Babëzia, 311 bashki e komuna kanë shpallur 4457 tendera në… 20 ditë

538
Sigal

 Investigimi i “Telegraf”/282 drejtues lokalë, shpallin “fitues” tenderash firmat e njëri-tjetrit, ofensiva e tenderave rrezikon zbrazjen e plotë të “arkave” në 298 bashki e komuna

Fundi i mandatit të pushtetit lokal prej ndarjes territoriale, prej konsumit moral dhe numrit të mandatave, po zbulon fytyrën prej abuzuesish të drejtuesve të pushtetit lokalë në komuna e bashki, duke konfirmuar realitetin, që ata e kanë përdorur pushtetin e marrë prej votës së popullit për përftime personale. Këtë e provon edhe lëvizja e tyre në këtë prag fundi pushteti, që lidhet me oreksin e shfrenuar të “bejlerëve” të bashkive e komunave në krejt Shqipërinë, për të bërë tendera të shumtë, duke i vërsulur këta të pangopur, pa asnjë frenim, mbi “thesin” e taksave të mbledhura dhe fondeve të akorduara prej shtetit.

282 “bejlerë” zonash, bëjnë trafik tenderash me firmat e njëri-tjetrit

 Duke lexuar Buletinin e Prokurimeve Publike të muajit shkurt 2015, konstaton shpërthimin e “lumit” të shpalljes së tenderave. Janë lloj-lloj tenderash që janë hedhur në “pazar” e për pazar përfitimesh me firma të paracaktuar si fituese, shumica edhe firma të “bejlerëve” të komunave e bashkive të prezantuara me emra e administratorë të besuar të tyre. Sipas investigimeve që kanë kryer agjencitë investiguese shtetërore, rezulton se 264 drejtues të bashkive e komunave, disponojnë si pronë të tyre, firma e kompani private me administratorë “besnikë të tyre”, më të cilat fitojnë tenderat që shpallin vetë. Ndërkohë, janë 282 “bejlerë” të bashkive e komunave, që bëjnë pazare tenderash me njëri-tjetrin, duke shpallur fitues firmat e tyre dhe të klientëve të tyre të futur në pazar. Janë pikërisht këta, që vetëm 100 ditë përpara zgjedhjeve lokale, kanë nisur ofensivën me tendera të shumtë. Gazeta “Telegraf” ka bërë një vëzhgim në Buletinin e Prokurimeve dhe ka konstatuar, se këto ditë janë shpallur tendera të shumtë, madje edhe nga bashki e komuna që nuk kanë shpallur tendera investimesh, blerjesh e shërbimesh qysh prej 1 e 2 vitesh. Ka bashki e komuna, të cilat deri në dhjetor 2014, shpallnin nga 1 tender në 4-5-6 muaj, ndërsa në periudhën janar-shkurt 2015, kanë shpallur deri në 3, 4 e 8 tendera në ditë! Aq e kuptueshme është kjo babëzi e “bejlerëve” të zonave, për të përfituar me tenderat e fundit të pushtetit të tyre, sa disa prej tyre kanë shpallur edhe tendera me vlerë 20-30 mijë lekë për blerje ilaçi për asgjësim mizash dhe blerje “çarku”, për të kapur… minjtë në zyra! Ka tendera për blerje legenash, për blerje gazi ngrohje shtesë për zyrën e kryetarit, ka tendera për riparim makine të komunës në vlerë 1.3 milionë lekë… kur vetë makina kushton 870 mijë lekë. Ka tendera për blerje kosha zyre për hedhje letrash, me fond 12 milionë lekë, që i bie të blihen 4000 kosha letrash për zyrat e një komune ose bashkie! Ka plot çudira! Ajo që nuk çudit është fakti, se këto tendera bëhen sipas praktikës: “Jemi në fund të pushtetit, në sulm për të zhvatur sa të mundet”! P.sh., ka edhe tendera që lidhen me investime në rrugë, mjedise, objekte sociale, shërbime publike për komunitetin, të cilat janë kërkuar prej 4 vitesh nga qytetarët, por që “bejlerët” e bashkive dhe komunave nuk i bënin këto investime, duke luajtur “ping-pong” interesash partiake. Tani në 100 ditët e fundit e hapën “thesin”, madje afati për zhvillimin e tenderave është 4-5 ditë nga dita e shpalljes, pra “sprint” për t’i mbyllur sa më shpejt pazaret me tenderat! Fakti është ky: 311 “bejlerë” bashkie e komunash, kanë shpallur 4457 tendera vetëm në 20 ditët e fundit! Një pyetje vlen të bëhet në adresë të Kryeministrit Edi Rama: Duke kuptuar, që këto tendera tani në fund të pushtetit bëhen vetëm për përfitime abuzive, a duhen lejuar të zhvillohen, apo duhen bllokuar nga qeveria?! Siç dihet, banorët e zonave kanë duruar 4 vjet e madje edhe 20 vjet pa këto investime e shërbime, që kanë shpallur 311 “bejlerët” e komunave dhe bashkive. Pas 4 muajsh, nis pushteti i ri lokal me 61 njësi vendore e këto fonde dhe taksa, 60-70% e të cilave dihet që do bëhen pasuri për “bejlerët” në ikje, le të lihen si “buxhet gjendje” për bashkitë e reja! Sepse ka një informacion gazeta “Telegraf”, që duhet vlerësuar si “krizë” financiare për pushtetin lokal: Në 298 bashki e komuna, kjo babëzi e shfrenuar me tendera të shumtë është zbrazje e plotë e “arkave” të tyre…

