Azilkërkuesit, Francken: Nuk do të tolerohet asnjë rast abuzimi!

555
Sigal

TIRANE – Theo Francken, sekretari i shtetit për azilin dhe emigracionin në Belgjikë iu rikthye sërish temës së azilkërkuesve ditën e sotme, duke theksuar edhe një herë se asnjë lloj abuzimi me kërkesat për azil nuk do të tolerohet nga ana e qeverisë belge.

Francken u shpreh se liberalizimi i vizave është një favor i madh në aspketin socio-ekonomik për Shqipërinë, por siç nënvizoi ai, kjo gjë nuk duhet të abuzohet nga ana e qytetarëve shqiptarë të cilët shkelin afatin 3 mujor të qëndrimit në zonën Shengen.

Për të parandaluar rastet e abuzimit të personave që kërkojnë azil si dhe shkelin afatet e qëndrimit, sekretari i shtetit belg, u shpreh se është arritur një marrëveshje mes qeverive të dy vendeve që çdo muaj Beligjika t’i dorëzojë listën emërore të personave, ndaj të cilëve është marrë vendimi për ndalimin në zonën Shengen.

“Personat që jetojnë në ilegalitet janë viktima të lehta për çdo lloj abuzimi, dhe për trafiqet antiligjore. Procedurat tona për azil janë shumë të shkurtra. Jam i sigurt se sa i përket sistemit të liberalizimit të vizave, është një favor i madh për Shqipërinë, përfshirë edhe aspektin socio-ekonomik. Sepse liberalizimi lejon udhëtimin e lirë për 90 ditë në hapësirën Shengen. Kjo do të thotë që asnjë lloj abuzimi me kërkesat për azil, nuk do të tolerohet, dhe për këtë arsye për të gjithë personat që abuzojnë me afatet e qëndrimit, ne vendosim një afat hyrje, në hapësirë Shengen për 3 vjet. Kemi tashmë një marrëveshje me qeverinë shqiptare që çdo muaj do ti dorëzojmë listën emërore të personave, ndaj të cilëve është marrë vendimi për ndalimin në zonën Shengen.” theksoi në fjalën e tij Theo Francken.

Por duke vijuar më tej, sekretari belg u shpreh se deri më tani nuk ka ndonjë sinjal për një rrezik të mundshëm të bllokimit të liberalizimit të vizave, ndërsa saktësoi se vetëm vitin e kaluar janë 500 raste të kërkesave për azil nga Shqipëria drejt Belgjikës, ku 60% prej tyre janë nga Shkodra.

“Për vitin 2014, janë 500 shtetas shqiptarë  që kanë kërkuar azil politik në Belgjikë, ku  60% vijnë nga Shkodra dhe jo 90% siç është shkruan në media. Belgjika nuk ka lëshuar ndonjë alarm për këtë por është diçka shumë e qartë se qeveria belge, në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, duhet të luftojmë bashkarisht ndaj çdo lloj abuzimi për liberalizimin e vizave. Ky është mesazhi që dhashë dje, ky është mesazhi që jap sot dhe do të japim dhe në të ardhmen.” u shpreh ai