Babai i Enea Ftoit/ Do i drejtohemi gjykatës së Strasburgut, prokuroria s’pranon riekspertim të organeve

611
Sigal

KORÇE- Prokuroria e Korçës nuk ka pranuar riekspertim e organeve të Enea Ftoit, i cili ndërroi jetë në ambientet e komisariatit të këtij qyteti. Ndonëse familjarët e 27-vjeçarit kërkuan që të trupi të zhvarrosej dhe më pas t’i nënshtrohej një tjetër ekspertize, ky fakt nuk është pranuar nga organi i akuzës. Avokatet e familjes nuk pranuan ekspertizën mjeko ligjore, sipas së cilës Enea Ftoi kishte vdekur për shkaqe natyrore, duke kërkuar një tjetër ekspertim dhe nga tjetër grup ekspertësh.

Fill pas përgjigjes negative të prokurorisë, kanë reaguar familjarët e Enea Ftoit. Babai i viktimës tha për gazetarin e ‘BalkanWeb’ Mariglen Bita se nuk e kupton dot faktin që prokuroria nuk pranoi riekspertim.

“Po mundohen të fshehin të vërtetën për vdekjen së djalit. Kemi prova që Enea është dhunuar nga policia në ambientet e Komisariatit të Korçës. Kemi video dhe foto, që provojnë dhunën e policisë. Në rrobat e Eneas tek atletet kemi gjetur gjurmë gjaku. Kërkojmë eksperte të huaj, jemi të bindur që Enea ka vdekur nga dhuna. Do ta kërkojmë të vërtetën deri në Gjykatën e Strasburgut”, tha babai i dëshpëruar.

Pas ekspertizës mjeko-ligjore u tha se babai i tre fëmijëve ndërroi jetë për shkaqe natyrale dhe jo nga dhuna. Ky pretendim u hodh poshtë nga familja e viktimës, e cila kërkoi zhvarrosjen e Enea Ftoit dhe kryerjes sërish të ekspertizës.

NGJARJA
Enea Ftoi ndërroi jetë më 17 maj në ambientet e paraburgimit të Korçës, ku kishte tre ditë që qëndronte pasi ishte ndaluar për ‘vjedhje me dhunë’. Ftoi ditën kur ndodhi ngjarja, duhej të dilte në sallën e gjyqit për akuzën që rëndonte ndaj tij. Ndonëse familjarët e prisnin atë në sallën e gjyqit, ata u njoftuan për ngjarjen e rëndë. Fill pas ngjarjes, familjarët e viktimës hodhën akuza të rënda, për policinë, pasi kanë dyshime se djali i tyre është dhunuar në paraburgim, që i ka shkaktuar edhe vdekjen. Po ashtu familjarët akuzojnë punonjësin e policisë, Arqile Ropi, pasi pretendohet se ai ka ushtruar dhunë ndaj tij. Mes të tjerash familjarët deklarojnë se disponojnë fakte dhe prova që Enea Ftoi është dhunuar dhe më pas vrarë. Ata kanë bërë foto dhe video, ku duken qartë sipas tyre shenjat në trupin e tij.