Bakri i pasur me ar, argjend e zink eksportohet si “baltë”

1409
Sigal

Gjiknuri “vulos” dosjen e vjedhjes së 170 mijë ton bakër stok në Munellë, të prodhuar nga shteti shqiptar përpara miratimit kontratës koncensionare

Nuk është një “burokraci” e manifestuar prej ministrit Damian Gjiknuri, çështja e heshtjes ndaj koncensionit hajdutëror të nxjerrjes, pasurimit dhe shitjes në tregun botëror së mineralit të bakrit shqiptar. Por është një skemë mafioze e paramenduar dhe e “ushqyer” që po e vazhdon me heshtje, vulë e firmë ky ministër “urith” dhe i pasinqertë, si bekues-vazhdues i lidhjeve të pista me bandën koncensionare mafioze turke, që prej më se 13 vitesh po zhvat bakrin shqiptar si mineral dhe përbërësit e çmuar që përmban bakri si ari, argjendi, zinku etj., të cilët nuk regjistrohen si metale të çmuara që dalin prej tij, por regjistrohen me peshë si mineral bakri i pa pasuruar. Por, ato realisht përvetësohen bashkërisht ne aleancë krimi ekonomik nga koncensionari turk, nga shtetarët që e kanë dhënë në vitin 2001, nga shtetarët që e kanë mbajtur në fuqi në vitet 2005-2013 dhe nga shtetarët që po vazhdojnë ta mbajnë në fuqi këtë koncension “floriri”.

Prej 14 vitesh, bakri i pasur në ar, argjend e zink eksportohet jashtë vendit si “baltë”

Dosja e koncensionit të shfrytëzimit të minierës së bakrit, të nxjerrjes, pasurimit dhe shitjes së bakrit shqiptar është një “pusetë” krimi ekonomik, “kapakun” e të cilës nuk po pranon e nuk po lejon ta hapë ministri Damian Gjiknuri. Ky është lënë si “roje” i bllokimit të kësaj dosjeje dhe po e bënë “detyrën” e mos hapjes së saj me shumë korrektesë. Edhe pse kemi kërkuar shpjegime në ministrinë “Gjiknuri”, nuk na janë dhënë, duke na thënë se, “dosja e koncensionit të bakrit është sekret shtetëror, kompetencë e ministrit Gjiknuri”! Edhe në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, institucioni ligjvënës që ka miratuar dhe ka çuar në Parlament për votim këtë koncension, nuk pranuan të na japin asnjë shpjegim. Pse kjo pengesë, ky terr informativ, ky bllokazh për të zbardhur dosjen e koncensionit të bakrit shqiptar edhe prej këtij pushteti, i cili gjatë kohës së opozitës e ka “mallkuar” duke e quajtur “krim mafioz shtetëror”, duke deklaruar se do të anulohej e do të ndëshkoheshin ashpërsisht ata që e kishin miratuar?! Nga investigimi ynë, rezulton se dosja e bakrit shqiptar, këtij minerali me përmbajtje të lartë ari, argjendi e zinku ka kaluar në një “odise” prej 7 muaj tenderash mafioz, eliminimesh, aferash, klientelizëm e konfliktesh mes 13 firmash pjesëmarrëse në tender. Ky koncension u nënshkrua mes Ministrisë së Ekonomisë dhe firmës turke “BER-ORNER”, me këtë përcaktim ligjor shtetëror shqiptar: Miratohet “Marrëveshja e koncensionit të formës “BOT”, ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë Publike dhe Privatizimit dhe shoqërisë së të drejtës turke “Ber-Oner Madencilik San.Ve.Tic.A.S.” për disa objekte të industrisë së bakrit dhe të kromit”. Sipas dosjes, kjo kontratë me 6 nene, u nënshkrua në datën 18.01.2001 dhe u miratua në parlamentin shqiptar, me Ligjin nr.8761, datë 02.04.2001, publikuar në Fletoren Zyrtare Nr. 18, datë 30.04.2001. Kontrata koncensionare, i njihte të drejtën firmës turke “BER-ORNER”, të ushtronte aktivitet nxjerrës e përpunues në vendburimin bazë të minierës Munellë. Përveç kësaj miniere, kontrata  autorizon firmën koncesionare të veprojë edhe në 9 sektorë të tjerë, si uzina e shkrirjes dhe rafinimit të bakrit në Rubik, impianti i skorjeve në Shëngjin, vendburimi i Lak-Roshit, i Karmës, i Vlahnës, i Perollajt, Fabrika e Fushë-Arrëzit, Fabrika e Mjedës dhe e Krumës. Përpara se të jepej leja koncensionare, për efekt informacioni dhe kontrolli ekonomik mbi aktivitetin e firmës “BER-ORNER”, u krye një studim për gjendjen dhe cilësinë minierare të bakrit në zonën e përfshirë në koncension. Sipas studimit, rezultoi se në strukturën e minierës Munellë, firma “BER-ORNER” e mori gjendjen faktike të mineralit të bakrit me 1 milion, 601 mijë e 1988 ton mineral bakër gjendje “stok”. Sipas evidencës pasurore nëntokësore, miniera kishte 5 milion e 543 milion tonë ton rezerva bakër masiv polimetalor, me përmbajtje 1,62% Cu, me 0,66% Zn, me 33,35% S, me 1,63 gr/ton Au, me 12,3 gr/ton Ag dhe përbërës të tjerë anësorë, nga të cilat deri në vitin 2008 u nxorën 820 mijë ton minerale të pasur me përbërje 3,8% Cu, me 4% Zn, me 3,7 gr/ton Au dhe me 60 gr/ton Ag. Rezulton se zona minerare e bakrit, Munellë e Lak-Rosh, ka “depozitë” nëntokësore e mbitokësore volum, cilësi dhe përmbajtje të çmuar pasurish. Përveç pasurive metalore të çmuara që përmendëm më lartë, nëntoka e kësaj miniere ka ende gjendje edhe afro 1.8 milionë ton rezerva bakri, me përmbajtje 1.69% Zn, me 2.37 gr/ton Au, me 42 gr/ton Ag dhe 0.2% Cu dhe të gjitha së bashku si volum mineral në këtë zonë minerare janë 7.3 milionë ton. Këto pasuri minerare bakri e metalesh të çmuara, vazhdojnë të nxirren, të mos regjistrohen e të mos merren nga shteti shqiptarë, por nga koncensionarët dhe shtetarët e këtyre 13 viteve e deri sot që koncensionin e mbanë sekret dhe e menaxhon ministri Gjiknuri, duke pasqyruara bakër të varfër, kur realisht është bakër i pasur me përqindje të lartë ari, argjendi, zinku etj., klasifikuar në vend të parë në botë!

