Banesat në Zharrës i shkatërroi “Bankers-Soros”, 740 milionë lekë dëmshpërblime do t’i paguajnë shqiptarët

718
Arjan DUKASI
Vendimi absurd/Qeveria fsheh krimin teknologjik, pasuror, social, ekonomik e financiar të kryer nga firma koncesionare 
Qeveria shqiptare, vendosi pak ditë më parë, që në buxhetin e vitit 2017, të përfshihet edhe një fond financiar, si pagesë dëmshpërblimi për banesat që u janë dëmtuar banorëve të zonës naftëmbajtëse, ku kryen aktivitet biznesi koncesionar, dyshja e ortakëve “Bankers-Soros”. Shtëpitë e banorëve të kësaj zone, konkretisht në fshatrat, Zharrës-Dukas, janë shkatërruar nga shpërthimet nëntokësore që ka kryer kompania “Bankers-Soros” në thellësi të puseve të naftës, që prej prokurorisë dhe ekspertëve të naftës është cilësuar “krim teknologjik, ekonomik, financiar, mjedisor, social dhe me pasoja të rënda në shkatërrimin e burimeve të naftës në këtë zonë”. Mirëpo qeveria, nuk ka vendosur t’i konsiderojë shkatërrimet e banesave për këtë shkak, por i ka klasifikuar si “dëmtime nga lëkundjet e tokës”! Faktikisht, nuk kanë qenë tërmete natyrale, por shpërthime të kryera prej “Bankers -Soros”, për të shtuar artificialisht prodhimin e naftës. Banorët protestuan deri tek dera e kryeministrisë, bllokuan edhe punët e firmës, për disa kohë, prokuroria hapi dosjen hetimore, por asgjë nuk e ndali kompaninë “Bankers-Soros”. Ajo vazhdoi dhe po vazhdon shpërthimet nëntokësore në puset e naftës, duke shkatërruar banesat, bizneset, tokat, ujin, mjedisin, kullotat, bimësinë e gjithçka, deri në helmim të plotë të zonës. Nisur prej këtij klasifikimi, qeveria shqiptare ka fshehur këtë krim, duke nxjerrë një vendim dëmshpërblimi, që është absurd, sipas të cilit, vetë qeveria do të paguajë 740 milionë lekë dëmtime, kur këto dëmtime i ka bërë “Bankers-Soros”, kjo kompani mafioze, e cila ka miliarda lekë detyrime fiskale dhe shërbimesh energjie, mjedisi, uji, qira sipërfaqesh toke, përdorim pusesh nafte ndaj shtetit shqiptar. Këtë e ka vendosur qeveria me VKM nr. 670, datë 16.11.2017 “Për një shtesë fondi në buxhetin e vitit 2017” për Bashkitë Patos dhe Roskovec, për dëmshpërblimet e familjeve, banesat e të cilave janë dëmtuar nga lëkundjet e tokës”!
Ja pjesë nga vendimi 
Fondi i përgjithshëm prej 175 165 885 (njëqind e shtatëdhjetë e pesë milionë e njëqind e gjashtëdhjetë e pesë mijë e tetëqind e tetëdhjetë e pesë) lekësh të çelet për bashkitë Patos dhe Roskovec dhe të përballohet, si më poshtë vijon: 
a) Paguhet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, në masën 73 992 071 (shtatëdhjetë e tre milionë e nëntëqind e nëntëdhjetë e dy mijë e shtatëdhjetë e një) lekë.
b) Nga “Bankers Petroleum”, në masën 101 173 814 (njëqind e një milionë e njëqind e shtatëdhjetë e tre mijë e tetëqind e katërmbëdhjetë) lekë. 
5. Kryerja e pagesave për personat përfitues, banesat e të cilave janë shkatërruar plotësisht nga lëkundjet e tokës, të bëhet nga bashkitë Patos dhe Roskovec. 


Sigal