Bashkia Kamzë, “rekord” me 17 tendera në javë, 3-4 tendera në ditë

 Një nga rekordet e numrit të lartë të tenderave të shpallur në 100 ditët e fundit të pushtetit dhe sidomos në 10 ditët e fundit është bashkia Kamëz, që drejtohet nga Prof. Dr. Xhelal Mziu. Në fakt janë tendera investimesh në rrugët e rrugicat e kësaj bashkie, të cilat banorët i kanë kërkuar prej vitesh dhe nuk janë bërë. Tashmë, në fund të pushtetit, janë shpallur tendera për secilën rrugë e rrugicë, madje edhe dy tendera për të njëjtën rrugë, por për secilin krahë të rrugës! Madje aq shumë i është vërsulur tenderave “beu” i bashkisë Kamzë, sa ka shpallur edhe 4 tendera në ditë, madje duke i zhvilluar edhe në çdo 1 orë distancë kohore nga njëri-tjetri.

 – Objekti: Ndërtim rruga “Apolonia” – “Bathore 7”, fondi limit pa TVSH është 8 milionë, 066 mijë e 688 lekë. Hapja e ofertave bëhet në datën 27. 02. 2015, ora: 10.00.

– Objekti: Ndërtim rruga “Reçi”- “Bathore 1”, fondi limit pa TVSH është 8 milionë, 737 mijë e 586 lekë. Hapja e ofertave bëhet në datën 27. 02. 2015, ora: 11.00.

– Objekti: Ndërtim rruga “Bujan” – “Bathore 1”, fondi limit pa TVSH është 4 milionë, 167 mijë e 978 lekë. Hapja e ofertave bëhet në datën n27. 02. 2015, ora: 14.00

– Objekti: Ndërtim Rruga “Marlin Barleti” – KUN – “Bathore 6”, fondi limit pa TVSH është 6 milionë, 680 mijë e 812 mijë. Hapja e ofertave bëhet në datën 02. 03. 2015, ora 13. 00.

– Objekti: Ndërtim Rruga afër Lulishtes Lagje nr.1 Kamzë 2015, fondi limit pa TVSH është 1 milion, 659 mijë e 086 lelë. Hapja e ofertave bëhet në datën 02. 03. 2015, ora: 11.00.

– Objekti: Ndërtim K.U.N Rruga “Oslo”- “Bathore 7”, fondi limit pa TVSH është 1 milionë, 069 mijë e 836 lekë. Hapja e ofertave bëhet në datën 03. 03. 2015, ora 13.00.

– Objekti: Ndërtim K.U.N Rruga “Përjetësia”, fondi limit pa TVSH është 3 milionë, 847 mijë e 195 lekë. Hapja e ofertave bëhet në datën 03. 03. 2015, ora: 10.00.

– Objekti: “Blerje kancelari 2015”, fondi limit pa TVSH është 2 milionë lekë pa TVSH. Hapja e Ofertave do të bëhet në datën 03. 03. 2015, ora: 11.00.

– Objekti: “Ndërtim i K.U.N. rruga “Muharrem Bajraktari” – Laknas, fondi limit pa TVSH është 3 milionë, 942 mijë e 590 lekë. Hapja e ofertave, do të bëhet në datën 04. 03. 2015, ora: 15. 00.

– Objekti: “Ndërtim i K.U.N. rruga “Miqësia”- seg. 1- Kamëz 4”, fondi limit pa TVSH është 2 milionë, 768 mijë e 325 lekë. Hapja e ofertave bëhet në datën 04. 03. 2015 ora: 13.00.

– Objekti: Ndërtim K.U.N Rruga “Liverpuli”- Frutikulturë, fondi limit pa TVSH është 1 milion, 090 mijë e 127 lekë. Hapja e ofertave bëhet në datën 04. 03. 2015, ora: 11.00.

– Objekti: Ndërtim K.U.N Rruga “Burimi” – Kamza 5, fondi limit pa TVSH është 2 milionë, 160 mijë e 603 lekë. Hapja e ofertave bëhet në datën 04. 03. 2015, ora: 10.00

– Objekti: “Ndërtim K.U.N. rruga “Drini”, Lagje “nr. 2 Bathore”, fondi limit pa TVSH në vlerën 19 milionë, 268 mijë e 481 mijë lekë. Hapja e ofertave bëhet në datën 13. 03. 2015 ora: 10. 00.

– Objekti: “Ndërtim K.U.N. rruga “Miqësia”+ K.U.N. rruga “OSBE”, fondi limit pa TVSH në vlerën 16 milionë, 622 mijë e 781. Hapja e ofertave, bëhet në datën 13. 03. 2015, ora: 13.00.

– Objekti: “Ndërtim rruga “Zgjimi” + Riparim KUN “Kamëz 3”- Valias”, fondi limit pa TVSH është 24 mijë e 538 mijë e 205 lekë. Hapja e ofertave bëhet në datën 13. 03. 2015, ora: 10. 00

– Objekti: “Ndërtim K.U.N. rruga “Ndroq”+Banka Botërore” Lagje 4 Bathore”, fondi limit pa TVSH është 13 milionë, 112 mijë e 154 lekë. Hapja e ofertave bëhet në datën 16. 03. 2015 ora: 13. 00.

– Objekti: “Ndërtim K.U.N. rruga “Drini” Lagje 2 Bathore”, fondi limit pa TVSH është 19 milionë, 268 mijë e 481 lekë. Hapja e ofertave bëhet në datën 16. 03. 2015, ora: 10.00.

 Përparim HALILI