Babëzia e shtetarëve me paratë e fukarenjve

523
Duket se drama e 34 familjeve të zonës së Funarit nuk ka mbaruar akoma, edhe pse prej 3 vitesh marrin premtimin se “do të kompensoheni”. Prej afro 10 ditësh, 34 kryefamiljarët e familjeve që pësuan dëmtime të plota të banesave në zonën malore të Funarit, trokasin në dyert e zyrave të shtetit, por dhe të një banke, e cila sipas tyre “duhet të bënte xhirimin e parave nga qeveria në xhepat e tyre”. Por prej 10 ditësh ata nuk marrin një përgjigje të mirë apo të keqe nga banka dhe Drejtoria e Emergjencave Civile për fatin e parave dhe zgjidhjen e problemit të tyre. Sipas Dalip H. një banor i vjetër i zonës së Funarit “tërmeti marsit 2013 na shkatërroi banesat, po ashtu edhe një firmë, e cila kishte 4 muaj para tërmetit, që gërmonte malin për të nxjerrë gurë të cilësorë ndërtimi, përfundimisht ne kemi afro 3 vjet e disa muaj që gdhihemi dhe ngrysemi tek njerëzit tanë, disa flenë edhe tek hauret e komshinjve, dhe na u premtua nga qeveria se do t’ju japim nga 12 milion lekë të vjetra, pra 34 familje nga 12 milionë lekë , gjithsej 408 milion , aq sa bëjnë makinat e dy ministrave të kësaj qeverie, kurse sot na thuhet se paratë nuk janë lëvruar, banka tallet, tallet edhe qeveria dhe ne kemi mbetur bulevardit të Elbasanit pa përkrahje dhe mes katër rrugëve”. 

Banorët e 34 familjeve të zonës malore të Funarit ankohen, sepse kanë patur edhe raste fatkeqësish ku nuk kanë munguar edhe vdekjet e dy foshnjave gjatë dimrit të kaluar, pasi prindërit e tyre flinin në plevica të mbuluar me mushama. Sipas tyre “jeta jonë është më keq se kafshët e egra, kemi 3 vjet që na mbajnë me premtime deputeti zonës, prefektë e ministra dhe ne sot jemi mes katër rrugësh, por deklarojmë se qysh nga dita e hënë do të shtrihemi tek kryeministria dhe do ti kërkojmë zotit Rama zgjidhjen e problemit sepse po diskriminohemi, po na japin nga 12 milion lekë vjetra kur na u shemb gjithë shtëpia, dhe kishim derdhur kursimet e fëmijëve, dhe firma “E.M” prej 3-4 vitesh ka shembur 90 për qind të objekteve atje në Funar, dhe as policia dhe as organet e tjera të shtetit nuk marrin masa, pasi daroviten nga pronarët”. Drama e 34 familjeve dhe qindra familjeve të tjera në zonën malore të Funarit, pason atë të 128 familjeve të cilat janë edhe sot pa shtëpi në Dumre, Labinot Mal, dhe Sericë, pasi tërmetet e 2-3 viteve të fundit, që kanë rënë në qarkun e Elbasanit, kanë shkaktuar dëme të mëdha edhe atje.

Në qarkun e Elbasanit janë mbi 162 familje, të cilave u janë shembur totalisht banesat e tyre në 2-3 vitet e fundit nga tërmetet, por deri sot atyre nuk u janë dhënë ndihmat e premtuara dhe nuk janë shpërblyer me para në afatet dhe sipas llogaritjeve në terren nga grupet miks të punës të Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile dhe Prefektura. Edhe pse atyre ju deklarua se “brenda dhjetorit 2013 do të merrni paratë”, aktualisht kanë kaluar tre dhjetorë, do të kalojnë edhe dhjetëra të tjerë dhe nuk kanë shansin të marrin para nga qeveria për të rindërtuar banesat , stallat apo objektet e tjera të shembura. Ato familje në zonën malore të Funarit, akuzojnë edhe firmën e cila prej 3 vitesh gërryen malin dhe që edhe pse pa leje mjedisore, apo leje shfrytëzimi, po u shemb atyre banesat dhe shkatërron me mjetet e saj të rënda rrugën e vetme, e cila u ndërtua 5 vjet më parë me fondet e FSHZH. Të mbetur pa punë, pa bukë, pa ndihmën ekonomike nga shtetit, 34 familjet e Funarit dhe 128 familjet e tjera në Sericë, Labinot Mal dhe Dumre, u bëjnë apel qeveritarëve t’i kthejnë sytë edhe nga ata, sepse po u vdesin foshnjat nga i ftohti, nga uria dhe kushtet shtazarake, në të cilat po jetojnë prej 3 vitesh, pa patur të paktën një çati mbi krye.
Sigal