Dosja e bakrit 14 vjet pa raport në Parlament, Gjiknuri prej 1 viti fsheh dhe mbron skandalet

Koncensioni i bakrit, prej afro 14 vitesh aktivitet, nuk është marrë në analizë asnjëherë prej parlamentit shqiptar edhe pse sipas ligjit, prej duhet të kontrollohet çdo 3 muaj nga ministria, çdo 5 muaj nga ministri e prej ministrit të raportohet çdo 1 vit në Komisionin e Ekonomisë dhe parlament. Por kjo nuk ka ndodhu e nuk po ndodh. Ministrit Gjiknuri i është kërkuar 11 herë me shkresë zyrtare nga Komisioni Ekonomisë për të çuar dosjen dhe informacion mbi dosjen e bakrit, por nuk ka pranuar. Çfarë batërdie të ndodhur me këtë dosje, po fsheh ministri Gjiknuri dhe përse? Sipas kontratës koncensionare, në 10 vitet e para (2001-2011) do futeshin në shfrytëzim 1.45 milionë ton bakër me 4 lloj rezervash, ku kryesore ishin minerali me 3.8% Cu dhe minerali me 1.2% Cu, pa lënë mënjanë elementët e tjerë si Zn, Ag etj.. Mirëpo firma koncesionare nuk e respektoi këtë detyrim kontraktor, përkundrazi abuzoi rëndë deri në shkatërrim dhe zhvatje të pasurive të nxjerrjes dhe përpunimit të bakrit. Firma koncensionare turke “BER-ORNER” e nisi aktivitetin me shkelje ligji dhe mos plotësim detyrimesh, duke u lejuar  të abuzojë lirshëm deri në fund të vitit 2004. Nisur nga gjenda e rënduar në industrinë e bakrit e cila po shfrytëzohej pa investime për perspektivën, nga abuzimet fiskale dhe vjedhja e pasurive të bakrit prej kësaj firme, Ministria e Ekonomisë u detyrua, që me shkresën e saj, nr. 998 prot., datë. 22. 02. 2005, të kërkoj nga firma “BER-ORNER” përfundimin e projektit teknologjik, riciklimin e mbetjeve të pasura të mineralit, ngritjen e laboratorit kimik për analizat e Cu, Zn, Au dhe Ag, kryerjen e investimeve sipas grafikut. Pas 6 muajsh, konkretisht në korrik 2005 u ushtrua kontroll në veprimtarinë e koncesnionit të bakrit, ku u konstatua se, firma “BER-ORNER” nuk kishte realizuar detyrimet kontraktore. Nën presionin e sindikatës dhe minatorëve, ministria e paralajmëroi firmën “BER-ORNER” me shkresën nr. 3296 prot., datë 22.07.2005, me këtë ultimatum: “Në rast moszbatimi të programit si me sipër, në zbatim të ligjit për koncesionet dhe nenit 12 të Marrëveshjes së Koncesionit, OSHA-ja, do të marrë përkohësisht përsipër, projektin dhe do të fillojë procedurat e prishjes së Marrëveshjes së Koncesionit”. Ky vendim është në fuqi edhe sot, për të cilin është kërkuar verfikimi9 nëse është zbatuar ose jo, por ministri Gjiknuri nuk lejon askënd të “prek” koncesnionarin turk, duke bllokuar informacionin dhe kontrollet e planifikuara e të kërkuara prej AKBN (Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore).

