Av. Kujtim Cakrani/ Pse e djathta nuk e fiton Bashkinë e Vlorës?

693
Sigal

Zgjedhjet lokale tashmë po afrojnë, vetëm 4 muaj na ndajnë nga data 21 Qershor.

Çdo ditë tregu mediatik hedh emra të ndryshëm kandidatësh nga dy partitë kryesore, asaj Socialiste dhe Demokratike. Por, meqë “lufta” më e ashpër do të zhvillohet për bashkitë e mëdha si, Tiranë, Durrës, Fier, Korçë dhe Vlorë, unë dua të ndalem tek kjo e fundit, pra, tek bashkia e Vlorës, për të cilën kohët e fundit po flitet shume, jo vetëm për faktin se kryetari aktual z. Shpëtim Gjika, akuzohet për shpërdorim të detyrës, por nga kjo bashki apo zonë elektorale ka dalë deputeti njëkohësisht edhe Kryeministri i vendit, z. Edi Rama. Disa analistë, por dhe media, flasin se lufta për këtë bashki do të jetë e ashpër dhe se e djathta ka shumë mundësi ta fitoj këtë bashki, e cila prej 17 vjetësh drejtohet nga e majta.
Vlorën, politika e mban dhe cilëson si bastioni i së majtës. Jo, kjo nuk është aspak e vërtetë për faktin se, po ti referohemi të shkuarës së largët dhe të afërt të zgjedhjeve lokale dhe parlamentare, do të shohim se Vlora ka votuar sa majtas dhe djathtas. Në zgjedhjet e para pluraliste të vitit 1992, në të gjithë zonat elektorale të rrethit Vlorë i fitoi Partia Demokratike, përsëri në vitin 1992 bashkinë e këtij qyteti por dhe shumicën e komunave e fitoi partia Demokratike, për të vazhduar më zgjedhjet e vitit 1996, si ato parlamentare dhe ato lokale i fitoi e djathta. Në zgjedhjet e vitit 1997 e djathta nuk fitoi asnjë deputet, sepse të gjithë jemi dëshmitarë të asaj që ndodhi. Ndryshimi, në vitin 1998, në zgjedhjet e parakohshme, Bashkinë e Vlorës e mori Partia Socialiste, të cilën vazhdon ta mbajë deri sot, duke mbushur plot 17 vjet. Edhe pse bashkinë e Vlorës e kanë pasur të majtët, në zgjedhjet parlamentare të  vitit 2005, vlonjatët votuan masivisht Partinë Demokratike, duke i dhënë kandidatëve të saj votën që ta përfaqësonin atë në Parlament. Pas zgjedhjeve të 23 qershorit 2013, Partia Demokratike doli e dërrmuar për mos thënë e shkërmoqur, sepse rezultati i këtyre zgjedhjeve ishte shumë më i keq edhe se i vitit 1997 kur zgjedhjet u zhvilluar nën terrorin e bandave. Pas kësaj humbje të thellë për arsyet që tashmë dihen, demokratët vendosën të ndryshonin shumë gjëra që më parë ishin tabu për të, si zgjedhja e kryetarit një anëtarë një votë, por dhe shumë ndryshime të tjera. Me këtë frymë, nisi dhe riorganizimin në  Partinë Demokratike edhe në Vlorë, por shumë shpejt u kuptua që ky ishte riorganizim fals, them fals sepse i gjithë procesi i zgjedhjeve në organet drejtuese të kësaj partie u dirigjua nga lart, duke përdorur si fasadë “votimin e lirë apo të fshehtë” me moton: Nuk ka rëndësi kush voton, rëndësi ka kush numëron…,pas përfundimit të procesit të fals-riorganizimit, në Partinë Demokratike të Vlorës, në kryesinë e saj shohim të njëjtët njerëz, të cilët janë anëtarë të këshillit bashkiak prej shume mandatesh, që për të  futur emrin në pjesën  fituese të listës, përgjërohen duke shitur edhe personalitetin, nëse kanë, kur shpallen fitues harrojnë çfarë përfaqësojnë, madje bëjnë edhe pazare të pista në kurriz të atyre që i kanë votuar. Për të vazhduar me ish drejtuesish të mëparshëm të kësaj partie që janë rikthyer pasi siç duket kanë bërë