Av. Zaçe Islami: Të diplomuarit e diktaturës nuk njohin diplomat e Bashkimit Evropian

915
Arsimi i Lartë/ Është paradoks, që diplomat greke, të njohura në të gjithë botën për ushtrimin e profesionit, nuk vlerësohen në Shqipëri
Parimi kombëtar e ndërkombëtar se qeveria buron nga populli dhe është për t’i shërbyer atij, është baza dhe themeli i demokracisë; qytetarët janë subjekt aktiv e jo pasiv në vendin dhe shtetin e tyre. Ata detyrohen, nëpërmjet taksave dhe detyrimeve të tjera , ta mbajnë në këmbë atë, kurse ai është i detyruar t’ju shërbejë atyre dhe t’i mbrojë në çdo drejtim. Ai, si kujdestar moral, duhet te veprojë në dy mënyra:

1 – Të shfaqë vetë vlera morale të larta
2 – Të vendosë ligje, rregulla e norma, që të penalizojë kundravajtësit dhe keqbërësit. 

Sa vlera morale kanë shtetarët dhe pushtetarët , të gjithë e dimë dhe nuk e quaj me vend të zgjatem, mjafton të ndjekësh një seancë plenare të Parlamentit të Shqipërisë, me akuza të ndërsjella palësh të kundërta që në fakt, nuk janë të kundërta sa i përket mënyrës së qeverisjes apo të lexosh shtypin e shkruar dhe replikat ndërpalëse, e kupton se amoraliteti, në mos, qëndron në thelb, të paktën në atë oral, është në skaj.

Ata janë mbyllur në kullat e fildishta dhe i kanë kthyer institucionet në lozha masonike, hermetikisht të mbyllura, pa asnjë lloj kontakti me qytetarët dhe po pate fatin të kontaktosh dikë, qoftë dhe rastësisht, përgjigja, si ajo arrogante, ashtu edhe dashamirëse është: na hidh ne gjyq. Pra me fjalë të tjera – më merr të keqen se nuk ke ç’na bën, se gjyqi dihet se si i jep vendimet dhe sa vazhdon odiseja e tij.

Në vendin tonë, shteti është kthyer në mbrojtës i një rrethi të mbyllur, tepër të ngushtë. Nëpërmjet disa sofizmave, formulave dhe akrobacive politike të politikanëve tanë, që duket se do të vdesin mbi kolltukë, derisa t’iu kalben (mos u shqetësoni se kolltukët tepër luksozë të tyre, do ti kishin zili edhe presidentët e superfuqive dhe sheikët), ata e kanë kthyer administratën në instrument terrori ndaj qytetarëve të pa emër e të pambrojtur. Ata e konsiderojnë administratën si plaçkë lufte – kush merr pushtetin – ka të drejtë të heqë e të vendosë kë të dojë, të sillet me qytetarët si të dojë.

Duke u transformuar ne arrogantë vertikalë, nëpërmjet administratës së tyre të korruptuar deri në skaj, jo vetëm nuk i zgjidhin problemet, por i ndërlikojnë me absurditete të pakuptimta, madje, i krijojnë qytetarit edhe të reja, duke të kujtuar matrioshkat, kukullat nëna ruso – japoneze, ku brenda nënës, sa e hap atë, të del bija, brenda së cilës del një tjetër më e vogël, e kështu me radhe, deri tek më e vogla, me rezultat – qytetari të dalë gjithmonë i humbur e me gisht në gojë. 

Është skandaloz fakti, që në të gjithë administratën shtetërore, nuk ka asnjë institucion që të bëjë pritje për qytetarin, ta sqarojë atë dhe të zgjidhë hallet dhe shqetësimet e tij. 

Për shkak të detyrës, ndeshem përditë me padrejtësi dhe pamundësi kontakti nga ana e institucioneve të administratës publike, që shpesh, më është dashur edhe kontakti dhe ndërhyrja e titullarëve më të lartë të institucioneve qendrore për të zgjidhur çështje fare të thjeshta, objekt i një punonjësi të niveleve fare të ulëta.Çështja që desha të trajtoj në këtë shkrim, është një odise pothuajse një vjeçare me Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve, por që nga vajtjet e herë pas hershme (plot 52 herë), shikoj se në këtë hall, janë edhe qindra e mijëra të tjerë, që sorollaten nga kjo ministri, pa asnjë arsye e me mjaft justifikime, kulmuar me rastin e sindikatës së mësuesve që ministria nuk e kontaktonte prej 2 vjetësh. Kryeministri i Shqipërisë ,në dëshirën e tij të pa kufi që të ngjajë sa më shumë me idhullin e tij diktatorin Enver Hoxha , në trajtimin e studentëve shqiptarë të arsimuar në perëndim po bën të njëjtën vepër makabre që bëri edhe idhulli i tij para 70 vjetësh .

Diktatori , fill mbasi uzurpoi pushtetin në Shqipëri , gjëja e parë që bëri ishte eliminimi fizik i intelektualëve të shkolluar në universitetet më prestigjioze perëndimore për t’u hapur vendin e punës çobanëve, kovaçëve e teneqexhinjve injorantë e të pa shkollë.

Sot, 72 vjet më vonë , pasardhësi i tij , njëlloj si diktatori komunist po bën të njëjtin veprim me njohjen dhe njehsimin e diplomave të studentëve shqiptarë të shkolluar në vendet perëndimore. 

