Avdul Mamaj: Modernizova dhe dorëzova një shërbim hipotekor, që deri para 1 viti ishte magazinë dosjesh problematike

625
Sigal

Flet Avdul Mamaj, përgjegjësi i Zyrës së Hipotekës Tepelenë, i dorëhequr dje nga detyra, për motive personale

Me një kualitet prej drejtuesi që njeh dhe ka respektuar e respekton ligjin dhe formatin e sjelljes institucionale, me një personalitet individual në rritje, me një përkushtim që është karakteristikë vetëm e nëpunësve dhe drejtuesve kualitativ, me një komunikim publik e shoqëror që është tregues i shërbestarëve të denjë ndaj qytetarëve, juristi Avdul Kanan Mamaj, ka shërbyer denjësisht prej 16 muajsh, në krye të Zyrës Hipotekore të Rrethit të Tepelenës. Pas një punë drejtuese të suksesshme, kryer përballë interesash klienteliste që binin totalisht ndesh me ligjin dhe moralin e tij, kreu i Zyrës së Hipotekës Tepelenë Avdul Mamaj, dje paradite i ka dorëzuar dorëheqjen nga detyra, Kryeregjistruesit të Shqipërisë zotit Ilirjan Muho. Akte të tilla si drejtuesit Mamaj, janë tregues moderniteti dhe tolerance, për drejtues modernë e tolerantë. Pas informacionit që morëm nga zyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Hipotekave të Shqipërisë, biseduam me Drejtorin e Zyrës Hipotekore të Tepelenës, zotin Avdul Mamaj, lidhur me motivet e dorëheqjes së tij.

 Zoti Mamaj, dje ju keni firmosur dorëheqjen nga detyra, në një moment, që (sipas informacionit që ka gazeta ‘Telegraf’) keni bërë dhe duhej më shumë punë, pasi kishit hedhur bazat e një rilindjeje të plotë të kësaj zyre shërbimi hipotekor, përse ikët?

Më vjen keq, që ndërpreva kontributin tim drejtues në këtë moment, kur së bashku me ekipin tim të palodhur e kualitativ, kisha krijuar vërtetë një platformë pune eficente, korrekte e profesionale me dokumentacionin dhe me qytetarët në shërbim hipotekor të Tepelenës. Por, mendova se duhej bërë akti i dorëheqjes, jo prej paaftësisë sime drejtuese dhe mungesës së vizionit e përkushtimit për të rilindur këtë shërbim në Tepelenë, por prej situatave që krijuan segmente të caktuara grupesh lokale, të cilët janë mësuar të gradohen, të ekzistojnë, të vegjetojnë e të promovohen në politikë dhe në administratë, nëpërmjet ish-praktikave banale të uzurpimit të drejtimit të sektorëve të shërbimit publik, që i konsiderojnë si burim përfitimesh abuzive e korruptive personale, nëpërmjet prapaskenave. Unë, në asnjë moment, në asnjë rrethanë dhe për asnjë motiv, qoftë edhe ekzistencial për jetën, nuk kam qenë, nuk jam dhe nuk do të jem pjesë e të keqes që synon të mbysë të drejtën dhe moralin.

 Cila ka qenë gjendja në Hipotekën e Tepelenës 16 muaj më parë, kur nisët detyrën dhe si po e dorëzoni sot?

Duke dëshiruar të më mirëkuptojnë ata që kanë drejtuar përpara meje, nisur prej moralit tim për të thënë të vërtetën, ju deklaroj se kam gjetur një gjendje jo normale për një arkiv pronash, troç, kam gjetur një ‘depo letrash’, ku duhej 10 ditë për të gërmuar e gjetur një dosje prone e aplikimi. Mjafton të përmend një fakt: Kur kam marrë detyrën, kam gjetur 4100 aplikime ‘stok’, që nuk ishin trajtuar prej vitesh dhe ky nuk është volum dhe problematikë e vogël për një zyrë shërbimi hipotekor si Tepelena. Këtu e nisëm punën tonë, unë si drejtues së bashku me ekipin. Sot, pas 1 viti që nisëm ‘operacionin’ e zhbllokimit të aplikimeve, kam arritur që nga 4000 dosjet e mbartura, të kompletoj 3000 dosje, ndërsa 1 mijë prej tyre janë ende në pritje, për shkak të mungesës së dokumentacionit të aplikuesve. Besoj, se pasardhësi im i përzgjedhur si drejtues, do të vazhdojë këtë punë që është nisur prej meje e prej stafit tim, punë e cila nuk duhet ndalur.

 Cila është gjenda e regjistrit pronësor, që keni krijuar për zonat e Tepelenës?

