Banorët e Zharrëzës triumfojnë! Qeveria nis vlerësimin e dëmeve

518
Rruga e gjatë 3-ditore nga Zharrëza në Tiranë, dhe protesta në qiell të hapur e banorëve të Zharrëzës, bëri që zëri i tyre të dëgjohej nga qeveria, dhe të merret vendimi në favor të tyre. Sipas një vendimi të Këshillit të Ministrave, të bërë publik ditën e sotme, Ministria e Energjisë dhe Industrisë, ka urdhëruar kompaninë Bankers Petrolium të ndërpresë të gjitha operacionet në zonën e Zharrëzës dhe nëse dëshiron të vazhdojë të punojë të përdorë alternative të tjera. Lajmin e ka bërë publik ministri i Energjetikës Damian Gjiknuri që ka botuar edhe shkresën ku tregon një vijimësi të të gjithë punës që ka bërë ministria për të ndaluar Bankers që të dëmtojë situatën për banorët. Ndërkohë është bërë gati edhe projektvendimi i Qeverisë, që do të firmoset nga kryeministri Rama për ngritjen e një grupi pune brenda pesë ditëve nga dalja e vendimit për evidentimin e të gjitha dëmeve që janë bërë në banesat e qytetarëve në zonën e Zharrëzës. “Brenda 30 ditëve nga ngritja e këtij grupi, përgatitet lista përfundimtare emërore e kryefamiljarëve me banesa të shkatërruara plotësisht apo me dëmtime të rënda shoqëruar me vlerën e dëmit përkatës. Masa e ndihmës financiare do të jetë 100 përqind e vlerës së dëmit të shkaktuar e cila paguhet menjëherë, bazuar në listat përfundimtare dhe vlerësimin e paraqitur nga GNP” thuhet në vendimin e qeverisë.
Sigal