BABËZIA/ Ofensivë tenderësh, në 15 ditët e fundit janë paraqitur 51 mijë kërkesa njoftimesh në APP

50
Nëse blerja e votës uli kursin e Euros, paniku që ka krijuar kryeministri, me kërkesat publike për dorëheqje të drejtorëve, për largime nga detyrat në sy të popullit dhe prej presionit se do të pastrojë gjithë zyrat e shtetit nga grabitqarët dhe parazitët, ka rritur fluksin dhe vlerat e tenderëve që zhvillohen me fondet publike! Prej panikut të heqjes nga postet dhe zyrat, qysh prej ditës kur kanë nisur dëgjesat (gjyqet popullore) “ushtria” e drejtorëve dhe zyrtarëve të shtetit është hedhur në sulm për të zhvatur sa të munden deri në orën e fundit që do të jenë në funksione! Nëse kryeministri i quan parazitë, kur bëhet fjalë për tenderë ata nuk janë parazitë, por tepër aktivë! Nga burime brenda Agjencisë së Prokurimeve Publike (APP), thuhet se vetëm në 2 javët e fundit të muajit korrik 2017, në adresë të saj janë dërguar për publikim mbi 51 mijë njoftime tenderësh, 30% e të cilëve të përsëritur, të shoqëruar me shënimin: “Urgjent”! Është një sulm tenderësh më shumicë, që ka nisur nga shumë institucione me rekord tenderësh në shëndetësi, bashki e shërbime publike, ndërmarrje, ministri, drejtori rajonale qendrore, prefektura, porte, zyra pune, AKU, borde, agjenci shtetërore, aeroport, këshilla qarqesh, inspektorate, dogana, tatime, arsim, kulturë, ushtri, polici e kudo! Hajdutëria dhe babëzia e drejtuesve të shtetit, u është vërsulur fondeve publike, duke sajuar tenderë që nuk investohen, që nuk kryejnë blerje reale mallrash e produktesh, shërbimesh e lëndësh të para, por vetëm sa regjistrohen fiktivisht për të justifikuar vjedhjet! Kujtojmë, që këtë “portë” e hapi vetë Agjencia e Prokurimeve Publike, e cila njoftoi se lejohen tenderët me vlera të vogla monetare!