“Babë Dudë Karbunara me një shami të kuqe i fshin fshehurazi lotët që i rrjedhin kundër vullnetit të tij…”

955
Gëzim Llojdia
Pavarësia Kombëtare 

Nëse do të ravijëzojmë me një shprehje Pavarësinë Kombëtare, kjo do të ishte: Ëndërr e shpirtit e të shqiptarëve ku ishte akumuluar dhimbja e realizuar me gjak e mund. Përballë një sprove të këtillë, drejt ëndrrës, në shpirtin e tyre ishte akumuluar dhimbja, që kishin pësuar gjatë shekujve të sunduar nga i huaji, të pakrahë, të pa shpresë, të humbur dhe dhuna që vinte me një intensitet perfid, që gërryente dhe përmbyste një pushtim shekullor si ai osman. Kështu ëndrra për një shtet të pavarur, perëndimin e shpresës nëpër shekuj gjegjësisht ishte dhimbje, ishte kujtim i shtetit të arbrit shndërruar tash në rrëfim. Për ata, që ndër përpjekje për pavarësi dhanë jetën si ëndërr u mbeti streha e fundme e tyre ku ish akumuluar e ngjizur dhimbja, gëzimi, dëshpërimi, frika, dhe vdekja në fund nuk e arritën pavarësinë, u mbeti breznive si testament. Pa mbërritur mesdita e 28 Nëntorit 1912 ose me saktë, rreth dy javë më parë asaj kohe,shumë shqiptarë psherëtinin se halli i Shqipërisë ishte shumë i madh. Por kombi ynë mbeti dhe nuk u rrokullis si shumë kombet të tjerë që u rrokullisën në humnerë. Ndërsa fqinji në veri synon Shkodrën me male deri në det, serbët po hapnin një shteg të gjatë deri në Durrës, kurse grekët donin të kapnin Shkumbinin. Pashiç, ish-kryeministri serb rreth datës 7 nëntor 1912 është shprehur kështu: “Shqipëria do të ngjallte vatra turbullimesh dhe konfliktesh. Prandaj zgjidhja më e mirë do të ishte të zbatohej për shqiptarët trajtimi që kishin në kohën e mesme kur bënin pjesë tek supershteti bizantin e serb pa privilegje te veçantë, por duke i respektuar individualitetin dhe gjuhën e tyre. Diku aty nga 14 dhjetori 1912, krye gjenerali grek ka pohuar “Ne kemi ndërmend ta ndajmë Shqipërinë mes grekëve dhe Serbëve, mbasi autonomia shqiptare është e parealizueshme”. Kjo quhej atmosferë e vitit 1912, kur Ismail Qemali me shokë nga toka u mblodhën në Vlorë duke sjellë shpresën dhe premtimin se “Shqipëria nuk kishte mbaruar”. Nga version zyrtar për shpalljen e Pavarësisë Kombëtare gjejmë prezent emrin e mësuesit të Popullit Jorgji Karbunara. Ndërsa nga lista që citon delegatët e Beratit janë shënuar emrat e tyre: Sami Bej Vrioni, Ilias Bej Vrioni, Taq Tutulani, Babë Dud Karbunara. Në deklaratën përfundimtare të Pavarësisë nënshkrimi i Babë Dud Karbunarës është nënshkruar me Karbunara. Dhe zhbiruar këtë deklaratë që qarkullon në medie e kudo për firmëtarët renditet një fakt interesant për mësuesin dhe firmëtarin. Babë Duda ka firmosur i treti pas dy figurave qendrore të Kuvendit të Vlorës, kuptohet pas Ismail Beut dhe Dom Nikollë Kaçorrit. Nënshkrimi i J. Karbunarës mbetet i thjeshtë, ngase lapidare më qartësisht të paharrueshme mbeten thëniet e tij të pazhbëshme as nga mjegullinat e kohërave: “Le të jetë i përjetshëm efekti i këtyre nënshkrimeve”. Duke qëndruar në ditët këtij kuvendi historik që është ngjizur fortësisht në memorien e kombit shqiptar arrijmë të zhbirojmë ca fakte të tjera, për figurën interesantë të patriotit Jorgji Karbunara. Ismail Qemali e thirri në Vlorë . Jorgji Karbunara i solli nga Berati Ismial beut edhe kuzhinierin e tij për ta ruajtur plakun e Vlorës nga helmimet. Madje kur plaku i Vlorës iku në Itali, kuzhinieri iu lut ta merrte me vete, mirëpo Ismail beu iu përgjigj, se ai i shiti të gjitha dhe nuk kishte më para. “Merrëm me vete Ismail Bej, do të ruaj edhe atje ku do të shkosh.” Dihet fakti, Ismail Qemali vdiq në Peruxhia, në hotelin “Brufani”, me 26 janar te vitit 1919, me shumë gjasa i helmuar. Për qëndrimin e Jorgji Karbunarës në ditën festive thuhet kështu: Në një shkrim të V. Papës “Ishte Babë Dudë Karbunara delegati i Beratit… me një shami të kuqe i fshin fshehurazi lotët që i rrjedhin kundër vullnetit të tij… zemra e tij s’mund të përfshijë gjithë gëzimin e kësaj dite. Një jetë të gjatë e priti këtë çast për të cilin kish predikuar pa dëshpërim dhe tani e sheh me sy”. Ismail Qemali pasi e lexoi ekspozenë e vet, në fund në mënyrë të shkëlqyer e diplomatike i pyeti delegatët: “Tani më, s’na ka mbetur tjetër rrugë shpëtimi, veç se ndarja e Shqipërisë nga Turqia ”, dhe propozoi: Shqipëria të shpallë pavarësinë. Të formohet qeveria e PËRKOHSHME; Të emërohet pleqësia (senati). 

