Banorët e Yzberishtit: Jetojmë si në mesjetë, premtime të kota nga qeveritarët

615
Sigal

Shqetësimet dhe vështirësitë e banorëve në zonën Yzberisht dhe Unazën e Re, (pallatet tek “Astiri”) Tiranë, nuk kanë të sosur. Prej vitesh banorët e kësaj zone shprehen se, jetesa është gati e pamundur dhe askush nuk bën asgjë. Tashmë zona e Yzberishit është mbipopulluar dhe ndërtimi i pallateve të reja, që vazhdon deri në zonën e Unazës së Re tek “Astiri”, është kthyer në një makth për banorët, të cilët jetojnë aty prej kohësh. “Ju lutemi të gjithë strukturave shëndetësore që të vinë dhe të shikojnë se çfarë jetese bëhet këtu, uji i pijshëm, rrugët etj., janë në ditën e tyre më të zezë. Kemi vite që jemi pa ujë, madje, nëse para disa kohësh na vinte 10 minuta dhe turreshim të gjithë të mbushnim, të paktën për nevojat më minimale, tani nuk shikojmë as pikën. Mbushim me autobote një mijë lekë për litër, është e tmerrshme. Nuk pushojnë sirenat e makinave të ujit, në çdo orar, duke na e shitur për ujë Selite dhe Boville. Në vitin 2014, të shikosh banorët e Tiranës, të gjithë me tuba me ujë në tarracë, kush të mundet të marri më shpejt. Përveç kësaj nevoje të madhe që ne si qytetar kemi, është gjithashtu, e tmerrshme të shikosh këto rrugë gjithë gropa, të cilat në verë të mbysin me pluhur dhe në dimër balta është deri në gju. Është një labirinth i vërtetë, të futesh në ato rrugë nuk i dihet se ku del. Pa asnjë sinjalistikë dhe orientim, vetëm kanë bërë ndërtesa kolosale pa rregulluar rrugët dhe kushtet minimale të jetesës. Për më tepër nuk ka asnjë shërbim publik, nuk ka asnjë qendër shëndetësore, nuk ka asnjë ambulancë për ndonjë rast urgjent,nuk çerdhe për fëmijët, kopshte dhe shkollë. Vunë në fushata  elektorale me premtime nga më të ndryshmet sa për të marrë votat dhe kur kërkojnë qytetarët llogari dhe mbajtjen e premtimeve nga ana e tyre,fillojnë me kërcënime dhe mashtrime. Pasi ne si qytetarë e kemi ngritur disa herë zërin, madje u jemi drejtuar dhe institucioneve të ndryshme, Sajmir Tahirit, deputetëve e politikanëve, por na kanë thënë të mbyllim gojën me këto probleme. Por, me të drejtë sepse kur në vendin tonë nuk bën përshtypje as vdekja as vjedhja, këto problemet e tjera të qytetarëve të thjeshtë u duken si “limonata”, shprehen banorët e kësaj zone për gazetën “Telegraf”, duke bërë thirrje që kjo situatë të zgjidhet menjëherë dhe të mos bjerë në vesh të shurdhër.