Banorët kërkojnë mbylljen e fushës së paligjshme të depozitimit, në Sheq të Fierit

959
Sigal

Hedhja dhe djegia e mbetjeve urbane në një venddepozitim të paautorizuar pranë qendrës së Fierit, ka alarmuar banorët dhe mjedisorët, të cilët kërkojnë ndërhyrjen e bashkisë për mbylljen e saj dhe sigurimin e shëndetit.

Një organizatë mjedisore dhe banorë të lagjes Sheq në Fier japin alarmin, se një fushë depozitimi mbetjesh, 50 metra nga zona e banuar dhe 3 kilometra nga qendra e qytetin përbën rrezik për shëndetin e banorëve dhe dëmtimin e mjedisit. Organizata mjedisore “Eden” vërejti se shkarkimi i mbetjeve në vend të hapur, si dhe djegia e tyre përbëjnë një potencial të rrezikshëm të dëmtimit të shëndetit dhe venddepozitimi i paligjshëm që funksionon prej dekadash duhet të mbyllet. “Bazuar në situatën aktuale të emergjencës, i drejtohemi Kryetarit të Bashkisë Fier, si autoriteti publik përgjegjës dhe i ngarkuar nga ligji me detyrën e menaxhimit të integruar të mbetjeve, të marri masën urgjente të mbylljes së vend depozitimit të mbetjeve urbane në Sheq, Fier dhe rehabilitimit të plotë si një vend depozitim, i cili funksionon pa leje mjedisore, në kundërshtim të plotë me kuadrin ligjor dhe që shkakton ndotje mjedisore të jashtëzakonshme,” tha qendra “Eden” në një njoftim për shtyp. Organizata gjithashtu ngriti shqetësimin se kjo ndotje ka shkaktuar 570 pacientë kronikë me probleme shëndetësore në rrugët e frymëmarrjes në qendrën shëndetësore nr. 1 të Fierit. Kontaktuar nga BIRN, Bashkia Fier tha se ndërtimi i inceneratorit ishte zgjidhja e situatës, parashikuar edhe në strategjinë e njësisë vendore për zhvillimin e qëndrueshëm. “Deri në ndërtimin e tij nuk kemi zgjidhje tjetër,” u shpreh bashkia. Megjithatë mjedisorët thonë se inceneratori nuk është zgjidhje për detyrimet e bashkisë Fier ndaj qytetarëve. “Bashkia Fier nuk ka një plan lokal për menaxhimin e integruar të mbetjeve duke shkelur ligjin. Incineratori nuk paraqet një zgjidhje në lidhje me detyrimet që ka Bashkia Fier për vendepozitimin dhe me banorët e zonës Sheq përderisa nuk është marrë ende një vendim për mbylljen dhe rehabilitimin e zonës,” përfundoi Eden, duke paralajmëruar ndjekjen e çështjes në rrugë administrative dhe gjyqësore. Një dokument i vitit 2016 nga Bashkia Fier pohon se situata aktuale e venddepozitimit prej 6.2 hektarësh në afërsi të qytetit është shumë problematike. “Mbetjet shkarkohen në terren të hapur dhe hera-herës digjen. Trajtimi dhe eliminimi i tyre ende është shumë problematik, pasi kjo fushë është në përdorim prej më shumë se 40 vitesh, shumë pranë vijës ujore të Vijës së Ngjalës, ku toka është argjilore pa kullim dhe e parrethuar,” thuhet në dokument. Me një prodhim ditor mbetjesh urbane prej 100-137 ton Bashkia shprehet se nga analiza në terren situata shërbimi i menaxhimit të mbetjeve nuk ofrohet rregullisht në të gjithë territorin e Bashkisë së re Fier dhe nuk përmbushur kërkesat e komunitetit për menaxhim mbetjesh. Megjithatë, planet e qeverisë për ndërtimin e inceneratorëve që do të bëjnë djegien e mbeturinave janë pritur me habi dhe kritika nga mjedisorët, të cilët i shohin ato si të panevojshme për prodhimin e pakët të plehrave në Shqipëri, të cilat përmes mirëmenaxhimit dhe riciklimit mund të ofrojnë zgjidhje për qytetarët. Banorët e zonës ku është planifikuar ndërtimi i inceneratorit si dhe të vetë qytetit të Fierit kanë protestuar ashpër gjatë muajve të fundit ndërtimin e tij. Edhe Bashkimi Europian në progres-raportin e prillit 2018 kritikoi qeverinë për ndërtimin e inceneratorëve duke i quajtur ato “shqetësim në termat e respektimit të parimeve të BE-së për shkak se groposja dhe incenerimi janë opsionet më pak të pëlqyera të menaxhimit të mbetjeve.” Inceneratori i Fierit do t’i kushtojë taksapaguesve 4 miliardë lekë përgjatë gjashtë viteve të kontratës së koncesionit. Ndërtimi i inceneratorëve vjen në një kohë ku në Shqipëri vijon debati i ashpër mbi lejimin apo jo të importimit të mbetjeve në Shqipëri, ku aktivistët kanë shprehur shqetësimin se vendi ynë mund të kthehet në një gropë për plehrat e Europës. Ligji që lejon importin e mbetjeve “për rekuperim” në Shqipëri, ku rekuperimi përfshin edhe shfrytëzimin e përmbajtjes energjetike të mbetjeve përmes incernerimit, u rikthye në Kuvendin e Shqipërisë nga Presidenti Bujar Nishani në tetor dhe ka mbetur i bllokuar në Kuvend për shkak të protestave të shumta të aktivistëve mjedisorë.