Ja 15, nga 30 skandalet në “dosjen” e bakrit, që po i fsheh ministri Gjiknuri

1. Prej 14 vitesh, firma turke, nuk ka realizuar as 10% të të detyrimit për investimet kapitale, sipas studimit të koncesionit dhe sipas kontratës koncensionare parlamentare, miratuar me ligjin Nr.8761, datë 02.04.2001.

2. Nuk është futur në shfrytëzim rezerva minerare me përqindje bakri më të vogël, duke vazhduar ende mënyrë të kundërligjshme, shfrytëzimin e përqendruar në rezervat më të pasura të bakrit, duke përfituar afro 1.6 milion ton mineral bakri të rezervave të bakrit të pasur me përmbajtjes mesatare 4.5 % Cu, 3.5 % Zn, 4 gr/ton Au dhe 80 gr/ton Ag, si dhe marrjen e 580 mijë ton mineral me 2 herë përmbajtje më të lartë Cu, Zn, Au dhe Ag, rezerva këto, që me ligjin shqiptar, duhet të nisin shfrytëzimin pas vitit 2020.

3. Është lejuar që në fabrikën e pasurimit të Bakrit në Fushë-Arrëz, edhe sot pas 14 vitesh kontratë, të mos instalohet teknologjia e moderne për rikuperimin e bakrit, zinkut, arit dhe argjendit në përputhje me studimin e detyrueshëm të kontratës koncesionare, sipas të cilit duhej të rikuperohej 85% e Cu, 70% e Zn, 45% e Au dhe Ag.

4. prej 14 vitesh,, në kundërshtim të plotë me kontratën koncesninare ligjore parlamentare, firma turke, po lejohet prej shtetit shqiptar dhe po vazhdon të lejohet prej ministrit Gjiknuri me firmë e vulë eksporti, që pasurimi bakrit pra marrja e arit, argjendit, zinkut etj., të bëhet jashtë vendit, pra të dalë jashtë thesarit shtetëror shqiptar.

5. Në kundërshtim me ligjin dhe kontratën koncensionare, që parashikon që bakri të rikuperohet (pastrohet) 75% e bakrit, arit, argjendit e zinkut është lejuar prej dhe po vazhdon të lejohet që të rikuperohet vetëm 30% e bakrit, 0 % e zinkut, 12% e arit dhe 11% argjendit.

6. Është lejuar që stoku prej 170 mijë ton mineral bakri, gjendje mbi tokë përpara dhënies së koncesionit, firmës turke, mineral ky mbetje të pasura Cu, Zn, Au, Ag të nxjerr prej minierës së Munellës, të depozitohet mbi sterilet (gurët e balta) të dala prej mineraleve të Qafë-Barit dhe të regjistrohet jo si mineral por “si baltë” e të përvetësohet pa asnjë qindarkë prej firmës turke.

7. Nuk është zbatuar neni 12, i Marrëveshjes Koncesionare, që thotë: “OSHA (Organi Shtetëror i Autorizuar-Ministria e Ekonomisë), ka të drejtë të fillojë procedurën e prishjes së Marrëveshjes, për rastet kur konstaton shkelje të detyrimeve të marra përsipër nga koncesionari”.

