Banorët e kabinave të plazhit: Nuk dalim nga shtëpitë, pronarët janë të rremë!

615
Sigal

Familjarët kundërshtojnë në gjykatë Urdhër- Ekzekutimin e Zyrës së Përmbarimit për të lënë banesat e improvizuara

Ndërsa në shumë banesa në Durrës, të strehuarit janë larguar duke ua lënë ato ish-pronarëve, ka edhe zona të veçanta që banoret këmbëngulin që të mos i lirojnë pasi, sipas tyre, ata që po ua kërkojnë banesat nuk janë pronarët e ligjshëm, por janë përdorur mjete të falsifikuara për të marrë pronësinë si dhe shumë variacione të ndryshme juridike, për t’i nxjerrë ata jashtë banesave. Kjo ka ndodhur edhe me 12 kabinat në zonën e plazhit, banorët e të cilave nuk janë larguar dhe kanë deklaruar se ata nuk do të largohen pasi në plazh janë privatizuar kabinat me vendim qeverie dhe ata janë lënë qëllimisht jashtë këtij privatizimi. Kështu ata i janë drejtuar gjykatës për të mbrojtur ligjërisht atë që ata e deklarojnë se u takon me ligj. Ata në Gjykatën e Durrësit kanë kundërshtuar ligjërish Urdhër Ekzekutimin e Zyrës së Përmbarimit dhe më pas do të kërkojnë rivendosjen në afat për kontratën e shitjes.

Aksioni

Në zonën e plazhit të Durrësit që njihet si sektori “Iliria”, Përmbarimi dhe policia kanë tentuar të nxjerrin jashtë nga banesat 12 familje të strehuara në kabinat e plazhit që në fillim të viteve ‘90, nga ish krerët e pushtetit lokal pluralist, si të pastrehë. Banorët deklaruan se ata janë pronarë të ligjshëm të banesave (ish-kabina plazhi), dhe vetëm nëpërmjet manipulimeve të ndryshme, të kryera sipas tyre nga bashkia fillimisht dhe nga gjykata më pas, është bërë e mundur që në dokumente ata të mos ekzistojnë si banorë në ish- kabinat e zonës “Iliria”. Ata kanë thënë se bashkia në fillim ka shitur godinën, ku banojmë prej 20 vjetësh. Më pas gjykata i ka dhënë të drejtë pronarëve që e kanë blerë, duke mos marrë për bazë që në këto kabina jetojnë familje, që paguajnë rregullisht qiranë ndaj bashkisë, paguajnë faturat e dritave të ujit, dhe taksa e tatime vendore. “Në këtë mënyrë pronari kërkon që të dalim nga shtëpitë, por që vetëm të vdekur do të dalim prej këtej”, është shprehur Hafize Koçi. Alush Cejku ka deklaruar gjithashtu se, manipulimi nisi nga bashkia në momentin që kabinat ia shiti të tretëve ndërkohë që, kishte banorë brenda. Ata tregojnë edhe faturat që i kanë paguar deri në muajin dhjetor. Banorët janë shprehur se nga procesi i privatizimit të rreth 500 kabinave të pushuesve, proces i nisur në vitin 2009, ku përfshihej zona e plazhit dhe e Currilave, nuk kanë përfituar vetëm 27 familje, të cilat jetojnë pranë zonën “Iliria”. Banorët kanë qenë edhe tek Kryebashkiaku Vangjush Dako, i cili ka sqaruar se, “familjet kanë mbetur jashtë privatizimit, për shkak se një sipërfaqe trualli në zonën e Plazhit, mbi të cilën janë ndërtuar kabinat, iu është kthyer pronarëve të tokës. Ka qenë Këshilli Bashkiak, i cili mori vendimin për privatizimin e kabinave në favor të familjeve Sallabanda Papakostandini dhe Xhumari, të cilëve u ishte kthyer trualli nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Ata kanë bërë edhe blerjen e kabinave kundrejt vlerës prej 3.446.388 lekësh të përcaktuar nga ekspertët e Ministrisë së Ekonomisë”.