1. U shpall Qeveria e Përkohëshme, në krye Ismail Qemal Vlora:
2. U zgjodh Pleqësia prej 18 anëtarësh; ku për Kryetar u zgjodh Vehbi Dibra. 

Në ditët e pavarësisë në Vlorë ku u nënshkrua akti i Pavarësisë rreth 1. 5 faqe dhe ju dërgua fuqive të mëdha aty ishte edhe zëri dhe fryma e t gjithë delegatëve dhe e Bab Dudës,(Jorgji Karbunarës). Edhe shqiptarëve e patriotëve në krahina të vendit është dërguar mesazhi me thënien: “Independenca e Atdheut u shpall”. Zgjedhja e pleqësisë. Në mbledhjen e pestë të Kuvendit Kombëtar sipas gazetës “Përlindja e Shqipërisë” që u zhvillua në 4 dhjetor në prani të 57 delegatëve, (mungonin 6). Ismail Qemali ia la të drejtën e zgjedhjes së 8 ministrave Kuvendit, me propozimin që të jenë 4 të krishterë dhe 4 myslimanë. Ky propozim u kundërshtua dhe përzgjedhja iu la votimit… Pas kësaj u bë zgjedhja e Pleqësisë, ku sipas propozimit të Dhimitër Beratit u bë vetëm një votim. U zgjodhën: Iljas Be’ Vrioni me 55vota, Sami Be’ Vrioni 54, Dudë Karbunara 48, Mustafa Asim Kruja 42, Murat Be’ Toptani 42, Eqrem Be’ Vlora 40, Myfti Vehbi Efendi 39, Kristo Meksi 39, Dhimitër Berati 38, Dhimitër Zografi 35, Bedri Be’ Ipeku 35, Sali Gjuka 35, Veli Be’ Klisura 32, Hajredin Be’ Cakrani 32, Xhelal Be’ Skrapari (Koprencka) 30, Shefqet Daiu 30, Dervish Be’ Elbasani 29 dhe Ajdin Be’ Draga 27. 

Babë Dudë Karbunara 
Jorgji Karbunara ka lindur në qytetin e Beratit në 1842. Patriot i shqiptarizmës nga lindja në vdekje. Ka marrë pjesë në ngritjen e degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Korfuz mik me Kristoforidhin. Ka përhapur arsimin dhe mësimin shqip. Si mëmëdhetar i rrallë e patriot Babë Dudë Karbunara ngriti shollën e parë ku kishte rreth 55 nxënës. Aktiviteti i tij është i shumtë “Ay, që s’mëson gjuhën e vet, është i dënuar për jetë”. Këto thënie monumente të J. Karbunarës kanë mbetur të trashëguara ndër kohërat tona. Emri i këtij patrioti vijon të përcillet duke u nderuar për shqiptarizmin e tij. Për Babë Dudën dhe patriotët e tjerë ishte krijuar bindja se pa trojet e tyre, besimi i tyre, njëmend do të mbetej pa qenë asnjëherë shqiptare. Feja më e mirë e këtyre shqiptareve të mirë, mbetej ruajtja e tërësisë territoriale. Kështu Babë Duda dhe patriotët e tjerë e kuptuan se koha nuk ishte kur të binte muzgu, për të qarë fatin e keq të kombit, por duhej hapur shpirti. Ajo kataklizmë që po afrohej me stërbim, duhej gjetur mënyra për ta shmangur. Kështu ata, iu vunë punës, pa ndjerë lodhjen e shpirtit të tyre, përpara dhimbjes së madhe. Kështu kështu Babë Duda dhe rilindësit e tjerë shkruan prologun më të ndritur të ditëve. Bashkëpunëtor i ngushtë me Kostandin Kristoforidhin citojnë shkrimet për Jorgji Karbunarën. Citojmë V. Papa: “Duke u gdhirë 14 shtator 1894, u dogj shtëpia e Karbunarës në Kala të Beratit prej zjarri joaksidental, por të vënë”. U angazhua në ngritjen e degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Korfuz. 

