Banorët e MCR-së në Berat: Po qelbemi nga përroi, i tejmbushur me plehra dhe minj!

674
Sigal

SHQETËSIM URBAN/ Drejtoresha e Shërbimit Publik: “Projekti për pastrimin dhe mbulimin e tij është gati, por s’ka fonde”

 

Edhe pse banorët e lagjes “28 Nëntori” të qytetit të Beratit prej kohësh kanë ngritur shqetësimin në bashki se po rrezikohen nga epidemitë asgjë nuk është bërë në këtë drejtim. Kjo lagje përshkohet nga një përrua, i cili shërben për të transportuar ujërat e zeza të lagjes në zonën e quajtur MCR. Ky përrua ndodhet i zbuluar, madje përveç grumbullimit të ujërave të zeza, ku është kthyer dhe në një vendgrumbullim për plehrat në të gjenden minj dhe mushkonja, të cilat prej kohësh janë bërë banorë të përhershëm të sonës. Banorët e lagjes shprehen se po rrezikohen seriozisht nga epidemia apo sëmundja e minjve dhe infektimi i mushkonjave. Ata thonë se shpesh herë ata dhe fëmijët e tyre janë infektuar nga mushkonjat dhe më pas kanë pësuar ënjtje, si rrjedhojë e infektimit që kanë marrë prej tyre.

Banorët

Flamur Tane, banor i kësaj lagje shprehet për gazetën “Telegraf”, se ndihen të rrezikuar nga epidemia, e cila është prezente. “Ne nuk hapim dot dyert se na vijnë si mysafirë minj, të cilët dalin nga kanali i ujërave të zeza, vend në të cilin kanë krijuar edhe foletë e tyre. Në këtë kanal përveç ujërave të zeza, banorët të pandërgjegjshëm hedhin dhe plehrat, të cilat në muajt e verës bllokojnë kanalin pasi nuk ka dhe aq ujë të rrëmbyeshëm që të tërheqë me vete këto mbeturina. Tashmë ky kanal është kthyer në një ambar mushkonjash, minjsh dhe plehrash, të cilat rrezikojnë jetën tonë”, është shprehur 40-vjeçari Tane. Të tjerë banorë thonë: “Kur kemi shkuar në bashki për të bërë presente gjendjen pasi po rrezikohemi nga epidemia, kemi marrë këtë përgjigje “Ne e kemi bërë projektin disa herë dhe ja kemi dërguar qeverisë që më pas ta shoqërojë me fond, por kanë kaluar disa vite dhe qeveria nuk na ka dhënë fonde për pastrimin e kanalit dhe mbulimit të tij”. Drejtoresha e Shërbimeve Publike pran Bashkisë Berat, Flutura Brami, u shpreh për gazetën: “Ne e dimë gjendjen, por jemi të pafuqishëm që të veprojmë pasi bashkia nuk disponon fonde për mbulimin dhe pastrimin e këtij kanali me pasoja të rrezikshme për jetën e banorëve. Bashkia i ka bërë projektet për rehabilitimin e këtij kanali dhe ja ka dërguar qeverisë dhe ministrisë përkatëse. Edhe pse qeveria e ka aprovuar projektin, por nuk na i ka shoqëruar me fonde përkatëse që të fillojë nga punë për rehabilitimin e tij. Ne si bashki jemi në pritej të fondit për të filluar nga zbatimi i tij”, tha Brami.

__________________________________________________

Berat, Bashkia mbyll 70 biznese të vegjël e të mesëm

Pas një kontrolli të ushtruar nga inspektorët bashkiakë të Tatim-Taksave në të gjithë bizneset e vegjël e të mesëm në rrethin e Beratit ka rezultuar se, shumë prej tyre ushtronin aktivitetin në mënyrë “informale”. Këta biznese, të vegjël e të mesëm, jo vetëm që nuk rezultonin të regjistruar pranë QKR-së, por nuk kishin shlyer as këstet e detyrimeve tatimore në Drejtorinë e Tatim-Taksave. Pas evidentimit të këtyre subjekteve informalë, ka nisur prej një jave aksioni për bllokimin e menjëhershëm të aktivitetit të tyre. Bllokimi i këtyre bizneseve është bërë pas njoftimit paraprak që i’u është bërë pronarëve të tyre për regjistrimin e shlyerjen e detyrimeve tatimore ndaj bashkisë. Ky aksion do të vazhdojë deri në mbylljen e të gjithë bizneseve që e ushtrojnë aktivitetin e tyre në qytetin e Beratit në mënyrë të kundraligjshme. N.q.s këta biznese të kundra ligjshëm do të tentojnë të hapin sërish aktivitetin e tyre pa u paraqitur për t’u regjistruar në zyrat e QKR-së dhe n.q.s nuk do të shlyejnë rregullisht detyrimet tatimore bashkiake, atëherë bashkia do të marr masa edhe më forta.

