtuar nga  Bashkia para disa viteve, po në një situatë emergjente rrëshqitjesh. Atje duken me sy të lirë blloqet e dëmtuara nga cedimi i dherave si dhe pishat që janë shtrirë thuajse horizontalisht me tendencë rrëshqitjen drejt fundit të Kodër Vilës. Ndërkohë betonierat kanë filluar punën dhe po shtrohen shtresa rrjeta teli prej hekur betoni. Banorët shpresojnë se kjo do t’i mbajë pak me “oksigjen shpresë” për pak kohë. Riza Lamaj, banor i kësaj zone, i ardhur rreth 16 vite më parë  nga fshati Corogjatë i Beratit thotë se, “pasi jemi përplasur disa herë zyrave të Bashkisë, mblodhëm vetë fonde për ta parandaluar rrëshqitjen drejt detit. Kemi nevojë për ndërhyrje urgjente, -thekson ai, pasi në se kjo nuk ndodh shpejt, do të ketë pasoja katastrofike. Për këtë Bashkia duhet të vërë dore patjetër”. Kemi bërë disa herë kërkesa dhe peticione, por deri tani s’ka pasur asnjë reagim shprehen banorët e tjerë. “Shkuam edhe këtë vit -thekson Rizai- por nuk na dhanë zgjidhje”. “Kemi vite që vuajmë. Në Bashki na ka pritur mirë kryetari Vangjush Dako, por na dërgoi një inxhinier dhe pasi studioi zonën na tha se, nuk bëhet gjë, pasi duhet një investim i madh prej 100 milionë lekësh. Këtu s’mund të kalojë asnjë zjarrfikëse nëse digjet një banesë dhe botet me ujë. Tek shembja e rrugës më tej kam ndërhyrë me fëmijët e mijë dhe e kam mbushur me karroca dore. Po këtu poshtë ndërtesës së vilës është e domosdoshme një ndërhyrje me zgjerim rruge me pilotë. Është problem se nën trasenë e rrugës që po shembet kalojnë edhe tubacionet e ujësjellësit si dhe kabllot e korrentit”, -tha Rizai.

Zgjidhja

Kjo zonë e lagjes Nr. 1 të Durrësit ka mbi 2000 banorë, të cilët pa urën ndjehen në mëshirë të fatit. Banorët kanë marrë një inxhinier ndërtimi, banor i lagjes, i cili i ka orientuar për ta zgjidhur ndërhyrjen e përkohshme teknikisht. Ata kanë mbledhur rreth 700-800 mijë lekë, me të cilat mendojnë se, do ta zgjidhin hallin për disa muaj, por Bashkim Gjana, një tjetër banor i zonës, thotë se, për këtë punë duhet të ndërhyjë Bashkia me domosdoshmëri, pasi vetëm ajo ka mundësi që të bëjë zgjidhje afatgjatë dhe të kualifikuar teknikisht. Këtu luhet me fatet e njerëzve thotë ai dhe për këtë kërkohet përgjegjshmëri nga ky institucion.

Rrëshqitjet e dherave, fenomen i pas vitit 2000

 Përgjatë kodrave të qytetit, deri në fillim të viteve ‘90-të, lejohej vetëm ndërtimi i shtëpive të ulëta, ndërkohë që me shumë rreptësi kryhej pyllëzimi dhe gjelbërimi i çdo sipërfaqe të lirë. Kodrat përgjatë bregdetit të Durrësit janë, përgjithësisht, kodra argjilore dhe me shtresëzim të paqëndrueshëm. Kjo bën që rreziku i rrëshqitjeve të jetë i pranishëm. Por, pas vitit 2000, kur ‘shpërtheu’ edhe “bumi” i ndërtimeve, mbaruan edhe masat. Numri i shtëpive u shtua shumë shpejt, ashtu siç nisi të zvogëlohej gjithnjë e më tepër gjelbërimi. Edhe pemët nisën të rralloheshin. Kjo solli edhe rrëshqitjet e dherave. Për herë të parë, rrëshqitjet e dherave u regjistruan rreth 10 vitesh, fare pranë një banese dy-tre katëshe në fillim të Kodër Vilës. Në atë kohë, pati një ndërhyrje dhe u ndërtua një strukturë mbrojtëse, e cila pengoi rrëshqitje të tjera. Por, fenomeni nisi të përhapej, duke u bërë gjithnjë e më i shpeshtë. Për fat të keq, dy-tre vitet e fundit, ai është bërë mëse i zakonshëm në zonën e Currilave. Para disa vitesh, kur rrëshqitjet nisën të bëheshin të shpeshta, administrata e Bashkisë hartoi edhe një plan për mbrojtjen e zonës. Ky plan nuk u vu kurrë në zbatim, as plotësisht e as pjesërisht. Dhe, rrëshqitjet vijojnë. Këtë vit ato kanë qenë shumë më të shpeshta dhe shumë më të mëdha.