Kurvelesh e Gegëri
Ç’u mblodhën në Ergjërli
Tek Abdyl Be Frashëri
Ç’u përpoq i varfëri
Ç’u përpoqe e bej për na
dy hejbe me hasina
Në frëngji se ç’i trete…. . 

Xhafer Belegu në mesin e viteve 1934, verë qershor, u ka përcjellë shqiptarëve dokumente me të dhëna nga historia e lidhjes së Prizrenit. Dritën, botimit ia ka dhënë Shtëpia botuese “Kristo Luarasi”: “Lidhja e Prizrenit dhe veprimet e saj 1978-1881”. Nga veprimet e marsit 1878, faqe 148 shkruhet: “Lidhja në jug…Lidhja shqiptare duke i parë këto veprime të Greqisë e duke marrë njoftime për kërkesën e saj në Kongres vendosi me zhvillue një aktivitet të madh në jug. Organizoi këshillat krahinore dhe përgatiti një fuqi mbrojtëse kundër Greqisë. Mbledhja e parë si mbas dëshirës së Abdyl Bej Frashërit, i cili ishte faktori më kryesor në jug, u bë në teqenë e Frashërit, nën kryesinë e Baba Alushit, i cili vuri në dispozicion të Lidhjes një shumë të madhe të hollash. Në këtë mbledhje të parë të jugut u bisedua organizimi i këshillave krahinore e masat që do të merreshin kundër Greqisë. Burrat me rëndësi të Lidhjes në Jug. Abdyl Bej Frashëri, Mehmet Ali bej Vrioni. Sulejman Ali Kuçi, Myslim Vasjari, Mustafa Pashë Vlora, Muslim Gjoleka. Sheh Mahmuti nga Kolonja e Kurveleshit, Xhafer bej Vlora, Thanas Ekonomidhi prej Sopiku disa bejlerë prej Libohove, Vasil Hido, Petro Meksi prej Tepelene, Mihal Haritua nga Përmeti, Vasil Linavori e Eustrat Tasho Duka nga Berati Dhimitër Kolea… Është një ditë,që nuk i ngjiste tjetrës. Gjatë viteve 1911-1912 aktiviteti i tij është luftarak ndër çeta dhe misioni patriotike për shqiptarizmin u shtua. Më 23 korrik 1912 mblidhet Kuvendi i Sinjës, për organizimin e të cilit Babë Duda u angazhua plotësisht dhe zhvilloi një veprimtari të gjithanshme. Turmat e Esat Toptanit aty nga viti 1915 i shkatërruan gjithçka pati nga pasuria e tij. Rebelët e rrihnin me shkop rrugëve thuhet nëpër materiale, që flasin për jetën e tij dhe ai i duroi njëhershëm se besimi i tij për shqiptarizmin ishte shpirti i tij i pashembshëm,. Ishte Zoti vetë, nën fytyrën e të urtit Jorgji Karbunara, që paratha shumë gjëra. Koha e Babë Dudë Karbunarës është një kohë me njerëz të çuditshëm, patriotë të pazakontë. Ai mbajti të ngrehur prezencën e përhershme të një ndjenje kombëtare. Shërbimet e tij i vihen në realizim të programit të Rilindjes Kombëtare në përkrahjen e çetave në shpalljen e pavarësisë kombëtare në përhapjen e arsimit shqip. Jorgji Karbunara ishte një shenjtor i shqiptarizmës. Ngulmimi i shenjtorëve është mbarësi për kombin. Shenjtorët kryesisht shqiptarë, mbasi merrnin frymën, kërkonin pozicionimin në vendin e tyre, për t’i kushtuar energji, çështjeve jetike dhe interesi më i madh ishte largimi i nënshtrimit të perandorisë osmane. Titulli Babë ia kanë dhënë qytetarët. Çfarë thotë prof. Neki Babamusta: Ç’tregojnë faktet historike? Predikuesit e feve në Shqipëri si Rilindës të hershëm, veprën e tyre ia kanë kushtuar kombit dhe patriotizmës, duke kundërshtuar çdo lloj pushtimi, të sulltanëve të Turqisë, të shovinistëve grekë dhe serbë, të Italisë fashiste, të Gjermanisë etj. Që nga Buzuku i hershëm, tek Pjetër Budi, Pjetër Bogdani, Frank Bardhi, Naim, Sami dhe Abdyl Frashëri, Ndre Mjeda, At Gjergj Fishta, Fan Noli, Hafiz Ali Korça (i dënuar dy herë me vdekje nga sundimi turk, ndërsa fëmijët iu burgosën nga diktatura), Nënë Tereza e famshme, Babë Dud Karbunara, At Zef Pëllumbi etj, ndonëse kishin të veshur petkun fetar, ajo nuk iu bë pengesë aspak për çështjen tonë kombëtare. Ata u bënë udhërrëfyes për liri, pavarësi, për gjuhën e bukur shqipe, për kombin tonë duke u afirmuar edhe si figura ndërkombëtare. 
Sigal