Avokati i Popullit: Gratë në Shqipëri vazhdojnë të përballen me pabarazi dhe diskriminim

484
Sigal

Gazeta Telegraf/

Totozani:
Gra nga grupe vulnerabël kanë akoma pengesa për pjesëmarrje në zgjedhje  

 

AP:
Ndihma ekonomike e pamjaftueshme për gratë kryefamiljare. Shpallja e minimumit
jetik shumë e vlefshme për to

 

Avokati i Popullit, me mbështetjen e Entitetit të Kombeve
te Bashkuara për Barazinë Gjinore dhe Fuqizimin e Grave, UN WOMEN organizuan
workshopin me temë: “Vërejtjet Përmbyllëse të Komitetit CEDAW për
Shqipërinë-plan pune për institucionin e AP, në bashkëpunim me organizatat
jofitimprurëse dhe institucionet shtetërore” 

Avokati I Popullit, z. Igli Totozani, falënderoi në mënyrë
të veçantë z. David Saunders, Përfaqësuesin e UN Women dhe të gjithë stafin e
kësaj organizate në vendin tonë, për ndihmën e pakursyer për përgatitjen,
përpunimin dhe realizimin final të Raportit “Për eliminimin e të gjitha formave
të diskriminimit ndaj grave” i prezantuar para Komitetit CEDAW, në Gjenevë.  

“Gratë në Shqipëri vazhdojnë të përballen me pabarazi dhe
diskriminim”, u shpreh në këtë takim Avokati i Popullit, z. Igli Totozani.

Lidhur me çështjen e pjesëmarrjes së grave në politikë dhe
vendimmarrje, Avokati i Popullit theksoi se:  Pavarësisht përmirësimeve të
legjislacionit dhe rritjes së pjesëmarrjes së grave në politikë dhe
vendimmarrje, ende nuk është përmbushur përfaqësimi gjinor jo më pak se 30 %
për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë. Gra nga grupet në nevojë si PAK,
përfaqësuese të komunitetit romë dhe egjiptian, gratë e ngujuara, etj. janë
përballur me pengesa ligjore dhe faktike për të realizuar të drejtën e tyre për
të marrë pjesë në zgjedhje. Mungesa e përshtatjes së mjediseve të qendrave të
votimit ka sjellë shkeljen e të drejtës për të votuar për PAK. Mungesa e
dokumenteve të identifikimit dhe regjistrimit ka vështirësuar pjesëmarrjen e
grave rome në zgjedhje. Gratë e ngujuara nuk kanë mundur të gëzojnë të drejtën
aktive dhe pasive të votimit.

Përsa i përket aksesit të Grave në sistemin e drejtësisë z.
Totozani u ndal në mënyrë të vecantë në një problematikë të mprehtë:
Mosekzekutimin e vendimeve gjyqësore, që lidhen me çështje të rregullimit të
pasojave pasmartesore. Kjo gjë që sjell efekte në mënyrë të veçantë tek gratë
sepse, në përqindjen më të lartë sipas raporteve te OJF-ve, fëmijët i lihen
nënës për rritje dhe edukim. Përveç rritjes së efektivitetit të zyrave
përmbarimore në ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë, kërkohen
masa pozitive nga shteti në lidhje me garantimin e detyrimit ushqimor për
fëmijët nga ish bashkëshorti.  

Duke folur për fuqizimin ekonomik të  grave, Avokati i
Popullit tha se shpesh kemi trajtuar ankesa dhe kemi bërë rekomandime për gra
kryefamiljare të përjashtuara nga skema e ndihmës ekonomike. Në shumë raste i
kemi zgjidhur këto ankesa. Ndërkohë jemi të bindur se ndihma aktuale ekonomike
është e pamjaftueshme për të adresuar nevojat e grave kryefamiljare, grave rome
apo atyre nga grupe të tjera vulnerabël, si viktima të dhunës në familje apo
viktima të trafikimit të qenieve njerëzore.   Për këtë arsye kemi
kërkuar me insistim llogaritjen dhe shpalljen e nivelit minimal të standardit
të jetesës në Shqipëri. Mungesa e këtij minimumi jetik mbetet një pengesë shumë
e madhe, në përcaktimin e politikave sociale që ndjek shteti për grupet në
nevojë, përfshirë këtu edhe gratë. Në studimin e kryer nga ekspertë të
ekonomisë të kontraktuar nga institucioni ynë u përllogarit se 16,000 lekë për
frymë në muaj është kostoja që shteti duhet të paguajë që një njeri t’i
shpëtojë varfërisë ekstreme. Mendoni se sa e vlefshme do të ishte ndihma
ekonomike për gratë në nevojë e përllogaritur mbi bazë të këtij minimumi
jetik.  

Avokati i Popullit z.Igli Totozani
u ndal edhe në rastet e dhunës në familje. Aktualisht rezulton në rritje numri
i bashkive në të cilat është ngritur Mekanizmi i Koordinimit dhe Referimit të
rasteve të dhunës në familje, por sipas z. Totozani, ky Mekanizëm është e
domosdoshme të ngrihet në 61 bashkitë e vendit. 

Në disa nga bashkitë e vendit ku janë ngritur këto
mekanizma, qasja multidisiplinare nuk rezulton e shpejtë dhe efektive.
Koordinatorët kundër dhunës në familje janë ngarkuar edhe me përgjegjësi të
tjera, gjë që ka ulur efektivitetin në punën e tyre në menaxhimin e rasteve të
dhunës në familje. 

Në nivel vendor, mungojnë shërbime si akomodimi, linja
telefonike 24 orëshe, programe rehabilitimi, etj., duke vështirësuar 
përmbushjen e përgjegjësive nga anëtarët e MKR. Mungojnë programet e
rehabilitimit për dhunuesit në nivel vendor, ndër të tjera, sepse çështjet
gjinore nuk buxhetohen në nivel vendor.

Ndërsa, lidhur me çështjen e aksesit të grave në shërbimet
sociale, Avokati i Popullit përmendi  rekomandimin e bërë që përfitimi i
pensionit social, të fillojë me lindjen e së drejtës për përfitim të pensionit
dhe jo në moshën 70 vjeç. Zbatimi i këtij rekomandimi do të sillte efekte
mbështetëse tek gratë e moshuara, të cilat nuk kanë paguar kontribute dhe nuk
kanë pasur mundësi të sigurohen vullnetarisht.