Bandat e krimit dhe drogës dhe mënyra se si e shpëtova djalin prej tyre

940
Sigal

Prof. Dr. Lush SUSAJ

Falë punës dhe vullnetit të hekurt, deri në mbarim të universitetit, djali arriti rezultate të larta në mësime duke përvetësuar edhe 4 gjuhë të huaja. Për shkak të studimeve 4-vjeçare në Kolegjin Amerikan të Tiranës ku literatura dhe mësimdhënia janë në gjuhen angleze, ai arriti që të përvetësojë shumë mirë gjuhën angleze në të folur dhe në të shkruar. Ne nuk na kishte shkuar ndonjëherë mendja se në kushtet e kriminalizimit dhe të degradimit të sjelljes qytetare e shtetërore në injorancë dhe vulgaritet, do na vinte sulmi dhe e keqja ndaj fëmijës dhe familjes për shkak të punës dhe sjelljes sonë intelektuale. Gjithçka filloi në bllokun e pallateve ku jetojmë e ku në katin e parë, për shkak të hapësirave të vogla të banimit, vite më parë kam përshtatur një garazh të vogël për bibliotekë. Aty kam sistemuar librat, tavolinën e studimit dhe një kompjutër e printër për të printuar materialet e shkruara. Ambjenti i mbushur me libra e revista bie lehtë në sy të kalimtarëve, të patrullave të policisë që mesa duket as që i njohin librat as ligjet, të ekipeve të kontrollit të ujit dhe të grupeve të ndryshme që në këtë vend duket se rriten e vigjilojnë vetëm për të vjedhur, korruptuar, abuzuar apo për të shitur ndonjë dozë kanabisi e kokaine. Puna jonë si profesor universiteti dhe ambienti i tejmbushur me libra, ishin shkaku zanafilla e fillimit të zilisë së grupeve kriminale të veshura me pushtet që drejtuan shënjestren e tyre ndaj djalit tim të vetëm dhe ndaj familjes sime të vogël e të pambrojtur nga asnjë institucion tjetër, përveç rregullave të vjetra të kanunit dhe vetëgjyqësisë. Në këto kushte, grupet e krimit, të njohura e të toleruara nga punonjësit e policisë, provën e parë e realizuan natën që me vodhën makinën e parkuar përballë studjos ku shkruaja librat, artikujt dhe leksionet e mia.

Denoncimi që bëra në polici, nuk vlejti për asgjë.

Fyerjet dhe ngacmimet ndaj nesh ishin të përhershme, megjithatë për vite me radhë e përballova edhe kërkesën e vazhdueshme të djalit për t’u larguar nga Shqipëria. Rezistova derisa në një ditë të trishtë u gjenda krejtësisht pa argument dhe pa atë mundësinë e prindërimit për nder e dinjitet. Kjo ishte dita kur djali me erdhi në shtëpi i rrahur dhe i nxirë nga keqtrajtimi që i kishin bërë punonjësit e policisë së komisariatit. Kur e pyeta djalin për shkakun e tejkalimit të dhunës policore, djali me tregoi se si, një ditë më parë, në parkingun e pallateve ku jetojmë, ai kishte gjetur një djalë të moshës së tij të plagosur me thikë. E kishte futur menjëherë në makinën e tij dhe e kishte shoqëruar për në urgjencën e spitalit ushtarak. Pasi e ka dorëzuar në spital, djali i ka qëndruar tek koka deri në momentin që i kanë ardhur prindërit. Në kohen që ka ardhur policia, djali im iu ka shpjeguar atyre për vendin dhe mënyrën se si e ka gjetur dhe si e ka shoqëruar të plagosurin drejtë spitalit. Megjithatë, oficeri i krimeve (nga Fieri), nuk e ka besuar dëshminë e djalit dhe për këtë arsye e ka fyer dhe shoqëruar menjëherë në komisariat. Aty e ka shantazhuar dhe ka ngritur dorën për ta qëlluar. Për t’u mbrojtur nga shpullat, djali ia ka kapur njërën dorë oficerit të krimeve dhe i ka thënë që të mos guxonte që ta qëllonte. Për këtë shkak shefi është ndier i fyer dhe ka thirrur për ndihmë dy kolegët e tjerë, të cilët kanë ardhur menjëherë dhe kanë filluar rrahjen shtazarake të djalit. Ndërsa situata edhe më e rëndë dhe e pabesueshme me ka ndodhur në pranveren e vitit 2016, kur gjatë kohës që po pinim kafe përpara studios ku punoja, djali m’u lut që ta dëgjoja me kujdes deri në fund.

