Avokati i Popullit zbulon minimumin jetik në Shqipëri prej 16 mijë lekësh në muaj për frymë

564
Sigal

 

Totozani:
Rekomandimet tona për Qeverinë, Kuvendin, INSTAT dhe Sigurimet Shoqërore

 

Avokati i
Popullit prezantoi dje një studim, sipas të cilit minimumi jetik në vend
aktualisht është 16 mijë lekë në muaj. Nga kjo shumë më shumë se gjysma shkojnë
për shpenzime jo ushqimore dhe pjesa tjetër për ushqimore. Avokati i Popullit,
Igli Totozani shpjegoi, se institucioni që drejton, për 5 vite me radhë ka bërë
kërkesa dhe rekomandime të vazhdueshme drejtuar qeverive për të shpallur
zyrtarisht minimumin jetik, por asgjë nuk është realizuar konkretisht. Në këto
kushte, Avokati i Popullit përmes një procesi konkurrues kontraktoi Qendrën
Shqiptare për Kërkime Ekonomike (ACER) për realizimin e studimit: “Llogaritja e
Minimumit Jetik – Nga minimumi jetik si mbijetesë drejt një standardi jetese të
arsyeshme”. Në legjislacionin shqiptar ende mungon një dispozitë e posaçme
kushtuar minimumit jetik si për përkufizimin ligjor të tij ashtu edhe për
detyrimin ligjor për llogaritjen e tij. Përcaktimi i parë i rëndësishëm i
minimumit jetik në Shqipëri, u evidentua në kodin e punës së vitit 1995, por me
amendimet që i janë bërë në vitet në vijim, koncepti i minimumit jetik është
hequr. Në Shqipëri, niveli i pensioneve është i vendosur me ligj, ndërsa niveli
i pagës minimale, madhësia në vlerë e ndihmës ekonomike, pagesës së papunësisë
dhe pagesës së paaftësisë përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave.
Asnjëri prej këtyre treguesve të varfërisë nuk bazohet drejtpërdrejt në
treguesit e minimumit jetik, madje rezultojnë më të ulët krahasuar me këtë
minimum jetik të përllogaritur.

Problemet me minimumin jetik

Duke iu referuar
studimit “Llogaritja e Minimumit Jetik – Nga minimumi jetik si mbijetesë drejt
një standardi jetese të arsyeshme”, Avokati i Popullit Totozani theksoi se
“metoda e përdorur në këtë studim është ajo e varfërisë absolute. Minimumi
jetik është përllogaritur mbi bazën e shportës ushqimore. Nga përllogaritjet e
kryera minimumi jetik për frymë në vitin 2015 rezulton të jetë përafërsisht
16.000 lekë në muaj (7,089 lekë në muaj për shpenzimet ushqimore dhe 8,913 lekë
në muaj për shpenzimet jo-ushqimore). Në ndryshim nga studimet e tjera mbi
nivelin e minimumit jetik vlera e përcaktuar nga ky studim, merr në konsideratë
edhe aspekte sociale dhe tendencat e konsumit në vendin tonë. Vlera e minimumit
jetik përbën edhe bazën mbi të cilën duhet të llogariten pagat, pensionet
sociale, ndihma ekonomike, pagesa e paaftësisë dhe pagesa e papunësisë,
kuptohet duke bërë dhe rregullimet e nevojshme në lidhje me numrin e
pjesëtarëve të familjes, numrin e të punësuarve prej tyre, pjesëtarët mbi dhe
nën moshën e punës, asetet që zotëron familja etj. Minimumi jetik i llogaritur
prej 16,000 lekë në muaj për frymë në Shqipëri vërehet se luhatet përafërsisht
në të njëjtat nivele me vendet e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht me Serbinë
dhe Maqedoninë. Kjo ngjashmëri me vendet e rajonit rrit kredibilitetin e vlerës
së përllogaritur nga ky studim. Me qëllim për t’i siguruar individëve një
jetesë me dinjitet do të ishte e nevojshme ngritja mbi konceptin e nivelit të
minimumit jetik në atë të një standardi jetese të arsyeshëm. Standard jetese i
arsyeshëm konsiderohet ai që plotëson nevojat fizike, psikologjike dhe sociale
të një personi. Kjo nuk do të thotë që shteti duhet t’i garantojë çdo personi
një nivel luksi, por as nuk nënkupton se një person duhet të jetojë vetëm në
nivelin e mbijetesës. E drejta për një standard jetese të përshtatshëm, njihet
si një e drejtë njerëzore edhe në instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e
njeriut dhe nënkupton nevojën për të vendosur një të drejtë minimale për ushqim
veshje dhe strehim në nivelin e duhur. Prandaj është i rëndësishëm identifikimi
i të gjithë ndërhyrjeve dhe politikave sociale për kalimin nga nevoja e
përcaktimit të minimumit jetik në atë të një standardi jetese të arsyeshme në
mënyrë të pajtueshme me dinjitetin njerëzor. Nga analiza krahasuese mes nivelit
të minimumit jetik me atë të pagës minimale , pensionit minimal dhe atij
social, ndihmës ekonomike, pagesës së papunësisë dhe pagesës së paaftësisë në
vend evidentohet lehtësisht, se këto pagesa janë nën kufirin e minimumit jetik.
Për këtë arsye rekomandohet, që në vitet që vijnë në përputhje me mundësitë që
do t’i krijohen buxhetit të shtetit, të gjithë treguesit e përmendur të kenë
prirje përafrimi deri në përputhjen e plotë me vlerën e minimumit jetik, me
synim për t’i ofruar individëve përfitues të pagesave sociale një jetesë me dinjitet”.
Pas publikimit të këtij studimi mbi përllogaritjen e nivelit të minimumit jetik
në Shqipëri Avokati i Popullit do të hartojë disa rekomandimeve mjaft të
rëndësishme për qeverinë dhe strukturat përgjegjëse të administratës.

