Bajazit Karriqi: “Për akuzat le të veprojë ligji, jam i gatshëm të përballem”

567
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, Kryetari i Bashkisë së Përrenjasit: “E vërteta e shkarkimit të Myslym Karriqit”

Kryetari i Bashkisë Përrenjas, Bajazit Karriqi në një intervistë për gazetën “Telegraf”  i përgjigjet të gjithave akuzave që janë ngritur këto ditë ndaj tij nga ish- kryetari i Këshillit Bashkiak, Myslym Karriqi njëkohësisht dhe kryetari i AK-së në këtë qytet. Kryebashkiaku Karriqi mohon të ketë kërcënuar me jetë z.Karriqin dhe se të gjitha këto janë spekulime nga njerëz të pa përgjegjshëm. Ai ndër të tjera citon “unë jam i gatshëm të përballem me ligjin”. Ndërkohë, shprehet se, ka bërë edhe një denoncim në Prokurorinë e Rrethit të Elbasanit dhe se do të jetë kjo e fundit që do të zbardhë të gjithë akuzat e ngritura ndaj tij.

Zoti  Karriqi, Kryetari i AK në Përrenjas dhe njëkohësisht ish- kryetari i Këshillit Bashkiak ju ka akuzuar se e keni kërcënuar me jetë. A është e vërtetë kjo akuzë?

Nuk është aspak e vërtetë, por ai i përket një force politike agresive. Nuk ka lidhje me asnjë lloj kërcënimi, të gjitha janë shpifje nga një njeri i sëmurë. Unë të gjitha këto spekulime në lidhje me këto çështje që janë dhënë dhe në disa media i kam denoncuar në Prokurori dhe do t’ia lë organeve kompetente që të zbardhin këtë të vërtetë ndaj të gjithë akuzave që janë ngritur ndaj meje.

Aleanca Kuq e Zi ka kërkuar arrestimin tuaj, si mendoni?

Kjo ka lidhje me atë që unë thashë më lart se këto spekulime bëhen nga një forcë politike agresive dhe kryetari i bashkisë nuk arrestohet me anë të deklaratave politike të njerëzve të papërgjegjshëm, por në bazë të ligjit. Dhe nëse unë kam shkelur ligjin ai le të veprojë. Në fakt të gjitha veprimet e kryetarit të Bashkisë janë komfort me ligjin dhe kompetencat që i jep ligji për t’i ushtruar ato.

Kryetari i AK-së dhe ish- kryetari i Këshillit Bashkiak i Bashkisë së Përrenjas ju ka akuzuar publikisht se ju nuk keni deklaruar të ardhurat tuaja të plota, sa e vërtetë është kjo?

Nuk është aspak e vërtetë, të dhënat e të ardhurave të mia janë të paraqitura te Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive gjë që mund të verifikohet. Kam plotësuar gjithçka konform ligjit për Kryetarin e Bashkisë Përrenjas, por për të gjithë të zgjedhurit vendorë.

Ish-kryetari i Këshillit Bashkiak, Muslim Karriqi e quan të paligjshëm shkarkimin e tij nga detyra dhe se nuk është njoftuar për mbledhjen e ditës së premte?

Heqja nga detyra e ish-Kryetarit të Këshillit Bashkiak është bërë sipas ligjit. Një grup këshilltarësh i përbërë prej 8 vetash  kanë bërë një mocion mosbesimi, ku kërkonin heqjen e tij pasi kishte shkelje të ligjit në mënyrë të hapur. Kurse përsa i përket njoftimit është njoftuar nga sekretari i Këshillit Bashkiak Mersin Alla me shkrim, gjë që e verifikojnë të gjitha dokumentet.