Baftjar Zeqaj: Në Greqi janë 150 mijë emigrantë nga rrethi i Fierit

540
Sigal

Intervistë  me  Kryetarin  e  Bashkisë  Fier, z. Baftjar Zeqaj: Greqia mbahet si shteti më racist në Europë  

Në mbrëmjen e datës 7 dhe 8 Dhjetor 2013 gjithë emigrantët e ishullit të Zakynthos, patën kënaqësinë të ndjekin me shumë interes dhe ovacione një shfaqje të mrekullueshme të ansamblit “Myzeqeja” të Fierit.

Prej afro 23 vitesh, në këtë ishull janë të punësuar dhe punësohen çdo vit të hapjes së sezonit turistik shumë emigrantë shqiptar. Sipas të dhënave paraprake në këtë ishull llogaritet një numër rreth 5-6 mijë emigrant shqiptar të legalizuar.

– Z. Baftjar përse ndodheni sot në Zakynthos?
– Ne si bashki e Fierit ndërmorëm këtë bashkëpunim kulturor me bashkinë e Zakynthos, në kuadër të integrimit të emigrantëve, bashkatdhetarëve tanë që punojnë dhe jetojnë në këtë ishull të bukur.
Ne u gëzuam që gjetëm këtu një klimë të ngrohtë, mund të them, një frymë bashkëpunimi, nga ana e kryetarit të bashkisë së ishullit z. Stilianos Boziqis dhe themi se kjo frymë bashkëpunimi do të vazhdoj më tej.
Si për herë të parë që bëjmë një veprimtari të tillë në dobi të emigrantëve, jetës dhe familjeve të tyre, unë si kryetar bashkie bisedova me deputetin e Fierit z. Armando Subashi dhe Kryetarin e Partisë Socialiste të Fierit, z.Andius Olldashi vendosëm që të merrnim grupin artistik “Myzeqeja” dhe erdhëm për një shkëmbim kulture. Erdhëm të shpalosim këtu kulturën shqiptare, kulturën popullore, kulturën e Myzeqesë tonë me këtë grup të mrekullueshëm valltarësh dhe këngëtarësh të mrekullueshëm.

– Sa jeni në dijeni të numrit të emigrantëve nga rrethi i juaj në Greqi?
– Nuk kemi një numër të sigurt por diku tek 150 mijë emigrant janë vetëm nga rrethi i Fierit.

D.C – Sa i njihni ju problemet e emigrantëve?
– Nuk mund të pretendoj se jam jashtë sferës së njohjes së problemeve të emigrantëve që jetojnë dhe punojnë në Greqi dhe kryesisht në Zakynthos meqë jemi këtu.
Edhe në takimin që bëmë me kryetarin e bashkisë së Zakynthos, i ngritëm disa probleme siç është edhe problemi i shkollimit në gjuhën amtare. Kryetari i bashkisë u tregua i gatshëm të ndihmonte në këtë drejtim dhe shpresojmë të fillojnë ndryshimet e para nga viti që vjen. Unë mund të them me bindje se Greqia tani ka ndryshuar shumë dhe nuk është më ajo Greqia e para dy vjetëve që nuk donte t’ja dinte për hallet e problemet e emigrantëve. Tani mbase e ka kuptuar se jeta e popullit grek nuk është e shkëputur nga jeta e këtyre emigrantëve që punojnë prej 23 vjetësh ndershmërisht në këtë vend.

– Si i ndihmoni emigrantët në bashkinë tuaj lidhur me problemet që kanë për riatdhesim apo për dokumentet e ndryshme?
– Në bashkinë, ku unë kryesoj mundohem t’ju shërbejmë sa më mirë emigrantëve dhe nuk kam raste ku një punonjës të mos ju shërbej. Kam porositur edhe në mënyrë të veçantë punonjësit e gjendjes civile, ku emigrantët përplasen më shumë për punë dokumentacioni.

– Sa shqetësohet qeveria shqiptare për veprimet raciste të shtetit grek, të shprehura shpesh ndaj emigrantëve?

– Greqia mbahet si shteti më racist në Europë  dhe këtë e ka shprehur shpesh me sjelljen e saj ndaj emigrantëve por ne shpresojmë se qeveria e re që doli mbas zgjedhjeve të 23 Qershorit të sivjetmë, me z. Edi Rama, do të gjejnë gjuhën e mirëkuptimit dhe kjo veprimtari që ne bëmë sot është në funksion të kësaj strategjie zhvillimi të përbashkët si dy shtete gjitonë që jemi dhe që duhet të kemi ura dhe interesa të përbashkëta zhvillimi në rajonin e Ballkanit dhe në BE ku Shqipëria së shpejti do të bëhet kandidate e këtij organizimi të fuqishëm.
Për këtë u bashkuam edhe me deputetin z. Armando Subashi, i cili do ta çojë zërin tuaj në parlamentin shqiptar, i cili është organi ligjvënës për politikën e vendit dhe unë kam shumë besim për këtë, sepse Armando është një djalë i shkëlqyer që i bashkohet zërit të emigrantëve, duke treguar shumë interes për zgjidhjen e halleve dhe problemeve të tyre.
– Ju falënderojmë z.Baftjar për këtë intervistë të shkurtër por me shumë rëndësi për ne emigrantët dhe shpresojmë që ky bashkëpunim i mirë ndërmjet këtyre dy bashkive të zhvillohet më tej për të mirën e të dy popujve.
Edhe unë ju falënderoj juve për intervistën dhe premtoj se do bëjmë të pa mundurën të mbajmë premtimet e dhëna për zhvillimin e vendit.