___________________________________________________________

Kuçovë, dy simbolet e Komunës Perondi, drejt shkatërrimit

Kisha njëmijë vjeçare e Shën Kollit dhe ura antike, që daton po në të njëjtën periudhë me kishën, dy simbolet e shënuara në emblemën e Komunës së Perondisë janë drejt shkatërrimit të tyre të plotë. Kisha e Shën Kollit, në fshatin Perondi, të komunës me të njëjtin emër, ngrihet në një terren të pjerrët rrëzë një kodre, pa gjurmë të tjera ndërtimesh rreth saj. Bazilika me përmasa të tilla si ajo e kishës së “Shën Kollit” në fshatin Perondi janë ndërtuar në shekullin e XI. Duke iu referuar këtyre të dhënave rezulton se kisha 1 mijë vjeçare e Shën Kollit, e ndërtuar me gurë dhe tulla ndërmjet tyre, është jo vetëm një objekt kulti me një arkitekturë të rrallë ndërtimi, por edhe një nga më të vjetrat në vend dhe Ballkan dhe pikërisht kjo kishë në vitet ’20 ishte qendra e Autoqefalisë Shqiptare. Të njëjtin fat ka pësuar edhe Ura antike e Perondisë, e shpallur Monument Kulture në vitin 1976. Të dyja këto vepra kulti (Kisha dhe Ura), duke qenë se janë të vetmet monumente kulture në këtë zonë, unanimisht nga banorët janë vendosur në emblemën e komunës, por është për të ardhur keq që askush nga institucionet përgjegjëse nuk ndërhyn në to. Drejtuesit e komunës shprehen se Ura e Perondisë, daton në të njëjtën epokë me kishën e Shën Kollit dhe se në këtë urë me tre harqe, që tashmë është totalisht e mbuluar me dhe e ndodhet në bahçet e banorëve, hidhej kryqi, por edhe këtë funksion kjo urë e ka humbur në momentin e devijimit të lumit në anën tjetër.

___________________________________________

Çelet fondi për ndërtimin e Urës së Velabishtit

Berat- Është çelur fondi prej 90 milionë lekësh (të reja) për ndërtimin e një ure të re në Komunën Velabisht. Kjo urë do të bëjë të mundur ruajtjen e objektit të shpallur monument kulture, Urës së Velabishtit, e  ndërtuar rreth vitit 1760 nga pashai i Beratit në atë periudhë kohe, Ismail Pashë Velabishti. Ura e re do të ndërtohet rreth 50m larg urës ekzistuese, ajo do të ketë një gjatësi prej 64 metër, gjerësi 6.7 metër dhe lartësi mesatare 7 metër. Ura e re do të jetë me kapacitet mbajtës për të gjitha mjetet dhe tonazhet dhe do lidh me qytetin e Beratit, jo vetëm 10 mijë banorët e Komunës së Velabishtit, por edhe banorët e Komunës Sinjë e më gjerë. Ndërtimi i kësaj ure do të mbrojë shkatërrimin që i është bërë ndër vite Urës së Velabishtit, e shpallur Monument Kulture, e cila ndonëse me një konstrukt të mirë dhe të fuqishëm ka filluar të ndjej peshën e viteve dhe të shfrytëzimit barbar që i bëjnë makinat me tonazh të rëndë. Lajmin e ka bërë të ditur bëhet kryetari i Komunës së Velabishtit, Kastriot  Rrapaj, i cili ka konfirmuar se kjo urë do të fillojë të ndërtohet nga fundi i këtij muaj, ndërkohë që pritet edhe çelja e një fondi nga qeveria për të rikonstruktuar Urën e vjetër të Velabishtit, një Monument Kulture që është shkatërruar ndër vite.