 

Rekomandimet për qeverinë dhe Kuvendin

Dy Rekomandime
drejtuar Kuvendit dhe Qeverisë që lidhen me përfshirjen e përcaktimit të
minimumit jetik në kuadrin ligjor:

§  Rishikimin
e kuadrit ligjor për llogaritjen e minimumit jetik dhe krijimin e një baze
ligjore të fortë për përllogaritjen e minimumit jetik sipas bazave shkencore
dhe përgjegjësive institucionale. Akti ligjor që preket është Ligji Nr. 9125,
dt. 29.07.2003 “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”. Amendimi i Kodit
aktual të Punës. Më specifikisht , ripërfshirja e nocionit të minimumit jetik
dhe institucionit përgjegjës për llogaritjen e tij në Nenin 123 të Kodit të
Punës.

§  Amendim
i ligjit për Këshillin Kombëtar të Punës dhe përfshirjen në funksionet e tij,
përdorimin e minimumit jetik në orientimin e pagave, pensioneve dhe përkrahjes
sociale. Vendimi Nr. 1039, datë 4.12.2013 “Për funksionimin e Këshillit
Kombëtar të Punës dhe Caktimin e Përfaqësuesve të Këshillit të Ministrave në
këtë Këshill”. Në pikën 10 të këtij vendimi duhet të specifikohet rivlerësimi i
pagave në varësi të nivelit të minimumit jetik.

 

Rekomandime për Institutin e Statistikave

·        
Përllogaritja e
madhësisë së minimumit jetik. Amendimi i Ligjit për INSTAT, me synim
përfshirjen në funksionet e këtij institucioni edhe atë të llogaritjes së
minimumit jetik. Ligji Nr.9180 datë 5.2.2004 (i amenduar për herë të fundit në
2013) “Për Statistika zyrtare”. Përfshirja në nenin 7 në përgjegjësitë e INSTAT
edhe atë të përllogaritjes së madhësisë së minimumit jetik.

·        
Lëvrimi dhe publikimi i
të dhënave. Mbledhja e të dhënave dhe publikimi i tyre sipas formatit të
përcaktuar në standardet europiane (direktiva BE). Ligji Nr. 9180 datë
05.02.2004 (i amenduar në 2012 dhe 2013) “Për statistika zyrtare”. Përcaktimi
në nenin 8 për detyrat e INSTAT që ky institucion duhet të mbledh, të përpunoj
dhe publikoj të dhënat sipas standardeve evropiane.

Rekomandim për Institutin e Shëndetit Publik (ISHP)

– Sigurimi i të
dhënave shkencore periodike (mbi baza vjetore) i nevojës për kalori në ditë.
Amendim i ligjit për ISHP me Urdhër të Ministrit të Shëndetësisë për
përcaktimin në funksionet e tij të publikimit të nevojave energjetike për
kalori në ditë për frymë. Ligji Nr. 10138 datë 11.05.2009 “Për shëndetin
publik”. Në nenin 15 të këtij ligji duhet të përfshihet në funksionet e ISHP
përcaktimi i nevojës ditore për kalori për një individ mesatar.

Rekomandim për institutin e Sigurimeve Shoqërore
(ISSH)

– Përdorimi i
minimumit jetik si bazë për llogaritjen e përfitimeve. Përfshirja në ligjin për
ISSH të llogaritjes së përfitimeve sociale duke përdorur minimumin jetik si
referencë. Gjithashtu, indeksimi i këtyre pagesave sociale sipas indeksimit të
minimumit jetik. Ligji Nr. 7703 datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në
Republikën e Shqipërisë”. Ndërhyrja në nenin 59 për përfshirjen e minimumit
jetik si bazë në vlerësimin e indeksimit të pensionit minimal , pagesës së
paaftësisë etj.