Avokati i Popullit merr statusin A pranë ICC-së, në kuadër të OKB-së

561
Sigal

Flet z. Igli Totozani, ekskluzivisht për “Telegraf” nga Gjeneva

Zotit Igli Totozani iu dorëzua dje në Gjenevë certifikata me statusin A, që përfaqëson statusin më të lartë të përputhshmërisë së institucionit të Avokatit të Popullit me Parimet e Parisit, të adoptuara nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Që nga sot e tutje, falë këtij vlerësimi, zëri i qytetarëve shqiptarë do të dëgjohet dhe në forumin më të lartë të të drejtave të njeriut në nivel botëror. “Konfirmimi i statusit A për institucionin e Avokatit të Popullit, si vlerësimi më i lartë për institucionet e të drejtave të njeriut në nivel botëror, konfirmon dhe një herë punën e institucionit, duke i dhënë institucionit të drejtën e ndërhyrjes së përhershme pranë Këshillit për të Drejtat e Njeriut pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara” shprehet z. Totozani, në një intervistë ekskluzive për “Telegraf” nga Gjeneva.

 Avokat, cili është qëllimi i vajtjes suaj në Gjenevë?

Aktualisht, po marr pjesë në konferencën vjetore të njëzet e tetë të Komitetit Ndërkombëtar Koordinues të Institucioneve Kombëtare të të Drejtave të Njeriut (ICC), që po mbahet në Gjenevë, datë 12-13 Mars 2015. Në këtë konferencë janë të pranishëm dhe z. Zeid Raˈad al Hussein, Komisioneri i Lartë për të Drejtat e Njeriut pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara si dhe z. Joachim Rucker, Presidenti i Këshillit të të Drejtave të Njeriut.

 Ju, keni marrë pjesë edhe në takimin paraprak të Byrosë së ICC-së, apo jo?

Po, është e vërtetë. Meqë Avokati i Popullit i Shqipërisë është edhe anëtar i Byrosë së ICC-së, mora pjesë në këtë takimin paraprak të Byrosë, e përbërë nga 16 anëtarë në nivel global, si një nga katër anëtarët nga Europa, së bashku me homologun nga Franca, Holanda dhe Skocia. Gjithashtu, pata takime bilaterale dhe me institucione të tjera homologe, përfshirë Avokatin e Popullit të Kosovës, Ombudsmanin e Austrisë, Skocisë, Portugalisë etj..

 Institucioni i Avokatit të Popullit të Shqipërisë mori statusin A pranë ICC-së. Çfarë përfaqëson ky status?

Unë mora në dorëzim certifikatën me statusin A, që përfaqëson statusin më të lartë të përputhshmërisë së institucionit të Avokatit të Popullit me Parimet e Parisit, të adoptuara nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, nëpërmjet rezolutës 48/134 të datës 20 Dhjetor 1993.

 Çfarë konfirmon ky vlerësim nga ICC-ja?

Konfirmimi i statusit A për institucionin e Avokatit të Popullit, si vlerësimi më i lartë për institucionet e të drejtave të njeriut në nivel botëror, konfirmon dhe një herë punën e institucionit, duke i dhënë institucionit të drejtën e ndërhyrjes së përhershme pranë Këshillit për të Drejtat e Njeriut pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

 A përfitojnë qytetarët shqiptarë nga ky vlerësim që iu bë Avokatit të Popullit?

Sigurisht. Kjo i mundëson institucionit të Avokatit të Popullit që zëri i qytetarëve shqiptarë të dëgjohet dhe në forumin më të lartë të të drejtave të njeriut në nivel botëror.