Balada “Zogu i Zi” dhe libri memorialistiko-erotik i Pangos

1423
Dr. Fejzulla Gjabri
Studiues

Në viset e Tiranës – sot kryeqytet ka shumë balada
Baladat që bëjnë jetë folklorike në trevën e Tiranës, pothuaj janë po ato të truallit kombëtar, veç varianteve interesante si “Vorri i Ashikut”, që ndonëse është në prozë, ka elementet e brendshme të baladës dhe të tjera që pasurojnë folklorin tonë. Mjaft këngë edhe të lirikës, tingëllojnë herë festive e të gëzueshme, herë mallëngjyese e të dhimbshme, si “Valizakja”, “Malinakja”, “Qyqja e beharit” etj, për të dalë te “Kënga e Rexhës” dhe e “Selman Brahimit”, me variantet e tyre aq të njohura e të aplikuara në ketë trevë. Është konstatuar se në ketë trevë “… baladat nuk kanë bërë atë jetë të gjallë, sikurse në disa treva të tjera të vendit. Këtu ato janë kryesisht ndër fshatra, ndërsa në qytet jeta e tyre ka qenë e zbetë” (Shih, H. Filja, “Këngë popullore të Shqipërisë së Mesme”, T. 1980, Hyrja). Nga ky konstatim, që është relativ, vlen ndryshimi fshat-qytet, kurse fshatrat, veçanërisht malësia, është mjaft e ndjeshme në përdorimin dhe aplikimin e krijimtarisë baladeske. Mund të themi se treva i ka të gjitha llojet e këtij krijimi, ndonjë vetëm në variantin më të hershëm. Në botimin tim “Tirana në balada dhe legjenda”, vetëm balada e “Nantë vllazne” ka 14 variante. Fjala nuk është për gjithë baladat, por për një baladë toponomastike, atë të “Zogut të Zi”, për të cilën ka disa mendime, disa variante dhe është shkruar edhe një libër me këtë titull nga Prof. Ylli Pango. Pikërisht, duke lexuar këtë të fundit, pashë se Pango nuk ishte në brendësi të baladës, por vinte në ndihmë të toponimit prostitucional, jo vetëm për vitet në të cilat flitet ndër banorë (1941-44), por në atë vis plotësohej me veprime të tjera erotike për vitet e mëpastajme. Në thëniet e banorëve, në qendër të toponimit “Zogu i Zi”, është një klub prostitutash aty pranë Rrethrrotullimit të sotëm. Në librin për jo moralistë të Pangos (se kështu e cilëson vetë Pango në titull), sigurisht që ka plot detaje të bukura, ca të jetës së vet, ca të të tjerëve, duke na dhënë ngjarje reale të përshkruara bukur. Jo vetëm kaq, por aty ka jetën e asaj copëze Tirane, në një kohë të vështirë, por të bukur për moshën e re. Parathënia “E qeshura dhe harresa”, shkruar nga Parid Teferiçi, jep atë që ka në qendër ky libër: “Identiteti… Mund të shihemi si Narcisi në pellgun e kujtimeve tona, ose të kridhemi herë pas here në atë pellg e të shihemi aty siç jemi në të vërtetë, në natyrën tonë të dyfishtë si njerëz e si valë”. Titulli të intrigon dhe mua më ‘detyroi’ ta lexoja. Në fakt kërkova, baladën, atë baladë që para disa vitesh e shënova prej një banor nga fshati Ahmetaq, jo larg qytetit të Tiranës. Por aty, në librin e Pangos nuk përmendej balada, por jepeshin disa variante të toponimit, gjithnjë lidhur me erotikën dhe prostitucionin. Megjithatë, kur flet për “Pse Zogu i Zi?”, pasi jep pallatin në formë ‘L’ dhe restorantin brenda tij, thotë: “A ia dha emrin restoranti me bëmat e tij, apo ketë emër e mori para se të ndërtohej pallati ynë? As atëherë e as sot nuk e di me siguri”. Më poshtë shton: “Në variantin më të hershëm thuhet, se kohë më parë, ndoshta në kohën e Zogut, jo të atij të ziut, por mbretit, diku aty rrotull, s’dihej saktë se ku, jepeshin shfaqje lakuriq dhe zogu i zi ‘ishte ajo vegla’ në zhargonin e Zogut të Zi (f.2)”. Pango jep edhe versione të ngjarjeve dhe vëzhgimeve në restorantin e punonjësve në të. Me tej jepen ndodhitë me repartin ushtarak aty pranë, shfaqja e filmave dhe marrëdhëniet e femrave me ushtarë etj. Meqë jemi te filmi, jepet edhe shfaqja e filmit hungarez “Zogu i Zi”, jepet edhe klubi me femrën Dudie etj. Jepen këto versione-soditje të kohës së rinisë së autorit, jepen bukur artistikisht, të trajtuara edhe psikologjikisht, veçanërisht nga trusnia e kohës. Kjo, se autori është psikolog, ndër më me zë që kemi sot. Më herët kemi një variant baladesk, jo thjesht moralist, por i dhimbshëm, i hershëm, i shënuar vetëm në kujtesën kolektive, i përhapur thuajse në gjithë viset shqiptare. Një nënë dhe një djalë mbetën aty ku sot i thonë “Zogu i Zi”. Jo për prostitucion, por për vështirësitë e jetës, të dhembshurisë së nënës. Aty zë fill kënga “Se ç’po knon një zog i zi, përmbi vorr të djalit ri”. Gjithsesi folklori nuk është histori, nuk është memorie aktuale e një brezi. Folklori është memorie kombëtare, që flet me shpirtin më njerëzor, qoftë për të mirën, qoftë për të keqen. 
Folklori dhe toponimi 
Një këngë dhe shpjegim nga fshati Ahmetaq: “E ke ngju kangën “Ku po knon nji zog i zi? Ka nodhë me një djal e nji nanë nga katuni jonë. Aty ku sot i thonë Zogu i Zi, ka qenë ni çezmë. Ishte e ndërtime me gur dhe mbushnin ujë shumë familje”. Një tjetër thotë: “Kroi kishte një histori të vjetër. Aty kish ndrru jetë një djalë i ri. E varrosën aty. Thonë se ishte nga një fshat i Tiranës, më duket nga Ahmetaqi. Një vit rresht nana e vet vinte nga larg e qante mbi vorrin e tij, që thonë se pas një viti vdiq. Pas kohës që ajo nanë s’ishte ma, vinte e ulej mbi atë vorr një zog i zi. Edhe deri vonë asht knue një kangë: “Ku po knonte zogu i zi?/ -N’shpinë të vorrit djalit ri”. Nga lotët e nënës u lag vendi dhe doli uji. Nga ky fshat erdhën njerëz dhe ndërtuan një çezme me gurë të zi, ku gdhendën përsipri një zog. Kështu këtij vendi i thanë ‘Zogu i Zi’, prej këtij zogu që gdhendën mbi çezme. Kështu m’kanë thanë”. Sigurisht kjo është një gojëdhënë dhe si e tillë mbetet. Kënga thotë “Nanës time mos i dëfteni”, por nëna asht nënë. Ndoshta nga këtu i ka rrënjët ‘Zogu i Zi’, te dhimbja e nënës. 