Nuk dua ta përsëris, por regjistrat pronësor të zonave të Tepelenës kanë qenë problematike, madje në 70% të tyre pa asnjë informacion e përcaktim pronësor të pasurive. Ata që janë specialistë, e dinë mirë, që në 16 muaj drejtim, fakti që nga 79 zona kadastrale në 11 komuna e 2 bashki që ka rrethi Tepelenë, kam arritur të fus në sistem, të saktë e përfundimtar, zonat kadastrale në 2 bashki dhe 6 komuna.

 Cilën konsideroni arritje tjetër në punë tuaj?

Ajo që unë e konsideroj arritje në shërbimin hipotekor Tepelenë është vendosja përfundimtare e standardit të transparencës me qytetarin. Ishte krijuar bindja, që hipoteka ishte një zyrë ’taksidare pirate’, ku përveç tarifës së shërbimit, duhej paguar edhe ‘haraç’ në dorën e punonjësit të zyrës dhe kjo ishte një epidemi që e ‘qelbi’ shërbimin dhe moralin e shërbimit hipotekor. Arritje tjetër, unë mund të quaj shkurtimin e kohës së shërbimit në zyrë dhe në terren, mbasi ishte instaluar një praktikë vërdallisjeje e qëllimtë korruptive, që lodhte, acaronte dhe bllokonte qytetarin për shërbimin që kërkonte. Kjo praktikë ka marrë fund, ka ikur bashkë me ata që zëvendësova unë, uroj të mos përsëritet nga këta që do të më zëvendësojnë mua. Tjetër arritje kemi faktin, që nuk kemi lejuar më mbivendosje pronash, duke verifikuar me imtësi çdo detaj të një prone që aplikohej për regjistrim. Çdo qytetari i kemi thënë të vërtetën mbi gjendjen e pronës së tij dhe mbi praktikat ligjore e administrative që duhet të respektonte. Në drejtësi ka një përcaktim: Regjistri i hipotekës është si regjistri shkollës, nuk mund të ketë dy nxënës, posedues të një dëftese! Fatkeqësisht kjo ka ndodhur në Tepelenë, ne e pastruam këtë ‘pisllëk’ abuziv’. Tjetër arritje është fakt, që regjistrin e pronave të Tepelenës e kthyem nga regjistër manual, në sistem dixhital. Kemi arritur që pronësitë në Memaliaj e Tepelenë t’i bëjmë pjesë aktive përfundimtare të regjistrimit fillestar dhe ky është tregues që është arritur në pak rrethe të vendit, por që për këtë kemi patur mbështetjen e plotë të kryeregjistruesit Iliarjan Muho, të cilin dua të përshëndes nëpërmjet gazetës “Telegraf”, për kualitetin e bashkëpunimit të hapur e korrekt që ka manifestuar me mua dhe me të gjithë regjistruesit e rretheve e qarqeve. E meqë më jepet rasti, shpreh mirënjohjen time të sinqertë për dy bashkëpunëtorët e mi, hartografët e talentuar të kësaj zyre hipotekore, profesionistët dhe të palodhurit Alfred Caca e Besnik Dine.

 Ju tashmë keni dhënë dorëheqje, si u prit kjo prej shefit tuaj qendror, zotit Muho?

Unë nuk komentoj se si u prit dorëheqja ime, mbasi është një akt administrativë që nuk mund të komentohet, por di të them një gjë: Është privilegj të punosh me drejtues si Ilirjan Muho, mbasi është njeri që përcjell korrektesë, përvojë, dashamirësi.

Pas dorëheqjes së Avdul Mamaj, flasin tre drejtues komunash në Tepelenë

 Redi Rama, kryetar i Komunës Qendër Tepelenë

 Të them të drejtën, nuk jam ndier aspak mirë që dha dorëheqjen, ishte një drejtues organizator i zoti, korrekt dhe mbështetës. Në 16 muaj të drejtimit të tij, kemi zgjidhur gjithë ngërçet pronësore të zonës sonë, të krijuar në vite. Gjithsesi, ky ishte vendimi i tij, rëndësi ka që ai mbetet modeli i rilindjes së shërbimit hipotekor në Tepelenë.

  Pëllumb Milori, kryetar i Komunës Progonat

 Sa mësova për vendimin e tij, i dërgova një mesazh: Pse pikërisht tani, që kishe hedhur bazat e një reformimi të shërbimit hipotekor? Ai ishte një drejtues që nuk donte punë e kolltuk, por që i duhej punës. Komuna jonë ka gjetur përherë mbështetjen e tij për çdo problem administrativ e të komunitetit.

 Hysen Çela, kryetar i Komunës Qesarat

 Unë nuk e kam quajtur kurrë drejtues, por shërbëtor të punës, shefin e hipotekës Tepelenë. Dha provën e një drejtuesi model, korrekt, dashamirës, madje edhe sakrifikues në emër të përmbushjes së detyrës. Është i pari dhe i vetmi drejtues hipoteke deri sot, që ka krijuar në shërbim hipotekor dhe arkivë model.

Dorentina Hoxhaj