Banesat e plazhit, “zonë e lirë” për vjedhësit e ri

496
Sigal

Në ditët e para të fillimvitit vidhen disa banesa në zonën e Plazhit në Durrës. Policia: S’ka denoncime

Numri  i vjedhjeve sa vjen dhe rritet. Menjëherë pas Vitit të Ri njoftimet zyrtare të policisë kanë bërë me dije një numër të madh vjedhjesh si dhe arrestimin e disa autorëve që i kanë realizuar këto vjedhje. Këto vjedhje kanë qenë të natyrave të ndryshme, po kryesisht kanë mbizotëruar vjedhje lokalesh, banesash, si dhe kanë dalë në skenë edhe vjedhës adoleshentë deri në moshat e 10-vjeçarëve, të cilët sigurisht që, vjedhin nën kujdestarinë e më të mëdhenjve, por i përdorin më të vegjlit si mjete që vjedhin dhe që mund t’i shpëtojnë ligjit. Një aspekt tjetër ky i shëmtuar i deformimit shoqëror të brezit të ri.

Ngjarjet

Njoftimet e para të këtij viti kanë bërë me dije se që në ditët e para të vitit janë  arrestua në flagrance shtetasit: A. Vezi, 23 vjeç, banues në Durrës. M. Vezi, (i vëllai), 28 vjeç, banues në Durrës. Dy shtetasit në fjalë, rreth orës 18:30, të datës 3 janar  janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë në lagjen Nr. 2 Durrës, pasi kanë tentuar të vjedhin banesën e shtetasit R.C., 55 vjeç. Po me interesante ka qenë një vjedhje e realizuar nën një lokal. Pasi janë kryer hetimet ka rezultuar se autorët e lokalit ishin fëmijë 10 deri në 14 vjeç. Si në ngjarjet e përshkruara në librin e famshëm anglez të Charles Dickens “Oliver Tvvist”. Për këtë rast policia ka njoftuar se: “Më datë 05.01.2013, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës bënë dokumentimin ligjor të vjedhjes së bar “Gostivar”; ngjarje e ndodhur më datë 03.01.2013.

Ngjarja e bujshme

Në vazhdën e këtyre vjedhjeve më spektakolare dhe e bujshme ka qenë vjedhja që dyshohet se është realizuar nga një çift të rinjsh, të cilët arritën të vjedhin nga banesa prindërore e vajzës 88 mijë franga zvicerane si dhe 40 milionë lekë të vjetra shqiptare. Pak ditë pas realizimit të këtyre vjedhjeve të rinjtë janë arrestuar dhe kanë dalë para gjyqit për vendosje të masës së arrestit. Një ditë më parë u gjykua Ismail Xhindi, 21 vjeç, banues në Durrës. Prokuroria e Rrethit Durrës, më datë 07.01.2013, kishte nxjerrë ndaj këtij shtetasi “Urdhër ndalimi” për veprën penale të vjedhjes në bashkëpunim në shuma të mëdha. Personi në fjalë dyshohet se në bashkëpunim me shtetasen Fatma Buziu, e arrestuar datë 04.01.2013, i kanë vjedhur babait të Fatmës në banesë shumat prej 88. 000 franga zivceriane dhe 4 000 000 lekë.

 Grabitjet në Plazh dhe Shkëmbin e Kavajës

Vjedhjet më interesante kryhen në zonën e Plazhit dhe Shkëmbit të Kavajës. Në këto zona për shkak se ka shumë banesa me përdorim të përkohshëm nga pronaret, disa mbyllen me mbarimin e sezonit veror, ndërsa disa të tjera funksionojnë vetëm për fund javë, mbasi pronarët jetojnë në Tiranë apo në qytete të tjera, vjedhësit ndjehen në një zonë “të lirë”, e cila për shkak të rrallësisë së banoreve në të gjatë sezonit dimëror mbetet e lirë edhe nga vëmendja e policisë. Me sa duket kjo ka qenë edhe shkaku që janë bërë disa vjedhje gjatë netëve të festimit të Vitit të Ri. Vjedhësit kanë hapur disa banesa në një pallat në bregdet dhe kanë ngrënë e pirë çka mund të kenë gjetur në to ose kanë bashkuar “trofetë” e mbledhura nëpër banesa të ndryshme. Pasi kanë “festuar” duke ngrëne dhe duke pirë me pijet e gjetura në banesa, nuk kanë harruar që të bëjnë kontrolle se mos gjejnë lekë ose bizhuteri nëpër dhoma dhe kur kanë dalë kanë marrë edhe tv e instaluara në to.