Bankat nxjerrin në shitje 1243 objekte për mosshlyerjen e kredive

606
Sigal

Gazeta Telegraf/


Nga mos kthimi i
kredive, bankat tregtare në vendin tonë kanë vënë në shitje pronat që tashmë
kanë në zotërim nga moskthimi i kredive. Sipas njoftimeve, që bankat kanë bërë
në web-et e tyre zyrtare janë 1243 prona në të gjithë vendin, të shpallura për
shitje nëpërmjet ankandeve, janë apartamente, vila, dyqane, garazhe dhe toka të
shpërndara në të gjithë vendin. Banka Kombëtare Tregtare ka numrin më të madh
të objekteve në shitje me 338 të tilla. Më pas vjen Banka Raiffeisen, e cila ka
listuar për shitje në web-in e saj zyrtar 210 objekte. Pas Raiffeisen, me
numrin më të madh të objekteve vjen Tirana Bank me 168 të tilla. ProCredit Bank
gjithashtu ka nxjerrë në ankand 155 objekte dhe Banka Kombëtare Greke, 111
objekte. Gjithashtu edhe Banka e Parë e Investimeve ka nxjerrë në shitje 96
objekte. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, bankat zotërojnë 22 miliardë
lekë pasuri të patundshme (rreth 160 mln euro), të cilat janë duke denatyruar
rolin primar të bankave në ndërmjetësimin financiar, duke kthyer një pjesë të
funksioneve të tyre në “real estate”. Banka e Shqipërisë ka referuar se vlera e
kolateralëve në pronësi të bankave, pasi kanë dështuar shitjet nga
përmbaruesit, është rritur ndjeshëm më 2015. Nga 5 miliardë lekë në 2012,
zotërimet e bankave në formën e pasurive të paluajtshme në fund të vitit të
kaluar janë  katërfishuar në rreth 22
miliardë lekë. Një rënie e çmimit të pasurive të paluajtshme, gjatë periudhës
së mbajtjes në bilanc, mund të zvogëlojë si vlerën e aktivit në bilanc, ashtu
edhe të ardhurat që mund të realizohen nga shitja e kolateralit pasuri e
paluajtshme. Njëkohësisht, një shitje në masë e këtyre kolateralëve nga ana e
bankave (fire sale) mund të dëmtojë rëndë tregun e pasurive të
paluajtshme, duke ndikuar jo vetëm mbi të ardhurat e bankës, por edhe mbi
vlerën e kolateralëve pasuri e paluajtshme të pranuar gjatë procesit
kredidhënës, me pasoja në cilësinë e portofolit të kredisë dhe nivelit të
mjaftueshmërisë së kapitalit. Nivelet e larta të këtyre lloj aktivesh në
bilanc, shoqëruar me strategji jo të efektshme të marrjes në pronësi të tyre
mund të ndikojnë negativisht likuiditetin e një banke. Por kreditë e pakthyera
në afat në banka kanë shënuar një rritje të fortë në muajin korrik, duke u
ngjitur në 21.15%, duke u zgjeruar me të paktën tre pikë përqindje në raport me
fundin e 2015-s.  Të dhënat  janë bërë të ditura nga Banka e Shqipërisë.
Edhe në raport me një muaj më parë, huat e pakthyera në afat janë shtuar me 1.2
pikë përqindjeje.