Avokati i Popullit Totozani në Bashkinë e Gramshit, për të marrë ankesat e banorëve

578
Sigal

Avokati i Popullit z. Igli Totozani
ishte sot në Bashkinë e Gramshit, për të marrë ankesat e banorëve të kësaj
zone. Në kuadër të aktiviteteve të Ditëve të Hapura, së bashku me ekspertë të
institucionit Avokati i Popullit regjistron ankesat e atyre banorëve, të cilët
nuk kanë mundësi që të vijnë në zyrat e institucionit në Tiranë. 

Z. Totozani  u njoh me shqetësimin e disa familjeve,
pronat e të cilëve ishin përmbytur, si pasojë e ngritjes së nivelit të ujit në
liqenin e Banjës. Këta banorë u ankuan duke thënë se nuk janë dëmshpërblyer
ndërsa uji I ka përmbytur tokat dhe u rrezikon seriozisht shtëpitë. 

Një tjetër problem që shqetësojnë banorët e Bashkisë së
Gramshit lidhet me vështirësitë në gjetjen e dokumenteve të përfitimit të
pensionit të pleqërisë, pasi shumë prej tyre nuk gjenden në zyrat aktuale dhe
arkivat e tyre. Një gjë e tillë i ka detyruar këta banorë t’i drejtohen
gjykatave me kosto të lartë financiare dhe duke humbur kohë.  

Mungesa e strehimit social, papunësia, si dhe ndihma e ulët
ekonomike e pamjaftueshme për të mbuluar nevojat e një familje ishin shqetësime
të tjera që u paraqitën nga banorët e Bashkisë së Gramshit në takimin që patën
me Avokatin e Popullit dhe ekspertët e institucionit.  

Avokati i Popullit, z. Igli Totozani, zhvilloi një takim me
Kryetaren e Bashkisë së Gramshit, znj. Luljeta Dollani, ku diskutoi mbi këto
shqetësime të qytetarëve dhe mori garancinë se këto çështje po trajtohen rast
pas rasti si dhe po bëhen përpjekje për të gjetur zgjidhje. 

Një grup ekspertësh të Avokatit të Popullit zhvilluan edhe
seanca trajnimi me punonjës të pushtetit vendor në këtë zonë.