Azilantët shqiptarë, 236% më shumë 1847 kërkesa 5 javët e para të vitit

546
Raporti i parë i FRONTEX për 2015-n, tregon se 1847 shqiptarë kërkuan azil në vetëm 5 javët e para të këtij viti, çfarë përfaqëson 236% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. 
1668 vetë aplikuan për mbrojtje ndërkombëtare në Gjermani, 106 në Suedi, 52 në Belgjikë, 15 në Zvicër dhe 2 në Luksemburg. Rritja “befasuese” e aplikimeve nga shtetasit shqiptarë, sipas analizës së kësaj agjencie europiane me seli në Varshavë, ndikoi për rritjen domethënëse të kërkesave të përgjithshme të regjistruara në Gjermani, që kryeson 5 vendet më të prekura të zonës “Schengen”, me 90% të aplikimeve të bëra në tërësi për azil nga qytetarët e rajonit dhe mbetet destinacioni më i pëlqyer për shqiptarët dhe serbët.
“Krahasuar me periudhën e mëparshme të raportuar, Gjermania regjistroi një rritje domethënëse të aplikimeve me 57%, më së shumti për shkak të rritjes befasuese të aplikimeve nga shqiptarët, 122%. Kërkesat për azil në 4 vendet e tjera anëtare të BE-së mbetën në nivel të ulët, me renditjen e Suedisë në vend të dytë, duke raportuar një rënie prej 48% krahasuar me Dhjetorin e 2014-s”.
Vëzhgimi i parë me pritshmëri negative në raportin e 50 të FRONTEX-it flet për kthim të ritmit të rritjes së azilkërkuesve nga 5 vendet e rajonit përfituese të regjimit pa viza në zonën “Schengen”. Gjithsej, raportohet për 5539 aplikime gjatë 5 javëve të para të vitit, çfarë shënon një rritje prej 39%, krahasuar me Dhjetorin e 2014-s.
Por, megjithë rritjen e ndjeshme të azilkërkuesve shqiptarë, FRONTEX vlerëson se Serbia vijon të kryesojë aplikimet nga 5 vendet përfituese të Ballkanit me 42% (2334 kërkesa), e ndjekur nga Shqipëria 33%, Maqedonia 12%, Bosnia 11% dhe Mali i Zi me vetëm 2%.
“Gjatë kësaj periudhe të raportuar, shqiptarët janë kombësia me rritjen më të lartë, prej 93% krahasuar me Dhjetorin e 2014-s. Kjo ishte periudha e dytë radhazi e raportuar për normën më të lartë të rritjes së regjistruar nga shtetasit shqiptarë. Duhet përmendur se malazezët regjistruan një përqindje më të lartë të rritjes, megjithatë shifrat e tyre mbeten 15 herë më të ulëta, krahasuar me shqiptarët. Pavarësisht rritjes relativisht modeste, prej 18% të numrit të aplikimeve, shtetasit serbë vazhdojnë të renditen të parët për kërkesat e azilit në Janar të 2015-s. Gjermania konsolidoi pozicionin e saj si destinacioni numër një për shtetasit serbë, me 93% të aplikimeve në tërësi. Në të kundërt, numri i kërkesave të bëra në Suedi nga serbët ra me 53%, pas një periudhe kërkesash të larta. Me 659 aplikime në Janar të 2015-s, shtetasit e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë zëvendësojnë ata të Bosnje-Hercegovinës, duke u renditur vendi i tretë pas Serbisë dhe Shqipërisë”.
Por, ndërsa u regjistruan 1847 aplikime të reja për azil nga shtetas shqiptarë, për të njëjtën periudhë, 5 vendet më të prekura europiane kthyen 327 persona drejt Tiranës, duke u renditur të parët ndër 5 vendet përfituese të rajonit, me një shifër gati sa gjysma e numrit të përgjithshëm të të kthyerve drejt Ballkanit.
Luksemburgu është i vetmi vend, që nuk ka asnjë të kthyer me detyrim, por vetëm 8 vullnetarisht. Nga Gjermania, vetëm një person është larguar me dëshirën e tij (gjatë periudhës së studimit), ndërsa 75 të tjerët janë kthyer me forcë. Zvicra shënon numrin më të lartë me 95 të kthyer, 84 ndër të cilët janë riatdhesuar me detyrim, ndërsa 11 të tjerë kanë lënë territorin vullnetarisht. Suedia renditet e dyta për numrin më të lartë të të kthyerëve të raportuar këtë fillimviti drejt Shqipërisë, me 93 raste, ku 66 janë kthyer vullnetarisht dhe 27 me forcë. Belgjika radhitet e parafundit ndër 5 vendet europiane të shqyrtuara, me 55 të kthyer, 47 prej tyre me vullnet të lirë dhe 8 sipas procedurës për kthim të detyrueshëm.
Vëzhgimi tjetër negativ në analizën e FRONTEX-it është se, gjatë 2014-s në përgjithësi pati 50% më shumë kërkesa për azil se gjatë 2013-s dhe se shqiptarët kryesojnë aplikimet e deritanishme të vitit 2015.
“Pesë vendet më të prekura anëtare të BE-së dhe ato të asociuara në marrëveshjen Schengen trajtuan 5539 aplikime deri më tani në 2015-n. Kjo shifër është 37% më e lartë në krahasim me të njëjtën periudhë në 2014-s. Rritja e përgjithshme udhëhiqet nga shifrat e larta në Gjermani (+38%) dhe aplikimet e bëra nga shtetas të Shqipërisë (+236%), të Malit të Zi (+47%) dhe të Serbisë (+24%)”.
Vetëm maqedonasit dhe boshnjakët regjistruan më pak azilkërkues gjatë 2014-s, krahasuar me vitin paraardhës, ndërkohë që Luksemburgu raportoi shifrat më të ulëta të kësaj periudhe, krahasuar me vitin e kaluar. Suedia trajtoi 51% kërkesa më shumë, Zvicra vetëm 9% më shumë dhe Belgjika 5% më tepër.
Marrë nga Top Channel 
Sigal