Banesat, hapen sot aplikimet për kreditë e buta

829
Për vitin 2018 do të përfitojnë 500 familje. Kriteret, si plotësohet formulari, dokumentet shoqërues dhe gabimet që duhen evituar
Duke filluar nga sot, banorët e Tiranës mund të aplikojnë për marrjen e një kredie të butë për strehim. Më datë 16 prill nisin aplikimet për programin e kredive të buta në kryeqytet, nga i cili do të përfitojnë rreth 500 familje. “Të hënën, në datën 16 prill fillojnë aplikimet për programin e strehimit për banesat që merren me kredi. Qytetarët sipas udhëzimit mund të vijnë të aplikojnë nëpër njësitë administrative”, deklaron Denis Latollari, përgjegjësi i Shërbimeve Publike në Njësinë Administrative, Nr.4. Faza e parë e aplikimeve që do të kryhet pranë njësive administrative do të zgjasë një muaj. Specialistët bëjnë apel që qytetarët të kenë kujdes me plotësimin e formularit dhe deklarimin e të ardhurave. “Formulari tip i jepet qytetarit nga njësia administrative dhe plotësohen të dhënat e gjendjes familjare, të të ardhurave si dhe kritere të tjera që janë në formular. Kriteret janë bërë pak më strikt, sidomos në nivelin e të ardhurave që duhet të kenë familjet. Kështu që deklarimi që ata duhet të bëjnë duhet të jetë shumë i saktë, për të mos pasur gabime apo skualifikime më vonë gjatë këtij programi”, shpjegon Latollari. Gjithashtu, për të evituar skualifimimin, për shkak të dokumenteve kërkohet që ato të përmbushin afatin e vlefshmërisë 3 muaj. “Çdo dokument i marrë nga zyrat shtetërore duhet të ketë vlefshmëri 3 mujore deri në mbledhjen e marrjes së vendimit nga Këshilli Bashkiak. Në rast se bëhet një mbledhje në qershor, dokumenti i dorëzuar në Bashki duhet të ketë vlefshmëri 3 mujore. Pra, në qershor duhet të jetë i vlefshëm, përndryshe skualifikohesh nga ky program”, shprehet përfaqësuesi i pushtetit vendor. Pas fazës së parë, të gjitha aplikimet e bëra në njësitë administrative për strehim nëpërmjet subvencionimit të interesave të kredisë, do të shqyrtohen në Bashkinë e Tiranës për të bërë dhe përzgjedhjen e familjeve që plotësojnë kriteret për të marrë kredi të butë më interes 3%, e cila duhet të shlyhet brenda 20 vitesh.

Të ardhurat
Familjarët, të cilët nuk kanë mundur të blejnë një shtëpi për shkak se nuk mund t’iu përgjigjen çmimeve të larta të tregut dhe se nuk arrijnë të shlyejnë kreditë në banka, tanimë mund të përfitojnë nga kreditë e buta. Duke nisur nga sot, ata mund të aplikojnë pranë njësive administrative ku banojnë, në programin e strehimit, por duhet të plotësojnë disa kritere. “Mjafton që aplikuesi të mos ketë një shtëpi në pronësi. Një familje me dy vetë, kufiri minimal i të ardhurave dhe ai maksimal janë nga 43 mijë lekë deri në 79 mijë lekë. Një familje me 4 vetë, nga 52 mijë lekë deri në 94 mijë lekë”, tha Anisa Ruseti, drejtoreshë e Shërbimit Social. Familjet që do të përfitojnë nga kreditë e buta marrin nga banka vetëm 80% të vlerës së shtëpisë që do të blejnë, e kredinë do ta shlyejnë në harkun kohor prej 20 vitesh, me interes të ulët. “Paguajnë vetëm 3% interesa, pasi pjesën tjetër e mbulon Bashkia e Tiranës”, tha Anisa Ruseti. Hapi i parë është vetëm aplikimi. Nëse shpallen fitues, atëherë familjarët do të duhet të plotësojnë dokumentacionin që do të duhet të dorëzojnë në bankë.

Kriteret
Përfitues potencial në programin “Subvencionimi i interesave të kredisë për familjet e reja”, do të jenë familjet e reja që përbëhen nga:
Çifti i ri me moshë totale deri në 70 vjeç;
Familje të reja që kanë në ngarkim persona me aftësi të kufizuar apo persona në pension; 
Nuk kanë në pronësi një banesë; 
Kanë të ardhura sipas limitit të përcaktuar në këtë program; 
Nuk janë dhe nuk kanë qenë përfitues të programeve të tilla të ngjashme më parë.
Duke u nisur nga problematikat e hasura gjatë thirrjes së parë është parë e arsyeshme të ndryshojnë disa nga përbërësit e skemës së subvencionimit të interesave të kredisë dhe kufijtë minimal dhe maksimal të nivelit të të ardhurave që duhet të plotësojnë aplikuesit.

Së pari, ndryshon mosha e përfituesve, pasi është marrë në konsideratë fakti që disa përfitues për shkak të moshës së madhe janë penguar në klasifikimin për kredi. Tashmë mosha e çiftit duhet të jetë me moshë totale deri në 70 vjeç. 

Së dyti, afati subvencionimit të kredisë do të rritet nga 15 në 20 vjet, duke bërë që kësti mujor për një familje përfituese të jetë më i ulët dhe më i përballueshëm. 

Së treti, ndryshojnë edhe të ardhurat e përkohshme.
Sigal