Ku po knon një zog i zi?
-N’shpinë të vorrit djalit ri.
-Ka po shkoni ju shokt e mi?
Ka po shkoni e ka po veni,
Nanës time mos i dëfteni.

Gojëdhëna e mësipërme pothuajse është zhdukur, se u zhduk kroi dhe varri, por mbeti kënga baladeske, si për të shprehur dhimbje. Ky krijim dhe të tjera si këto, duke qarkulluar, humbin vendin e origjinës. Por duket se ne nuk kemi diku tjetër një toponim të tillë, me emrin “Zogu i Zi”. Në këtë vend dikur ku ka pasur varreza dhe një çezme sipër tyre. Kjo mbahet mend nga tiranasit e vjetër, por është edhe e botuar në një revistë të viteve ’30 të shekullit të kaluar. Pra, një çezme ku të pinë ujë njerëzit dhe krojet mbahen mend.
Gojëdhëna për klubin
Në kohët e vona toponimi “Zogu i Zi”, filloi të lidhet me një klub prostitucioni, linjë që i mëshon edhe Pango, që u ngjan moteleve të sotme, por qëndroi për pak kohë (1941 – 1944). Në ketë tregim thuhet: “Tirana ishte e vogël. Shtëpitë shkonin deri ku janë sot ambasadat. Prej aty, ku sot kalon rruga e Durrësit, fillonte një përrua i vogël që derdhej në Lanë. Rruga e Durrësit ishte më nga ana e Fushës së Aviacionit, pra jo ku asht sot. Në breg të këtij përroi ishte një klub. E mbaj mend, një ndërtesë me shkallë përjashta për t’u ngjitur në kat të dytë. Kati i parë shërbente edhe për kafe edhe për ushqim. Në kat të dytë hynin ata që kishin pare shumë dhe pinin të shoqëruara me femra. Kati i dytë kishte anekse për të ba qejf. Bash për ketë arsye filluan t’i thonë “Zogu i Zi”. Në ketë klub kishte edhe shqiptarë, por me ketë punë merreshin ma shumë të huajt, veçanërisht italianët që punonin në Tiranë. Atëherë ndërtohej qendra me ministritë e sotme dhe rrugët e Tiranës, ku teknikët dhe inxhinierët shumica ishin të huaj”. 
Balada dhe tregimi erotik
Ky klub i vonë besoj se nuk qëndron në bazën e toponimit “Zogu i Zi”, për vetë kohën e pakët të qëndrimit, por sidomos për psikologjinë shqiptare, që nuk e ka në karakter të përjetësojë të shëmtuarën. Megjithatë, ka nga ata që pranojnë ketë të fundit. Është e drejta e kujtdo, që ta trajtojë si të dojë, mendoj se:

Së pari, koha e shkurtër e këtij lokali nuk mundet të mbetët në kujtesë aq sa të kemi një toponim. Kjo se në vitet ’95-2000 patëm shumë të tilla, si te Parku Rinia, para Parlamentit etj, por u zhdukën pa nam e nishan. 

Së dyti, Shumica e banorëve nuk e dinin këtë klub prostitucioni ose nuk donin ta dinin, se ishte jashtë normave shoqërore të kohës. Dhe zakonisht të shëmtuarën askush nuk do ta përjetësojë. Ndaj them se, pa bërë moral as për t’i vënë vulën, toponimi “Zogu i Zi”, nuk duhet të ketë lidhje më klubin e prostitucionit. Ndryshe është dhimbja e nënës. Ajo është përjetësuar në shumë këngë, siç është kjo që përmendëm, si bazë për toponimin e “Zogut të Zi”. 


Sigal