Avokat Kujtim Cakrani: Në Arkivin e Shtetit është cenuar besueshmëria, përderisa futen dokumente të falsifikuar

784
Sigal

Në vazhdim të problematikës së lindur me institucionin e Arkivit Qendror të Shtetit dhe institutit të kriminalistikës por edhe të akademikëve që janë pjesë e përhershme e arkivit të shtetit,  që vlerësojnë dokumentacionin në formën e dhuratave nga qytetarët është e nevojshme një sqarim ligjor për rolin e Drejtorit të Përgjithshëm të Arkivit të Shtetit Ardit Bido  për pranimin e dokumentacionit: Duke qenë se, Ligji ”për Arkivat” ka qartësisht të përcaktuar pranimin e dokumentacionit në formën e dhuratave pikërisht në nenin 32-33-34 të tij ka sanksionuar se, Arkivi i Shtetit pranon dhurata në formën e  dokumentacionit   nga çdo qytetar vetëm, por vetëm nëse ai është në formën origjinale dhe ka interes thellësisht historik dhe për këtë Drejtori i Arkivit  duhet të ngrejë një komision prej 5 personash, të cilët duhet të jenë akademik etj.

Ky komision, pasi kryen veprimet, duke  ekspertuar për  vërtetësinë historike të dokumentacionit dhe pasi arrin në përfundimin se ky dokument që dhurohet  ka rëndësi të veçantë, apo të rëndësishme historike, ja përcjellin atë grupit të kriminalistëve të Policisë Shkencore dhe nga ku ata kryejnë ekspertizën e letrës, bojës, stampave, pullave dhe çdo të dhëne tjetër. Pasi konstatohet se dokumenti është origjinal, atëherë i përcillet me një raport Arkivit Qendror të Shtetit. Për sa i përket dokumentacionit në fjalë, ato janë dokumente pronësie  private dhe në referencë të ligjit, nuk ka asnjë interes për t’u bërë pjesë e Arkivit Shtetëror. Gjithashtu, pretendimet e drejtorit të Arkivës së Shtetit se, dokumentet e pranuara prej tij janë me rëndësi historike, kjo është një mënyrë orvatje pa asnjë bazë ligjore, sepse drejtori duhet të tregoj interesin historik të tyre.  Është shumë e rëndësishme të sqarojmë publikun lidhur me këtë ngjarje, sepse ata duhet të dinë çka është, duke ndodhur në institucionin më të rëndësishëm të shtetit,  AQSH,  atje ku presupozohet që dokumentet historik dhe pronësor janë të sigurta.

Me këtë që ka ndodhur  gjendja në Arkivin e Shtetit  nuk është më si më parë, pasi është cenuar besueshmëria, përderisa futen aty dokumente të falsifikuar që më parë janë përdorur nga shtetësja Sara Resuli , nga ku ka vjedhur, natyrisht jo vetëm, por me një grup të mirëorganizuar, apo të strukturuar, qindra hektarë sipërfaqe toka truall në qytetin e Fierit.  Nuk ka asnjë justifikim, as ligjor, as moral kjo që ka ndodhur në Arkivin e Shtetit, ku në mënyrë të mirëorganizuar janë futur dokumente të falsifikuara me qëllim legjitimimin e sipërfaqeve të tokave të vjedhura.  Natyrisht kjo çështje i ka kaluar edhe prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe i ngelet asaj të hetojë dhe jemi të bindur se do të dalin në të njëjtin përfundim, atë të falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të postit publik nga personat e kallëzuar.