Avokatja e Popullit njeh ambasadorin Tejler me rekomandimet për zgjedhjet

496
Avokatja e Popullit Erinda Ballanca ka prit sot në një takim kreun e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Shqipëri, Ambasadorin Peter Tejler

Në njoftimin për mediat thuhet se gjatë takimit u diskutua fillimisht në lidhje me angazhimin konkret të Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Shqipëri. 

“Avokatja e Popullit, Ballanca ka informuar për rolin aktiv dhe proaktiv që institucioni i Avokatit të Popullit, në përmbushje të objektivave të punës së tij ka ndërmarrë për trajtimin e çështjeve. Më konkretisht është shkëmbyer informacion mbi monitorimin që i bëhet proceseve zgjedhore në periudhën e fushatës zgjedhore dhe të ditës së votimit”, thuhet në njoftim

Ndërhyrjet kryesore të institucionit të Avokatit të Popullit gjatë fushatës zgjedhore janë fokusuar në rekomandime si:

1-për moslejimin e pjesëmarrjes së nxënësve të arsimit 9 vjeçar; atij të mesëm si dhe të personelit pedagogjik të tyre, në mitingjet, apo aktivitetet elektorale të forcave të ndryshme politike gjatë orarit zyrtar;

2-zbatimin me rigorozitet të ligjit nga ana e përfaqësuesve përgjegjës të pushtetit vendor, sa i takon afishimit të materialeve propagandistike;

3-risjelljen në vëmendje të dispozitave të Kodit Zgjedhor, që përcaktojnë procedurat e votimit për zgjedhësit paraplegjikë e tetraplegjikë si dhe për personat që nuk shikojnë;

4-zbatimin e dispozitave përkatëse të Kodit Zgjedhor, që garantojnë barazinë gjinore; si dhe garantimi i të drejtës për të votuar, të atyre personave të cilëve iu është kufizuar liria fizike.

Gjatë ditës së votimit është parashikuar inspektim nga disa grupe pune të ekspertëve të Avokatit të Popullit të qendrave të votimit në qytete të ndryshme dhe në disa institucione të ekzekutimit të vendimeve penale. Institucioni i Avokatit të Popullit dhe Zyrat Rajonale në Shkodër, Fier, Berat, Sarandë, Dropull, Kukës dhe Pogradec në datën 25.06.2017 do të jenë të hapura dhe në dispozicion të qytetarëve gjatë gjithë orarit zyrtar të votimeve.

Institucioni ynë ka vënë në dispozicion të publikut nr. jeshil 0800 1111 për çdo problem që mund të shfaqet gjatë ditës së zgjedhjeve.
Sigal