Banorët: Dëmshpërblimi për prishjen e banesave lojë e pistë e Bashkisë

1169
Sigal

Pas publikimit te “Telegraf” i ekzistencës së një regjistrimi audio, kryebashkiaku Sotiraq Filo rrëfen për ndërtimin e pallateve shumëkatshe mbi rrugën “Don Gjon Buzku”

KORÇË- Pak ditë më parë, ose më saktë, në dt 9 shkurt, në gazetën “Telegraf” u publikua fakti se njëri nga 28 kryefamilarët e rrugës “Don Gjon Buzuku”, të cilëve Bashkia e Korçës do t’u prishë shtëpitë, kishte mundur të siguronte një regjistrim audio, në të cilën flitej për ndërtime shumëkatshme. Ishte herë e parë që zbulohej një fakt i tillë, pasi as nga kryebashkiaku i sotshëm Sotiraq Filo dhe as nga ish-kryebashkiaku Niko Peleshi nuk ishte artikuluar ndonjëherë ekzistenca e ndonjë plani të tillë urbanistik. Madje jo vetëm kaq, nga drejtuesit e Bashkisë gjithnjë ishte pretenduar se identiteti i lagjes nr. 5, ose siç njihet tashmë, si lagjja “Don Gjon Buzuku”, do të ruhej, pasi ajo ishte një nga lagjet më të vjetra të qytetit të Korçës, gjë që do të thotë se në këtë lagje nuk  mund të ngriheshin ndërtesa më të larta se tre kate. Por tashmë gjithçka ka ndryshuar, fill pas përfundimit të zgjedhjeve vendore, nëse Bashkia fitohet nga Partia Socialiste, atëherë do të vihet në zbatim plani në fjalë, i cili, sipas të gjitha gjasave, do të tjetërsojë gjithë lagjen nr. 5. e cila fillon që nga poliklinika dhe përfundon te Drejtoria e Shërbimit Shëndetësor Public, ku ngrihen me dhjetra e dhjetra banesa të qytetarëve. Të gjitha këto na i shpjegon Agim Tefiku, njëri prej banorëve që së shpejti do të mbetet i pastrehë, pasi edhe shtëpia e tij, bashke me 27 të tjera, do të prishet

 Zoti Tefiku, si mundët të zbuloni se në lagjen nr. 5 do të vihet në zbatim plani i ndërtimeve shumëkatshe?

Fill pas publikimit në gazetën “Telegraf” për regjistrimin audio që kishte mundur të realizonte njëri prej nesh, (28 kryefamiljarëve), që do të na prishet shtëpia, unë pata një takim me kryebashkiakun Sotiraq Filo dhe vetë ai më pohoi se mbi rrugën “Don Gjon Buzuku” do të fillojnë të ngrihen ndërtesa 8- katshe. Ndoshta ai e pohoi këtë gjë për të vetmen arsye se ne tashmë ishin në dijeni për shkak të regjistrimit audio, por edhe ishim të sigurtë që mund të ndodhte ashtu, edhe nuk ishim. Pohimi i vetë kryetarit të Bashkisë Sotiraq Filo, më la krejtësisht të habitur. Nuk mund ta besoja dot. Pohimi i tij zbulonte  më shumë se kaq. Kjo do të thotë se me vënien në zbatim të këtij plani, kjo lagje e vjetër e qytetit të Korçës nuk ka për të ekzistuar më. Madje kryebashkiaku Filo më propozoi gjithashtu, që pasi të më kishin prishur shtëpinë, unë mund të investoja aty ku do të niste ndërtimi i shumëkatsheve. Kjo ishte edhe më absurde nga gjithë ç’kisha dëgjuar prej tij deri atë ditë. Gjithsesi, fal bashkëbisedimit me z. Filo, arrita të kuptoj se ky plan urbanistik duhet të jetë hartuar shumë kohë më parë nga ana e drejtuesve të bashkisë  dhe gjithçka është menduar të jetë në dëm të banorëve

 Cilat janë arsyet që u çojnë në këtë konkluzion?

Tashmë e vërteta është bërë edhe më e thjeshtë për t’u kuptuar. Lagjja jonë, nr 5, i përket zonës kadastrale nr 8563. Më të djathtë të saj gjendet zona kadastrale nr. 8562, ku çmimet e shitjes së truallit janë 8.413 lekë, sipër lagjes tonë shtrihet zona kadastrale nr. 8561 me çmimet e shitjes së trojeve 8.537 lekë për metër katror, ndërsa në të majtë të lagjes tonë vijon zona kadastrale nr. 8586, ku në këtë zonë çmimet e shitjes janë 8.537 lekë për metër katror. Tashmë vini re çfarë ndodh! Vetëm lagjja jonë ka çmimet më të ulta të shitje-blerjes së truallit,  7.535 lekë për metër katror. Pse ndodh kështu, kur tri zonat e tjera kadastrale, kufitarë me lagjen tonë, kanë çmime shumë më të larta? Pra, kjo gjë vërteton edhe një herë se kjo lagje e vjetër e Korçës nuk ka për të ekzistuar më. Ajo do t’u jepet biznesmenve për ndërtimin e pallatave shumëktashe, ndaj edhe çmimet janë lënë kaq të ulta. Mirëpo pas prishjes së kësaj lagjeje kam frikë se problemet sociale do të jenë të shumta dhe pambarimisht të sërgjatura në kohë

 Me çfarë probleme mund të përballen banorët e kësaj lagjeje?

