Avni Ponari: Shteti të ndryshojë ligjin për sigurimet

1049
Drejtori i Përgjithshëm i SIGAL UNIQA Group AUSTRIA, Avni Ponari, në takimin me të rinjtë sipërmarrës, foli edhe për rregullimin dhe ndryshime thelbësore të paketës ligjore për sigurimet në Shqipëri, për rritjen e rolit të shtetit si rregullator për këtë fushë dhe ndërtimin e një pakete të domosdoshme për mbrojtjen e interesave të konsumatorit, masë kjo që do të çojë edhe në rritjen e volumit të sigurimeve, duke i dhënë prioritetin e duhur sigurimeve të përgjegjësisë me kufinj të limituar, sikundër janë në çdo shtet të botës. “Ka një mungesë të theksuar në shumë fusha të legjislacionit, ndaj duhet ndërtuar një paketë e re ligjore, duke filluar që nga ligji bazë për sigurimet. Duhet të jenë ligje që bëjnë të mundur mbrojtjen e interesave të konsumatorëve në të gjitha fushat. Aksidentet janë të pranishme çdo vit, përmbytjet gjithashtu , ngjarjet aksidentale etj. etj. Natyrisht këto janë pjesë e programit të punës së industrisë së sigurimeve dhe jo e taksapaguesve, sepse taksat e qytetarëve duhet të përdoren për gjë tjetër, ndërsa interesat financiare të qytetarëve duhet të mbrohen nga industria e sigurimeve”, -deklaroi Ponari. 
Duke folur në aktivitetin për sipërmarrësit e rinj, të organizuar nga “Startup Grind Albania”, një projekt i mbështetur nga “Google for Entepreneurs” i shtrirë në 70 vende të botës, i cili ka për qëllim të mbështesë dhe nxisë sipërmarrësit e rinj, Ponari tha se Shqipëria renditet e fundit në rajon për sigurimet. Ai foli për sfidat e tregut të sigurimeve në Shqipëri, ku theksoi nevojën e veçantë për të futur në kulturën e shqiptarëve sigurimet në tërësi dhe jo të mbeten vetëm tek sigurimi i makinës, treg i cili Ponari sqaroi se në të gjithë botën zë vetëm 5%, ndërsa 95% është tregu tjetër i sigurimeve, si ai i sigurimit të jetës, shëndetit, pronës, biznesit, sigurimi i studentëve, i koorporatave, i pensioneve private etj. 
“Kemi një treg ende të varfër përsa i përket sigurimeve, pasi shqiptarët sigurojnë vetëm makinat që të mos marrin gjoba nga policët, por akoma nuk e kanë kuptuar rëndësinë e sigurimit të jetës së tyre, të shëndetit, pronës, pasurisë etj. Megjithatë, si një person që kam më shumë sesa 20 vite që merrem me sigurimet, mund t’ju them që tregu i sigurimeve do të shkojë drejt zgjerimit dhe tendenca e zhvillimit është me rreth 15%-20% në vit. Aktualisht shqiptarët paguajnë për sigurimet një prim prej 20 eurosh për frymë në vit, ndërsa Maqedonia paguan 60 Euro, Rumania 100 Euro, Kroacia 300 Euro, Sllovenia 1000 Euro, Austria 3000 Euro, ndërsa SHBA-të paguajnë 6000 Dollarë në vit për siguracione. Pra ne renditemi të fundit përsa i përket sigurimeve, por unë jam i bindur që kjo tendencë dhe këto shifra do të ndryshojnë”, -tha Ponari. 
Përgjatë bashkëbisedimit me iniciatorin e aktivitetit, Endri Mataj, kreu i SIGAL UNIQA iu përgjigj edhe pyetjeve nga salla. Ai u tregoi sipërmarrësve të rinj në sallë se kompaninë e tij e ka nisur në vitin 1999, me një staf prej pesë personash dhe një kapital fillestar 400 mijë dollarë, ndërsa sot kompania e tij kap shifrat mbi 60 milionë Euro prime bruto vjetore dhe një staf prej 1100 punonjësish në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Dy nga pikat kyçe të suksesit të SIGAL UNIQA ka qenë edhe thithja e të parit investitor të huaj në Shqipëri, Fondin Amerikan të Zhvillimeve, i cili u bë pjesë e SIGAL në vitin 2003 si dhe partneriteti me gjigandin Austriak të sigurimeve UNIQA Insurance Group, e cila zotëron 68.64% të aksioneve të SIGAL UNIQA. 

I pyetur nga sipërmarrësit e rinj, se çfarë duhet të kenë ata parasysh në momentin që vendosin të hapin një biznes të ri, Ponari iu përgjigj: “Ajo që unë do t’ju këshilloja, nisur edhe nga përvoja vetjake, është që të keni një ide të qartë se çfarë doni të krijoni, por mbi të gjitha ta doni atë që bëni. Nëse nuk e doni atë që bëni, më mirë mos iu futni fare asaj rruge. E dyta, do t’ju thoja që niseni një biznes duke marrë parasysh edhe kapacitetet fillestare që keni. Pra mos merrni borxhe pafund, pasi ato borxhe nuk do t’ju lënë të merrni frymë. Mund të merrni një shumë të vogël si mbështetje nëse e keni të pamundur, por asnjëherë mos filloni një biznes duke u bazuar 100% në paratë e të tjerëve, pa pasur një kapital fillestar tuajin. 

E treta, mos mendoni që do të pasuroheni që në fillim, pasi do të zhgënjeheni shumë, aq shumë sa mund ta ndaloni aty iniciativën e re. Kini parasysh që në Shqipëri tregu është shumë i vogël dhe është e vështirë të depërtosh që në fillim, e aq më tepër t’i merrni frytet e investimit që në vitet e para”. 
Në fund, një pjesë e të pranishmëve biseduan personalisht me drejtorin e SIGAL UNIQA, duke i spjeguar idetë e bizneseve që mendojnë të krijojnë dhe i kërkuan atij këshilla se si mund ti zhvillojnë iniciativat e tyre. Ponari u shpreh i hapur për ti ndihmuar sipërmarrësit e rinj në rrugën e tyre të bisnesit. 
Sigal