Djali që tashmë ishte rritur, kishte përfunduar edhe vitin e dytë të fakultetit, me tregoi se si njëri nga punonjësit e rendësishëm të policisë e kishte thirrur dhe i kishte kërkuar që të shiste lirshëm kanabis dhe kokainë në shkollat dhe lokalet e zonës.

Kuptohet që këtë aktivitet do ta bënte nën mbrojtjen e inspektorëve të policisë, të cilëve do u jepte çdo muaj nga 500 euro. E kuptova menjëherë faktin se bandat e krimit e të drogës, tashmë kishin trokitur edhe në portën time. E kuptova dhe e pranova faktin e hidhur, që edhe djali im dhe familja ime tashmë ishin bërë shënjestër e strukturave kriminale, ordinere dhe korruptive të vendit. Mes lotësh dhe frikës së asaj dite, e kundershtova djalin në një mënyrë të prerë duke i shpjeguar se një gjë e tillë do të ishte haram dhe denigrim i thellë për mua dhe për të gjithë familjen tonë që përbëhej nga dy profesorë universiteti dhe djali ynë i vetëm. Në këtë mënyrë, djali im nuk e pranoi ofertën, ai nuk u mor kurrë me trafiqe as me punë të paligjshme. Me qindra net kam qëndruar pa gjumë duke menduar që si mund të denoncoja apo të kërkoja ndihmën shtetërore për situatën e krijuar.

Në të gjitha rastet, analiza e fakteve dhe e ngjarjeve përfundonte tek policët e korruptuar e të kriminalizuar që dekonspironin informacionin.