Këtë vepër makabre e ka ligjëruar nëpërmjet ligjit famëkeq , diskriminues dhe antinjerëzor me nr.80 viti 2015. Po i referohem çështjes së njehsimit të diplomave të dy fëmijëve të mi të cilat kanë mbaruar dy universitete greke, atë të PANTEION( PANDIO) në Athinë dega psikologji dhe DHEMOHRITOS dega juridik në THRAKË. 

Vitin e kaluar, të dy fëmijët, aplikuan për njohjen e diplomave të tyre, të përftuara në këta dy universitete greke. Sipas procedurave të përcaktuara në faqen e ministrisë, dërguam nëpërmjet postës dokumentet dhe gjatë pritjes prej 45 ditësh, sipas afatit të publikuar, nëpërmjet postës elektronike vjen një mesazh, që informon se mungonte kopja e përkthyer dhe e noterizuar e diplomës. 

Së bashku me vajzën, kërkojmë kontakt me punonjësin përkatës (Gerta Hasanaj Prifti) që të dorëzojmë fotokopje tjetër të diplomës të rinxjerrë, përkthyer dhe noterizuar, me humbje kohe, vlerash monetare dhe ecejake, pa pasur asnjë faj, sepse nuk jemi ne përgjegjës për mënyrën postare të depozitimit; nuk na kontakton askush, pasi nuk praktikohet takim me qytetarët. 

Nëpërmjet recepsionit, na rekomandon që ta ridërgojmë me postë, me një fjalë të përsëritej gjendja pafundësisht sepse nuk përgjigjet askush për ndonjë firo të pretenduar gjatë rrugës.

Pas një pritje të gjatë, kontaktojmë, rastësisht, një zyrtare të lartë që na shpjegon se ministria nuk kontakton qytetarët, nuk ka kohë, pasi atje hartohen politika. I themi problemin dhe i kërkojmë zgjidhjen. Kush përgjigjet për mungesën dhe kush garanton për më tej. E bindur për seriozitetin e gjendjes, njofton punonjësen Hasanaj, e cila, me sa duket, e fryrë nga ndonjë rrebesh i saj, me tufën e dokumenteve në dorë ku, për çudi, dukej që nga larg fotokopja e diplomës së pretenduar se mungonte, na e përplas tek recepsioni dhe në prezencë të shumë fatkeqëve të tjerë, më fyen: “Mos është gjë idiote vajza apo mos nuk di shqip?”, mori dokumentin e sjellë për herë të dytë dhe u largua. As tashti nuk di përse e kërkoi për herë të dytë dokumentin, e as si ta shpjegoj atë sjellje. As administrata e kolonizatorëve, nuk mbart këtë mendësi ndaj një të pushtuari e nuk sillet kështu me qytetarët e huaj.Kujtova sa na kishin paralajmëruar kohë më parë, miq e të njohur, madje edhe persona të botës akademike, se çfarë na priste me njohjen e diplomave, por që i kisha konsideruar teprime.Në pritje të 45 ditëshit të vendimit të njohjes, nuk kishim kontakte elektronike e fizike, pas 3 muajsh (dyfishi i afatit ligjor të përcaktuar nga vet ministria), me shumë vështirësi kontaktojmë me shefen e kabinetit të ministres, zonjën Adriana Berberi, cila na thotë se pengesa është përgjigja nga universiteti në Greqi. Një tjetër mashtrim, pasi universiteti në Greqi na tregon dokumentin e përgjigjes pozitive, kthyer brenda 2 orësh nga marrja e kërkesës së Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, por edhe mjaft të çuditur për këtë procedurë absurde, pasi diplomat greke janë autentike dhe me to mund të punosh në të gjitha nivelet e administratës shtetërore .

Gjatë qëndrimit tonë prej gati 20 vjetësh, nuk dëgjuam ndonjë rast të dyshimtë. Për më tepër, diploma mban vulën e rektoratit, të njësisë periferike, të ministrisë së jashtme greke dhe të konsullatës shqiptare në Selanik, me harxhime kohe e monetare.

Ja themi këto z. Berberi tek recepsioni – si gjithmonë, në prezencë të shumë qytetarëve,(privatësia nuk njihet në institucionet publike) meqenëse nuk na e mundësoi kontaktin me departamentin dhe punonjësen Hasanaj, me pretekstin se ka volum pune. 

Për të kuptuar ngarkesën e saj, mjafton vetëm fakti që kur ne e prisnim në holl me nja 20 qytetarë të tjerë, na kaloi 2 herë me qese byrekësh e kafe në dorë. Ndërkohë ngarkesa e saj është që për gjithë vitin, janë trajtuar 784 diploma – shiko listën e publikuar tek faqja e ministrisë – nga i gjithë departamenti, që i takon 3 aplikantë në ditë, nga një për secilin punonjës, pra edhe për z. Hsanaj – Prifti, një e -mail standard, madje edhe ky, i panevojshëm. 

Në kontaktin e dyte, përsëri të imponuar, me z. Berberi, pas 3 javësh zj. Gerta Hasanaj ( Prifti) asnjëherë nuk denjon të kontaktojë, na thuhet se presim përgjigje nga zyra greke, homologia e zyrës shqiptare të njohjes së diplomave të huaja. Mashtrimi tjetër i radhës, pasi, siç doli më vonë nga praktika, përgjigja kishte ardhur rreth 1 muaj më parë (4 gusht) dhe mbahej në sirtar nga departamenti. 
( vijon neser )
Sigal