Banorët e Himarës në protestë, kundër shembjes së banesave

582
Sigal

Banorët e Himarës janë hedhur sot në protestë para Bashkisë së qytetit, në shenjë kundërshtie për prishjen e banesave.

Protestuesve pritet t’u bashkohen edhe Shoqata e Dukatit si dhe ajo e Myzeqesë. Banorët shprehen se nuk do të lejojnë në asnjë mënyrë prishjen e banesave, ku është parashikuar projekti për rikonstruktimin e qendrës së qytetit. Me pankarta në duar, qytetarët i kanë drejtuar thirrje kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro, si dhe kryeministrit Edi Rama që mos tu shemben banesat.

“Nuk do lejojmë të na prishen banesat. Kërkojmë konsultim për planet e zhvillimit”, thanë banorët. Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit i kishte dhënë 5 ditë kohë banorëve për t’u larguar nga banesat, ndërsa sot ishte afati i fundit. Ndonëse sot duhet të kishte nisur aksioni, IKMT nuk ka ndërmarr ende asnjë hap. Ditën e djeshme reagoi edhe Ministria e Jashtme greke, e cila ka shprehur shqetësimin për prishjen e këtyre banesave. Ata theksuan se kjo çështje nëse nuk zgjidhet do të ndikojë negativisht për negociatat e integrimit të Shqipërisë në BE.