“Babë Dudë Karbunara”, po boshatis gjimnazet e tjera

854

Në Berat ka 5 shkolla të mesme. Mësuesit rrezikojnë vendet e punës, sepse klasat kanë nga 10 nxënës

Gjimnazi i përgjithshëm publik “Babë Dudë Karbunara” që ndryshe quhet dhe “Ajka” e arsimit në Berat është i lakmuar tej mase nga prindërit dhe nxënësit. Ata duan medoemos që të vazhdojnë shkollën e mesme në këtë gjimnaz, sepse aty japin mësim mësues të përgatitur e profesional. Por kjo kërkesë e lartë ka sjellë edhe pasojat e para, sepse në qytet janë pesë gjimnaze dhe nuk është vetëm “Babë Dudë Karbunara”. Këto ditë tek porta e kësaj shkolle, meqenëse kanë filluar edhe regjistrimet për vitet e para, shikon një numër të madh nxënësish dhe prindërish, që kërkojnë të futen në ambientet e shkollës, qoftë edhe me dhunë për të kryer regjistrimet. Ky fakt ka bërë që shkollat e tjera të mesme të qytetit të braktisen dhe të krijohet problem serioz për qëndrimin e mësuesve në punë. Burime nga mësuesit bëjnë të ditur se, gjimnazi “Babë Dudë Karbunara”, ndër vite është bërë ‘mollë sherri’ në qytetin e Beratit dhe rrethinat e tij. Shumë nxënës që kanë mbaruar me mesatare të lartë nuk pranojnë që të shkojnë në gjimnazet e tjera të qytetit, por ata preferojnë vetëm gjimnazin “Babë Dudë Karbunara” që për ta është i përshtatshëm në të gjitha sferat. Por kjo kërkesë ka vënë në pikëpyetje vendin e punës për shumë mësues. Sipas mësuesve bëhet e ditur se një klasë në gjimnazin “Babë Dudë Karbunara”, ka 40-45 nxënës, por ka mundësi dhe më shumë. Kjo ka shqetësuar edhe stafin akademik të kësaj shkolle, të cilët për nga numri i nxënësve në klasë, do të krijojë probleme në shumë drejtime. Në një klasë e tillë, mësuesi nuk ka mundësi të mbajë nën kontroll procesin mësimor dhe nxënësit pasi dhe vetë koha mësimorë krahasuar me numrin e madh të nxënësve është shumë e vogël. Nga shkolla “Kristo Isak” mësohet se, një klasë ka vetëm 10 nxënës. Ky numër i reduktuar nuk plotëson numrin e caktuar me nxënës që mësuesi të japë mësim. Kjo, sigurisht do të ndikojë tek shkurtimi i mësuesve dhe me të drejt personeli i kësaj shkolle është shqetësuar. Por i njëjti shqetësim është krijuar edhe në shkollat e tjera të mesme të qytetit, ku numri i nxënësve është zvogëluar fare. Disa mësues në shkollën “Kristo Isak” janë shprehur se, “nuk e kuptojmë pse krijohet kjo gjendje që nxënësit të braktisin shkollat e mesme të qytetit dhe të zgjedhin vetëm një shkollë, atë të “Babë Dudë Karbunarës”. Mësuesit e shkollës së mesme “Babë Dudë Karbunara”, në lidhje me këtë shqetësim janë shprehur për gazetën se, “ne jemi krenarë që nxënësit vlerësojnë këtë shkollë, e cila ka vlerat e saja mësimore. Por ne, gjithashtu, jemi të shqetësuar, sepse një klasë ka 40 deri në 45 nxënës, të cilët presin nga personeli i kësaj shkolle, dijet e tyre”. Disa prindër që ne takuam tek porta e kësaj shkolle, shprehen se, kjo shkollë është një nga “Universitetet e vjetra të Beratit”, e sipas tyre e ka marrë këtë epitet pasi aty kanë dalë kuadro shumë të përgatitur, kjo është arsyeja që ne kërkojmë që fëmijët tanë të vazhdojnë mësimet në këtë shkollë, thanë ata.