të ashtuquajturin “Katarsis”, kemi ish drejtorë që kur ishin në drejtim të institucioneve janë përfolur për korrupsion madje edhe të ndjekur penalisht nga Prokuroria, ish nëpunës të administratës, të asaj administrate që e renditi Shqipërinë në top listën e vendeve më të korruptuara të botës. Partia Demokratike, disa javë pas ristrukturimit të saj, është ndarë në dy pjesë, në njërën anë kryetari i cili nuk ka marrëdhënie dhe asnjë komunikim me pjesën tjetër të kryesisë dhe në njërën anë anëtarët e kryesisë, që para disa kohësh nisën edhe një peticion kryetarit Basha për shkarkimin e Kryetarit, gjë që nuk u pranua. Partia Demokratike e Vlorës, nuk u shkëput dot nga e shkuara, nuk u reformua dot me të rinj, Vlora ka intelektual, ka djem dhe vajza të reja me shumë dinjitet dhe të papërfolur, që vine nga familje me tradita shumë të mira në politike, dhe pas asaj që pësoi kjo parti më 23 qershor 2013, këta do ti kthenin shpresën dhe besimin qytetarëve vlonjat, por jo, kjo parti ka ngelur përsëri peng i atyre njerëzve që prej më shumë 20 vjetësh e kanë parë këtë parti si një organizatë fitimprurëse.  Partia Demokratike e Vlorës nuk mund të rifitojë dot bashkinë e Vlorës, duke shpërndarë disa pako me miell dhe një shishe vaj në zonat e përmbytura, Partia Demokratike nuk mund ta fitojë Bashkinë e Vlorës duke shpresuar dhe përfituar votat e disa individëve të pakënaqur që Inspektorati Kombëtar i Ndërtimit ju ka prishur objektet e ndërtuara në mënyrë abuzivë duke zënë ato pak ambiente publike të qytetit. Partia Demokratike, nuk mund ta fitojë bashkinë e Vlorës, duke pritur nga pakënaqësia e disa qytetarëve fatkeq që shteti po u prish shtëpitë për investime publike. Partia Demokratike nuk mund ta fitojë bashkinë e Vlorës duke bërë diversion me fatkeqësinë e kryetarit aktual, zotit Shpëtim Gjika! Jo, kjo nuk është rruga dhe mënyra për ta fituar këtë bashki.
Për të fituar Bashkinë e Vlorës, Partia Demokratike duhet me gjithë mend të  riorganizohet duke u reformuar  me emra të rinj. Duke bërë një gjë të tillë, do të afrohen tek kjo Parti shumë figura të reja dhe ndërmjet tyre të nxjerrë kandidaturën e duhur dhe të përshtatshme për Bashkinë e Vlorës. Të nxjerrë një figurë me prejardhje qytetare të papërfolur dhe të ndershme, që mos ta shohë postin e Kryetarit të Bashkisë si mënyrë për tu pasuruar, por ta shohë si një privilegj që i bëhet, ku i jepet mundësia që ti shërbejë qytetarëve dhe qytetit, shembuj të tillë kemi ish kryetarin Nuredin Bej Vlora, që kur drejtonte Bashkinë e Vlorës në vitet 20, asnjëherë nuk pranoi të merrte pagën e tij si kryetar Bashkie, duke e vënë atë në shërbim të njerëzve në nevojë të qytetit.E pra, ky lloj qytetari  dhe kryetari i duhet bashkisë së Vlorës, që Partia Demokratike e Vlorës nuk e ka dhe nuk ka për ta pasur, sepse ajo është e kapur fort nga kthetrat e hajdutëve. Dje talleshin me qytetarët nëpër drejtoritë e qytetit, sot përgjohen duke bërë edhe viktimën dhe opozitarin e përkushtuar, a thoni ju që njerëzit nuk i njohin apo i kanë harruar bëmat e tyre kur drejtonin institucionet. Nuk ka rëndësi kush do ta fitojë bashkinë e Vlorës, por fatkeqësia është se ky qytet, edhe pas 21 qershorit, nuk do të menaxhohet nga njerëz me vizion dhe qytetar që ti kthejnë Vlorës shkëlqimin e dikurshëm. Mjerim!