Banesat dhe pallatet, gati faza e re e legalizimeve

627
Drejtori i ALUIZNI-t paralajmëron zgjidhje ligjore për objektet e bllokuara dhe pallatet e braktisura nga pronarët
Për të përmbyllur procesin e legalizimeve, qeveria dhe më pas Kuvendi do të miratojnë ndryshime të tjera ligjore. Drejtori i ALUIZNI-t, Artan Lame, u shpreh se ka nisur një bllok ndryshimesh ligjore për të zgjidhur ngërçin, duke i dhënë mundësi edhe banesave të tjera që të legalizohen. Pritet që këto ndryshime të jenë gati brenda dy muajve. “Synohet përmbyllja tërësore e procesit të legalizimeve dhe gjetja e zgjidhjeve ligjore për objektet për të cilat legjislacioni aktual nuk i lejon zgjidhjen. Bashkë me këtë po përgatisim një bllok ndryshimesh e propozimesh ligjore si dhe propozimet përkatëse për t’i dhënë udhë këtyre problematikave komplekse”, tha Lame. 

Aktualisht janë legalizuar 144.154 objekte në të gjithë vendin. Numrin më të lartë të legalizimeve e mban qarku Tiranë, i ndjekur nga Durrësi dhe Fieri. “Në vitin 2013 e gjetëm instituticionin, pas 8 vitesh qeverisje të djathtë, me vetëm 21 mijë legalizime të kryera dhe sot kemi arritur në shifrën e 144.154 legalizimeve. Nga 323 mijë objekte që ishin në sistem, në 306.800 prej tyre, pra në 95% të objekteve procesi i punës, matjes në terren, ka përfunduar tashmë. Praktikisht sot mund të themi që procesi i legalizimit të objekteve që janë brenda kritereve ligjore në zonat informale është përmbyllur në masën e 88%”, nënvizoi Artan Lame.

Ai bëri të ditur se edhe Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale do t’i nënshtrohet një ristrukturimi të plotë. ”Në këtë kuadër i gjithë instituticioni i ALUZINI-it do t’i nënshtrohet një strukturimi të plotë ligjor, strukturor dhe territorial. Prej sot i deklaroj të hapura dyert e institucionit për çdo djalë apo vajzë, për çdo specialist të sektorit që do të dëshironte të aplikonte për t’u bërë pjesë e radhëve tona”, tha Lame.

Gjithashtu, kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame deklaroi se sektori i pronës do t’i nënshtrohet një reforme të thellë, e cila përveçse do të rrisë sigurinë e pronave, parashikon zgjidhje edhe për ngërçin e krijuar nga mijëra objekte informale, të cilat aktualisht nuk mund të legalizohen. Kreu i ALUIZNI-t tha se vitin e fundit ka nisur puna edhe për zhbllokimin e një tjetër ngërçi, sipas tij të madh. “Atë të legalizimit dhe hipotekimit të pallateve të braktisura nga pronarët, apo me problematika të mbartura. Është një nga proceset me të vështira për shkak të kompleksitetit që ka secili rast, e jam i kënaqur që procesi megjithatë vijon me siguri”, theksoi Artan Lame.

Në projektet e qeverisë së ardhshme është përfshirë edhe bashkimi i tre institucioneve që lidhen me çështjen e pronave. ALUIZNI, Agjencia e Trajtimit të Pronave dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme pritet të unifikohen në një institucion të vetëm. 
Sigal