Azilkërkuesit, Merepeza: Kush kthehet vullnetarisht nuk penalizohet

62

Genc Merepeza, Drejtori i Përgjithshëm i Kufirit në Policinë e Shtetit, i drejtoi një tjetër apel qytetarëve shqiptarë, që të mos udhëtojnë drejt vendeve të zonës Schengen për të kërkuar azil. Merepeza tha se vendet e Bashkimit Europian nuk pranojnë kërkesat për azil ekonomik, ndërsa sqaroi se pritet kthimi i shtetasve shqiptarë me 5 avionë.

“Presim kthimin e 12 mijë azilkërkuesve. Të gjithë ato shtetas që do të kthehen vullnetarisht nuk do të penalizohen, ndërsa pjesa tjetër do të penalizohet për 5 vjet për të mos hyrë në zonën Schengen”, sqaroi Merepeza, duke drejtuar një tjetër apel për kthimin vullnetarisht të të gjithë shqiptarëve që kanë udhëtuar në muajt e fundit drejt vendeve të Bashkimit Europian me shpresën e përfitimit të azilit.
Gjithashtu, Drejtori i Kufirit sqaroi se në dy pikat e Kalimit Kufitar, atë të Kapshticës dhe atë të Kakavijës ka prani të policëve gjermanë me synim parandalimin e azilkërkuesve.