Në të gjitha rastet koka e paudhësive me rezultonte që të ishin njerëzit e administratës dhe të policisë. Për këtë arsye jam stopuar, sepse denoncimi në këto kushte e bënte jetën tonë dhe të djalit të vështirë e të pasigurt. Megjithatë, asnjëherë nuk kam pasur hallin e jetës time, në të gjitha rastet kam patur hallin e sigurisë së jetës së djalit dhe të bashkëshortes që do të sulmoheshin pa mëshirë dhe në mënyrën më të ulët që karakterizon gojëprishurit e politikes dhe krimin shqiptar. Në këto kushte, kërkova ndihmë tek disa miq e shokë për ta nisur djalin drejt një vendi evropian ku do të mund të gjente punë, siguri dhe respekt për jetën. Nuk pata asnjë rrugë tjetër, sepse horrat e krimit, prej shumë kohësh e dinin, prandaj dhe e kishin pikasur si një djalë të vetëm, si një djalë me dy prindër që punonin profesorë në universitetet shqiptare e që sipas tyre kishin paga të larta, e që horrat mund t’i merrnin përmes presionit dhe shkatërrimit të jetës së djalit tonë të vetëm. Kjo është ajo ajo skema e njohur kriminale që është përdorur dhe që vazhdon të përdorët në mënyrë masive mbi fëmijet e elitës shkëncore, mediatike, politike dhe të biznesit të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë. Janë më se të njohura rastet dhe tragjeditë e fëmijëve dhe familjeve intelektuale, madje dhe politike të shkaktuara nga bandat e pushtetit të krimit, korrupsionit, bixhozit dhe drogës. Në këto kushte u detyrova që menjëherë të shkëputesha nga të gjitha angazhimet e tjera shoqërore e shkëncore e të bëhësha roja e djalit duke e shoqëruar atë ngado që shkonte. Edhe nga kjo mënyrë kontrolli, djali filloi të mërzitej aq shumë, sepse shokët e merzisnin duke i thënë se: “Po të shikon babi”, “Po të vjen pas babi”, “Kujdes, të erdhi babi” etj., si këto. Ndonëse i rritur dhe i edukuar në mënyrën më të mire e në shkollat më të mira, për fatin tim të keq, djali filloi që të mendonte e të shprehej se modeli ynë i të mësuarit, i të punuarit të përditshëm, i njerëzillëkut dhe i ngritjes ekonomike e shoqërore graduale ishte një model i gabuar që të linte pa makina e vila luksoze, pa poste korruptive në administratë etj. Në këtë mënyrë, çdo ditë e natë kaloja vetëm mërzitje pa kufi dhe një stres që arrinte deri në dëshpërim përballë strukturave kriminale të veshura me pushtet. Kësaj iu shtua edhe merzitja shtesë që mora, ngaqë dështova në përpjekjet që bëra për të gjetur një punë për djalin. Në këto kushte, iu drejtova për ndihmë një mikut tim të fëmijërisë që prej më shumë se 25 vitesh jetonte dhe punonte jashtë vendit. Pasi ia shpjegova hallin tim të madh, ai me tregoi se si në këto 25 vite të qëndrimit të tij në Europë, kishte arritur që të ndertojë dhe të konsolidojë një kompani të madhe ndërtimi e që do të bëhej puna dhe streha më e mirë edhe për djalin tim. Pas kësaj garancie, menjëherë e nisa djalin për në Zvicër duke zgjedhur udhëtimin përmes aeroportit të Kosovës. Në pikën kufitare të Qafë Morinit, njëri nga policët e korruptuar të doganës, filloj të na bëjë presion korruptiv për valixhen dhe djalin që ishte veshur shumë bukur. Ndërhyra duke i thënë policit se “ne jemi nga Tropoja dhe po shkojmë për një vizitë familjare në Tropojë”. Polici vuri buzën në gaz dhe foli duke më thënë se “me këto rroba dhe me këtë valixhe të madhe, ju po largoheni për azil në vendet e Europës e jo për në Tropojë”. Ishte koha kur Fatmir Xhafaj, ministër i rëndit (Shtator 2017), kishte lëshuar një urdhër për të penguar sa më shumë udhëtimin e azilkërkuesve shqiptarë përmes aeroporteve dhe pikave kufitare të Shqipërisë. Ishte koha kur mbi 600 000 shqiptarë kishin kërkuar azil në Gjermani dhe në vendet e tjera të Europës dhe mbi 374 000 të tjerë kishin aplikuar për llotarinë amerikane. Në këto kushte të rënda ekonomike e shoqërore, policët e rekrutuar pa moral, pa rregull e pa meritë, duket që ishin lëshuar si çakej për të shqyer e marrë para nga të gjithë djemtë e vajzat e reja që largohen jashtë vendit. Në këtë situatë të debatit tim me policin e korruptuar, djali i skuqur nga merzitja dhe nervozizmi, pashë që kaloi në krahun tjetër të policit dhe i vendosi në dorën e djathtë një kartmonedhë me vlerë 50 euro. Polici e pa dorën, i njohu eurot nga ngjyra dhe na la që të kalonim. Në këtë mënyrë, e gjithë rregullorja dhe urdhëri i ministrit të rendit, të gjitha ato marrëveshjet bilaterale të ministrisë së rendit me vendet partnere, si dhe ai debati moralizues që bëra, degjeneruan në 50 euro përfitim të paligjshëm. Në këtë mënyrë, edhe në ditën më të mërzitshme kur unë po largoja djalin e vetëm nga shtëpia, pashë dhe përjetova shantazhin, abuzivizmin dhe vjedhjen e hapur të administratës dhe të policëve militantë e të rekrutuar jashtë të gjitha kritereve dhe praktikave të rregullta administrative. Në të tilla rethana, pavarësisht nga dëshira e madhe e shqiptarëve për të mos e lëshuar vendin, duket që hemoragjia e elitës dhe e plazmës autoktone kombëtare po ndodh si kurrë më parë. Të gjithë e shohim dhe e përjetojmë faktin se si është përgjysmuar popullsia, se si ka rënë konsumi, se si është reduktuar fuqia punëtore, se si është reduktuar biznesi, se si po plaket popullsia etj., pa folur këtu për atë faktin që investimet serioze anglo-amerikane, gjermane etj., as që duken kund në horizont. E gjithë kjo ka ndodhur për shkak të një klase politike kriminale 28-vjeçare, tërësisht pasardhëse e klaneve antishqiptare dhe anit evropiane të diktaturës komuniste, e që ka prodhuar e mund të prodhojë vetëm qeveri dhe qeverisje idiote, klanore, kriminale, fragmentare e të korruptuara. Përballë kësaj situate dëshpëruese të shqiptarëve, gjithnjë na është gjendur ndihma, bujaria dhe fisnikëria e diasporës dhe e vendeve demokratike të botës. Shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë ndihmën e dhënë ndaj tyre në ditët më të vështira. Shqiptarët do u jenë përjetë besnikë e mirënjohës diasporës shqiptare, si dhe qeverive dhe të gjithë banorëve të Gjermanisë, Greqisë, Francës, Italisë, Anglisë, Kanadasë, ShBA, të gjithë atyre që i kanë ndihmuar në përballimin e së keqes së shkaktuar nga pjella e keqe, që siç thoshte At Zef Pllumi, ‘duhet bërë AP sa më parë me anë të zbatimit të reformave dhe ligjeve’ antikorrupsion, antidrogë dhe antikrim. Në këto kohëra të rënda për vendin dhe për familjet tona, lutja jonë e përditshme është e do të jetë: Zoti e ruajttë Shqipërinë nga horrat dhe nga pjella e keqe e saj! Zoti i nderoftë dhe i shpërbleftë me të mira emigrantët dhe të gjithë diasporën shqiptare! Mirënjohje përjetë për të gjitha qeveritë dhe popujt që i kanë ndihmuar e po i ndihmojnë shqiptarët në këto ditë e në këto kohëra shumë të vështira!