Banorët e një lagjeje të tërë në Berat të sëmurë, shkak ish-Uzina e Baterive

1607
Sigal

Specialistja e Mjedisit në Bashkinë e Beratit, Mirela Buhuri: “Analizat tregojnë ndotje të ujit e të ajrit. Situata alarmante”

Territori i ish-Uzinës së Baterive që ndodhet në një nga lagjet më të populluara të qytetit të Beratit, në lagjen Uznovë, rezulton i ndotur. Këtë e ka pohuar për gazetën specialistja e mjedisit në Bashkinë e Beratit, znj.Mirela Buhuri, e cila ka theksuar se, kjo ndotje ndahet në dy kategori: Në ndotje të mbartur dhe në ndotje të shkaktuar këto vitet e fundit. Specialistja Buhuri pohon se nga analizat dhe studimet e kryera nga Instituti i Shëndetit Publik Tiranë ka rezultuar se, toka dhe territori përreth saj, në të gjithë elementët përbërë të saj (ujë, ajër) është e ndotur me plumb dhe kjo ka bërë që banorët e kësaj zone të shfaqin në të shumtën e rasteve probleme mendore. Buhuri pohon se, pas konstatimeve të kryera dhe daljes së rezultateve përfundimtare në këtë zonë, është kërkuar jo vetëm pezullimi i aktivitetit të kësaj uzine që funksionon jashtë kushteve mjedisore dhe ndalimi i ndërtimeve të banesave të tjera, por edhe rehabilitimi i të gjithë zonës së ndotur, që pas lëvizjeve demografike në vitin 1997 është kthyer në një zonë të populluar, duke vënë në rrezik shëndetin e rreth 2200 banorëve të saj. Vetë banorët e kësaj zone pohojnë se e dinë që jetojnë në një territor të ndotur, ku rrezikohet jo vetëm bimësia e prodhimi i fushës, por edhe jeta e tyre dhe ata kanë shfaqur shumë herë shenja alergjie, këputjeje trupore, marrje mendsh e të vjella.

Uzina

Uzina e Baterive ka ushtruar veprimtarinë si uzinë shtetërore për afro 17-vjet, me destinacion prodhimin e baterive për makinat dhe mjetet lundruese ushtarake, ku lënda e parë e përdorur ka qenë plumbi (Pb) dhe acidi sulfurik, ndërkohë që janë përdorur edhe elemente të tjerë si sulfat plumbi e kripëra të caniumit. Kjo uzinë kryente shkatërrimin e baterive të vjetra, duke derdhur elektrolitin, acidin sulfurik e pllakat e plumbit, për të kaluar më pas në procesin e riciklimit dhe formimit të baterive të reja. Deri në vitin 1985 në këtë uzinë ka funksionuar një aparaturë filtrimi që përdorej për kapjen e grimcave të plumbit që minimizonin në këtë mënyrë ndotjen e zonës, që nuk ishte e banuar, por pas djegies së këtij impianti në vitin 1997 ndotja në këtë territor shkatërroi edhe fruti-kulturën dhe brezin e gjelbër që ndante dikur uzinën me qytetin e Beratit. Pas vitit 1997, në këtë uzinë kryhet privatisht shkrirja dhe riciklimi i baterive, duke ndotur qytetin në një rreze 500-700 metër nga pika fundore e uzinës. Më pas kjo zonë u zaptua nga ndërtimet pa leje dhe nga lëvizjet demografike të pakontrolluara të banorëve, pa e ditur rrezikun që i’u kanosej jetës së tyre si rezultat i tokës së ndotur me plumb. Nga monitorimi që i është bërë kësaj zone ka rezultuar se ndotja e tokës, ujit sipërfaqësor dhe nëntokësor (kryesisht puseve vetjake), është 2-3 herë më e lartë se normat e lejuara nga Bashkimi Europian dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.