Duke qenë se çmimet e shitjes së trojeve në lagjen tonë janë më të ultat e të gjithë bllokut, ku përfshihen tri zona kadastrale, atëherë askush prej tyre që do të shpronësohet, nuk do të jetë në gjendje të realizojë ngritjen e një banese tjetër. Madje as që mund të bëhet më fjalë që banesa të ngrihet sërish në qendër të Korçës, siç është lagja “Don Gjon Buzuku”. Që të gjithë do të detyrohen të dalin e të shpërndahen në periferi të qytetit, aty ku çmimet janë më të ulta dhe përsëri ngritja e shtëpisë do të jetë e vështirë, sepse për ta nuk do të jetë problem vetëm blerja e truallit, por edhe çmimet e ndërtimit për metër katror. Për këtë arsye, numri i banorëve që do të mbeten të pastrehë do të jetë i madh dhe sistemimi i tyre do të zgjatë në kohë, gjë që do të sjellë probleme të shumta sociale. E them këtë, sepse vërtet janë 28 shtëpi që do të prishen, por realisht në pjesën më të madhe të këtyre banesave jetojnë nga 2 apo 3 kurora. Numri i të pastrehëve do të jetë shumë më i madh. Veç kësaj, drejtuesit e Bashkisë kanë mbajtur një qëndrim hipokrit ndaj banorëve që do të shpronësohen

Ku e konstatoni hipokrizinë e tyre?     

Hipokrizia e tyre është tërësisht e dukshme. Fillimisht u tha se në këtë zonë nuk do të lejoheshin ndërtime të larta më shumë se tre kate, por e gjitha kjo ishte lojë, pra ishte një hipokrizi që tashmë ka dalë në shesh. U tha kështu, sepse kishin për qëllim mosdëmshpërblimin e gjithë atyre banorëve që kishin ngritur banesa më të larta se tre kate. Një rast i tillë flagrant është ai i shtëpisë së shqiptaro-amerikanit Petrit Xhelollari, të cilit nuk i njihet dëmshpërblimi për katin e pestë dhe bodrumin me pretekstin se shtëpia duhej të ishte vetëm 3 kate dhe jo më shumë. E gjitha kjo, a nuk është hipokrizi? Po tani që do të ndërtohen banesa 8-katshe dhe që u deklarua nga vetë kryetari i Bashkisë Sotiraq Filo, si do të justifikohet mosdëmshpërmblimi për katet e tjera, për Xhelollarin dhe banorët e tjerë që po përballen me të njëjtin shqetësim. Pra, bashkia synoi që dësmshpërblimet të ishin sa më të ulta, ndaj u drejtohemi të gjitha institucioneve të shtetit, të shohin masën e dëmshpërblimit tonë, pasi rrezikojmë të mbetemi mes katër udhëve. Kjo është e vërteta dhe gjithçka jemi të dëtyruar ta shprehim përmes dhimbjes tonë

 

Familjet që do të shpronësohen, në total

Rita Ali Koça, Spiro Hekuran Koça   6.383.379 lekë

Natasha Alit Strati (Zesllati)           5.621.955 lekë

Agim Beshir Bardhi + bpr               1.982.475 lekë

Bajram Faslli Tako                         2.035.350 lekë

Arben Feta                                    8.077.173 lekë

Jorgo Stefa                                   3.802.216 lekë

Agim Hajdar Tefik                         7.361.575 lekë

Hydbi Sabri Kape                          8.615.416 lekë

Gurije Rakollari + bpr                    2.215.175 lekë

Petrit Musa Xhelollari                    14.364.475 lekë

Zamir Islam Topi                            2.579.583 lekë

Robert Çarçani                               2.823.637 lekë

Serdil Manka, Musa Manka              7.248.668 lekë

Ari Fuat Maliq                                   437.030 lekë

Zini Besim Berberi                            798.710 lekë

Ali Afiz Goçllari                                 339.075 lekë

Gjylizar Koçibelli                                 90.420 lekë

Kristal Shyti                                      498.817 lekë

Salie Shishnani                                1.139.292 lekë

Hektor Frashëri                                  501.831 lekë

Altin Ismail Topi +bpr                         889.884 lekë

Edmond Haxhi Zake                         1.522.070 lekë

Mukadez Riza Topi                            1.333.695 lekë

Feride Teki Moskopoliti                         582.456 lekë

Isa Tefik Gegollari                                587.730 lekë

Ali Qeraxhi +bpr                                5.651.250 lekë

Riza Zeni Lika  + bpr                             523.683 lekë

Vladimir Agolli+bpr                                580.195 lekë

TOTALI                                           88.587.210 lekë

 Vepror Hasani