Bankat në vështirësi, bien fitimet

628
Bankat raportuan një fitim neto prej 4.8 miliardë lekësh në tre muajt e parë të vitit 2018, sipas standardeve lokale, bëhet e ditur në statistikat e Bankës së Shqipërisë. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur u arritën fitime rekord prej 5.8 miliardë lekë, është shënuar një rënie prej 16.3%. pavarësisht tkurrjes, fitimet janë afër niveleve më të larta të ditëve të fundit. Për tre muajt e parë të vitit, sistemi bankar ka paguar 559 milionë lekë tatimfitime, apo 13% më shumë në raport me vitin e mëparshëm. Të ardhurat neto nga interesi qëndruan në nivele pothuajse të pandryshueshme prej 10.9 miliardë lekësh, me një rritje me bazë vjetore prej vetëm 1%. Teksa të ardhurat nuk kanë ndryshuar, ulja e fitimeve ndërkohë ka ardhur si rrjedhojë e rritjes së shpenzimeve të tjera (personeli, jo interesa etj.). Ulja e fitimeve ka sjellë përkeqësim të treguesve të rentabilitetit. Kthyeshmëria nga aktive (ROA) ishte 0.95% për tremujorin, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, nga 1.36% në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe kthyeshmëria nga kapitali ra në 8.6%, nga 14.1% në janar-mars 2017. Në vitin 2017, Fitimi i sistemit bankar arriti në një nivel rekord prej 22 miliardë lekësh në 2017-n, sipas statistikës së publikuar nga Banka e Shqipërisë, e cila i raporton të dhënat e sistemit sipas standardeve lokale. Në raport me vitin e mëparshëm, fitimi neto i sistemit u rrit me 138%. Përmirësimi i rezultatit neto të sistemit në vitin 2017 erdhi si rezultat i rimarrjes së shpenzimeve për provigjione (shpenzimet që bankat vënë mënjanë për kreditë me probleme). Pozitivisht në fitimet e sistemit ka ndikuar dhe ulja e treguesit të kredive me probleme. Në dhjetor 2017, kreditë e pakthyera në banka zbritën në 13.2% të totalit të huave, me një rënie të dukshme me 5 pikë përqindje në krahasim me dhjetorin 2016, kur ishin 18%. Ndërsa në mars ato ishin 13.4%, në rënie pasi rezultuan në 13.7% në shkurt.
Sigal