8. Nuk është zbatuar ligji për koncensionet, që detyron këtë veprim: “Në rastet kur nga OSHA (Organi Shtetëror i Autorizuar-Ministria e Ekonomisë), konstatohen rastet e përmendura në paragrafin e I, ato menjëherë t’i bëhen të ditur palës tjetër dhe ato presin për një periudhë 30 ditore përgjigjen me shkrim të firmës koncesionare dhe pastaj ndërhyjnë për prishjen e kontratës”.

9. Nuk është zbatuar neni 13, i ligjit të vjetër të koncesionit, mbi të cilin është bërë marrëveshja dhe neni 5, pika 5.4 e Marrëveshjes së Koncensionit, të cilat autorizojnë OSHA, të marrë përkohësisht përsipër projektin. Edhe për këtë ndërhyrje, koncesionari është njoftuar, me shkresën nr. prot. 3296, dt.22.07.2005, të OSHA, por tre muaj më pas është bllokuar zbatimi me urdhër të ish- ministrit Ruli dhe vazhdon të bllokohet me urdhër nga ministri Gjiknuri.

10. Nuk është zbatuar neni 60 i Ligjit Minerar që është konsumuar nga shkresat nr. 998 prot., datë 22.02.2005 dhe nr. 3296 prot., datë 22. 07. 2005, si dhe neni 106 i Ligjit Minerar, duke bllokuar mos heqjen e lejes minerare për firmën turke.

11. Nuk është lejuar, që të caktohet firma e cila do të merrte përsipër zhvillimin e projektit koncensionar të bakrit, deri në prishjen e marrëveshjes, ose pas prishjes së marrëveshjes me firmën “BER-ONER”, duke mos hapur tender me procedura të përshpejtuara sipas ligjit minerar.

12. Nuk është zbatuar neni 7, pika 3 e ligjit Nr. 7764, dt. 02.11.1993 “Për Investimet e huaja”, duke mos bllokuar shitje-eksportin e koncentratit gjendje, bazuar në ligjin “Për detyrime të pashlyera”, por është lejuar firma turke të vazhdoj të eksportoj e të tregtojë direkt vet mineral bakri edhe pse nuk ka shlyer ende detyrimet fiskale për fitimin bruto prej 12 milionë dollarë për vitet 2005-2008, fitim ky që sipas nenit 11, pika 11.2 të marrëveshjes koncesionare nuk është taksuar, por i është “falur” firmës, me urdhër të ministrit Ruli dhe që nuk zbardhet publikisht prej ministrit Gjiknuri.

13. Nuk është lejuar të bëhet e të publikohet bilanci i detyrimeve të pashlyera të firmës turke, ku futet dhe vlera e papaguar e taksës së fitimit, doganave e TVSH në vlerën 32 milionë dollarë (TVSH-ja është marrë nga firma turke me letra false prej shtetit shqiptar), parashikuar në nenin nr. 11, pikat 11.1 dhe 11.2 dhe në ligjin fiskal, në ligjin e tatim-taksave e të doganave, skandal ky që po fshihet edhe prej ministrit Gjiknuri.

14. Nuk është lejuar të zbatohet raport-konkluzioni i kontrollit të bërë nga Ministria e Ekonomisë, që argumenton me prova shfrytëzimin abuziv e shkatërrues të minierës së bakrit (Munellë) dhe nuk është zbatuar e nuk po zbatohet urdhri Nr. 98, dt. 03. 02. 2006, të Drejtorisë Rregullatore, për heqjen e koncesionit, firmës turke.

15. Ministria e Gjiknurit e ka ndaluar 11 herë AKBN dhe Drejtorinë e Shfrytëzimit të Minierave në ministri, që të ushtrojnë kontrolle faktike me raport kontrolli në minierat e bakrit lidhur me investimet, sigurinë në punë, teknologjinë dhe praktikën e shfrytëzimit të rezervave të lejuara e të ndaluara të bakrit.

(SHËNIM: Ne do të vazhdojmë të japim të detajuara të gjithë shkeljet e kryera, të cilat kanë sjellë pasoja të rënda për ekonominë e vendit, për qytetarët e zonave, minatorët dhe sindikatat, zgjerimin e aktiviteteve të këtyre kompanive, edhe në qytete të tjera dhe në biznese të tjera sikurse është edhe rasti i KURUM, dosjen e të cilit do t’ua bëjmë prezent shumë shpejt).

 Përparim HALILI